15/11/2007
Rumania është e etur të përfundojë hetimin e KE në shitjen e Automobile Craiova tek Ford Motor Company përpara se prodhuesi i SHBA i makinave të kërkojë për një vend tjetër në Evropën Qendrore e Lindore për selinë e tij.
Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht - 15/11/07
![]() "Ford Europe do të bashkëpunojë me Komisionin Evropian me qëllim që të arrijë një vendim të kënaqshëm mbi këtë çështje sa më parë të jetë e mundur," thanë zyrtarët në një deklaratë. [Gabriel Petresku] |
Javën e shkuar, agjensia e privatizimit e Rumanisë u dërgoi zyrtarëve të Komisionit Evropian (KE) në Bruksel përgjigjet për një sërë çështjesh lidhur me një hetim të marrëveshjes së fundit të vendit me Ford Motor Company.
KE po shqyrton në se Rumania ka kryer shkelje të ndihmës së shtetit në shitjen e fabrikës së Automobile Craiova tek Ford.
Komisioneri i konkurrencës i BE Nili Kroes tha: "KE mbështet tërësisht strategjinë e privatizimit të Rumanisë. Megjithatë, ne duam të jemi të sigurtë se procesi i privatizimit ishte i hapur e transparent, pa ndihmë të paligjëshme shtetërore. Në këtë rast, unë dyshoj se rregullat e ndihmës shtetërore janë nëpërkëmbur."
Xhonathan Tod, një zëdhënës i KE, tha se "ndihmë e paligjëshme shtetërore" do të thotë "çdo ndihmëe dhënë pa njoftimin më parë të Komisionit".
Kryeministri Kalin Popesku Tarikeanu dhe drejtori i Fordit i Evropës për strategjinë e biznesit, Lil Uoters, nënshkruan kontratën e privatizimit në 12 shtator gjatë panairit të automobilave në Frankfurt. Ford ra dakord të blejë 72.4% të fabrikës për 57 milion euro.
Rumania nga sa thuhet anulloi borxhet e fabrikës dhe garantoi pagesat e borxheve të kompanisë ndaj degëve të tjera të mëparëshme Daewoo. Për më tepër, Rumania kërkoi që Fordi të binte dakord që gjatë katër viteve të ardhëshme për një nivel prodhimi minimum prej 200,000 makinash dhe për vazhdimin e veprimtarisë së tanishme të fabrikës si edhe për pajtimin e të gjithë punëtorëve të fabrikës së ish Daewoo.
Hetimi i KE do të sigurojë në se këto kushte kanë rezultuar në një çmim më të ulët se ai që do të ishte po qe se shitja do të qe pa kushte.
Agjensia e privatizimit të Rumanisë, Autoriteti për Mëkëmbjen e Aseteve të Shtetit (AVAS) tha se përgjigjet e qeverisë ndaj pyetjeve të KE u hartuan nga të gjitha institucionet e përfshira në privatizimin e prodhuesit rumun të makinave. Përgjigjet nuk janë botuar megjithatë, për shkak se përmbajnë elementë konfidencialë rreth procesit.
AVAS e siguroi Brukselin se privatizimi u bë sipas procedurave komunitare dhe në një mënyrë transparente.
Presidenti i Ford Europe, Xhon Fleming, tha se kompania qe e pakënaqur nga hetimi i KE, duke shtuar se ai kishte përshtypjen se privatizimi qe në përputhje me rregullat e BE.
KE nuk ka një afat përfundimtar për kompletimin e hetimit të tij, ndonse ato përgjithësisht zgjasin afërsisht 18 muaj.