Qendra e re tregtare në Beograd është më e madhja në rajon

14/11/2007

Kompania e tretë e madhe në Serbi, Delta Holding ka hapur një treg shitjesh me kapacitet të barabartë me qytetin e Novi Sadit. Masa kurorëzon një vit suksesesh që përfshijnë investimin e parë serb në një kompani të BE, Piccadilly të Bullgarisë.

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 14/11/07

photo

Qendra e re tregtare u hap më parë këtë muaj. [Kortezi e Igor Jovanoviç]

Delta Siti, qendra më e madhe tregtare në Ballkan u hap në 1 nëntor në Beogradin e Ri, një seksion i kryeqytetit serb që po bëhet qendra e biznesit të qytetit. Molli përfshin një hapësirë të barabartë me 15 fusha futbolli, ka 125 dyqane dhe një kapacitet për 200,000 njerëz, gati sa popullsia e Novi Sadit, kryeqytet i krahinës veriore të Serbisë, Vojvodinës.

Me kosto 74 milion euro, Delta Siti u ndërtua në vetëm 18 muaj, me ndihmën e 52 kompanive të Beogradit. Përveç dyqaneve, molli ka një vend për boulling dhe një sistem multipleks në ndërtim. Përfitimi për ekonominë lokale mund të jetë i madh, pasi do të krijohen 1,500 vende pune.

Ndërmarrja kurorëzon një vit zgjerimi për Delta Holding, kompania e tretë e madhe në Serbi, pas furnizuesve shtetërorë të naftës dhe elektricitetit dhe një nga pesë kompanitë kryesore në rajon. Në shtator, dega shitëse e kompanisë Delta Maxi bleu 85% të aksioneve në Piccadilly, një rrjet bullgar. Ky është i pari investim nga një firmë serbe në një kompani nga BE.

Pronarët e rinj kanë në plan ta bëjnë Piccadilly shitësin më të madh në Bullgari, me një pjesë tregu prej 20 deri 25 %. Ata do të investojnë 70 milion euro për të hapur 20 pika të reja shitjeje, duke punësuar 1,000 punëtorë gjatë dy viteve të ardhëshme, sipas përfaqësuesit të Delta, Dragan Filipoviç.

Planet për zgjerimin nuk ndalen këtu. Themeluesi, Miroslav Mishkoviç thotë se të tjerë molle do të vijnë, dy në Beograd dhe nga një në Novi Sad dhe Nish. Në 2008 kompania ka në plan të hapë një moll në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgorica si edhe në Banja Luka, kryeqyteti i njësisë serbe Republika Srpska (RS) të Bosnje dhe Herzegovinës (BiH). Delta Maxi ndërkaq ka marrë rrjetin e dytë të madh të shitjeve të BiH, Tropik.

Përveç kësaj, kompania po negocion të hapë një qendër tregtare në Zagreb dhe e ka syrin në projekte të ngjashme në Tiranë, Shkup, Bukuresht dhe Sofje. Autoritetet serbe i kanë përshëndetur zgjerimet, duke thënë se ato hapin rrugë për prodhuesit serbë për të vënë prodhimet e tyre në tregun e BE si dhe ato rajonale.

Delta Holding ka pësuar edhe dështime. Ajo planifikoi një shkrirje me rrjetin më të madh kroat të dyqaneve, Agrokor. Por në shtator marrëveshja u pezullua, me Delta që pretendon se autoritetet në Zagreb po vënë pengesa.

Kroacia do që ta lërë jashtë kryeqytetin serb, thoshte kompania, një akuzë që qeveria kroate e mohon.

Pronari Mishkoviç është një nga biznesmenët më të pasur serbë. Në 2001 ai u rrëmbye nga anëtarë të së ashtuquajturit Klani Zemun dhe u lirua pasi u pagoi atyre miliona euro shpërblim. E njëjta bandë ishte përgjegjëse për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiç në mars 2003.

Në 30 tetor, B92 me bazë në Beograd raportoi se Mishkoviç i qe ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve me regjimin e Slobodan Millosheviçit. Pasi regjimi ra, thoshte radioja, ai u lidh me autoritetet e reja dhe ka qenë në gjendje që atëhere të marrë një rol kyç në privatizim.

Mishkoviç e mbron pozitën e tij duke financuar bujarisht partitë politike serbe, pohonte B92.

Delta ka mohuar thëniet, duke thënë se ato janë pjesë e një fushate shpifjesh. "Njoftimi i lajemve të tilla vetëm një ditë përpara hapjes së investimit më të madh të Delta, qendrës tregtare Delta Siti, tregon qartazi se kjo është një fushatë e planifikuar dhe modeluar me kujdes që ka për qëllim shkatërrimin e reputacionit të kompanisë," thoshte ajo në një deklaratë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading