07/11/2007
BE propozoi të martën një paketë masash që do të çojnë në mbledhjen e informacionit rreth pasagjerëve ajrorë dhe do të kriminalizojnë përdorimin e internetit për të nxitur apo rekrutuar terroristë.
(The Guardian - 07/11/07; AFP, Reuters, DPA, FT, BBC, Euobserver, European Commission - 06/11/07)
![]() "E drejta e sigurisë është në vetvete një e drejtë bazë, sepse para së gjithash është një e drejtë për jetën," tha nën presidenti i Komisionit Evropian Franko Fratini. [Getty Images] |
Komisioneri i drejtësisë dhe sigurisë Franko Fratini njoftoi të martën (6 nëntor) një paketë të re propozimesh që kanë për qëllim forcimin e aftësive të bllokut 27 vendesh për të luftuar terrorizmin.
"Terroristët do të godasin kurdoherë, kudo dhe me çfardo mjet për të bërë më shumë efekt," u tha Fratini, i cili shërben gjithashtu si nën president i Komisionit Evropian (KE), gazetarëve në Bruksel teksa shpaloste planin.
"Ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur, ne duhet të vazhdojmë të gjejmë barazpeshën e duhur midis të qënit në dijeni të kërcënimit dhe marrjes së masave të duhura e të përpjestuara, si në nivelin evropian dhe kombëtar, për ta parandaluar atë," shtoi Fratini.
Për të ilustruar kërcënimin, Fratini u tha gazetarëve se në 2006, grupet terroriste synuan 11 vende evropiane në 80 komplote. Ai shtoi se më tepër se 300 qeliza terroriste janë nën hetim.
Për të pajisur agjensitë e zbatimit të ligjit me mjetet e duhura, propozimi i KE do të kriminalizojë përdorimin e internetit për trainim të terroristëve, rekrutim apo nxitje.
Paketa që duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare për të hyrë në fuqi, përfshin një listë me 47 pika të rekomanduara veprimi. Midis të tjerash, masat do të parashikojnë ngritjen e sistemeve të alarmit të shpejtë mbi eskplozivët e gjetur dhe transaksionet e dyshimta, zhvillimin e një aftësie forensike për ekspozivat në Europol dhe plane për të shqyrtuar me imtësi personelin e industrisë.
"Mbikqyrja e udhëtimit është një nga pikat tona të dobta në strategjinë e kundër-terrorizmit. Prapë, terroristët udhëtojnë përpara dhe pasi kryejnë sulmet terroriste," tha Fratini.
Për t'ju drejtuar çështjes, paketa e KE propozon që fluturuesit ajrorë të vënë në dispozicion regjistrimet e të dhënave të emrave të pasagjerëve (PNR) për fluturimet që hyjnë apo dalin nga BE. Të dhënat do të jenë të dobishme për autoritetet e përfshira në vlerësimin e rrezikut, misionet e zbatimit të ligjit dhe ato anti-terroriste.
Shteteve të BE do t'u kërkohet të mbledhin 19 pjesë informacioni të PNR, të tilla si emri, numri i pasaportës dhe numrat e telefonave, adresa e e-mailit dhe detaje të pagesës. Ato do të jetë të detyruar gjithashtu të mbajnë në dosje të dhënat për deri në 13 vjet dhe t'i ndajnë ato me vende të tjera anëtare.
Megjithë sigurimet e BE se sistemi i propozuar do të përdoret vetëm për të identifikuar terroristët potencialë dhe nuk do të përfshijë informacion të tillë si rraca, feja apo preferenca ushqimore, anëtarë të grupeve të ndryshme politike të Parlamentit Evropian (PE) shprehën shqetësimet e tyre.
"Është jashtë logjike të propozosh një vendim të nivelit evropian mbi ruajtjen e të dhënave, duke lënë çështjen e mbrojtjes së të dhënave dhe si të dhënat duhet të përpunohen plotësisht nga legjislatorët kombëtarë," tha një zëdhënës për të Gjelbërtit dhe Aleancën e Evropës së Lirë të PE.
"Në qoftë se autoritetet e zbatimit të ligjit të vendeve anëtare janë informuar se një agjensi udhëtimi apo disa numra kredit kartash kanë qenë të shoqëruara në të kaluarën me sulme apo komplote terroriste, a do të ndahet ky informacion?"
Fratini u përgjigj: "Po, unë mendoj se duhet."
"Objektivi ynë mbetet ruajtja e barazpeshës së duhur midis të drejtës bazë për të siguruar shtetasit, të drejtës për jetën dhe të drejtave të tjera bazë të individëve, duke përfshirë mëvetësinë dhe të drejtat proceduriale," tha ai.