05/11/2007
Një aktivist synon të arrijë në Pekin për Lojrat Olimpike të Verës 2008, pas një udhëtimi njëvjeçar humanitar në një karrige me rrota nga Maqedonia.
Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup - 05/11/07
![]() Mile Stojkovski filloi udhëtimin e tij me një ceremoni në gusht në monumentin e Nënë Terezës në sheshin qendror të Shkupit. [Tomislav Georgiev] |
Mile Stojkovski i Maqedonisë është njeriu i parë që orvatet të udhëtojë 15,000 km nëpër 31 vende në një karige me rrota. Synimi i tij është të arrijë në Pekin deri në 8 gusht 2008, për Olimpiadën Verore. Deri tani, Stojkovski ka arritur në Siri dhe është në udhën e vet për në Jordani, me shëndet të mirë dhe entuziast për arritjen e objektivit të tij.
Udhëtimi humanitar i Stojkovskit nisi me një përcjellje tek monumenti i Nënë Terezës në sheshin qendror të Shkupit në 3 gusht. Në veprimtari ai u përshëndet nga përkrahësit, duke përfshirë kryeministrin e parë të Maqedonisë, Nikola Kljusev.
Misioni i Stojkovskit është të rritë ndërgjegjësimin publik, të tërheqë sponsorë e të ngrejë fonde për të ndihmuar ata me nevoja të posaçme në Maqedoni. Me fjalët e tij, qëllimi kryesor i Stojkovskit është të fitojë njohje mbarëkombëtare të njerëzve me probleme fizike dhe t'i ndihmojë ata për t'u integruar më mirë në shoqëri.
Në bashkëpunim me Venera, një organizatë humanitare në Prilep, Stojkovski do të përpiqet të ngrejë një fond ndihme për invalidët. Fondi do të përdoret për të nisur ndërtimin e strukturave që përmbushin nevojat e invalidëve, që nga ana e tyre mund të bëhen një mjet për riintegrimin social.
"Unë dua t'u dërgoj një mesazh paqeje njerëzve," thotë Stojkovski që ka ndërmend të mbjellë një pemë që simbolizon paqen, çdo 100 km. Me një ekip 15 vetë, ai do të udhëtojë nëpër rajonet e rrënuara nga lufta të Irakut e Afganistanit.
Një ekip i TV po filmon udhëtimin për të bërë një dokumentar. Një ekip mjekësor kqyr shëndetin e tij gjatë rrugës.
Sipas rregullave të vëna nga ekipi, makinat në rrugën rreth tij duhet të mbajnë një distancë prej 500 metra. Ndërsa Stojkovski do të pushojë në hotele, ekipi do të qëndrojë në një karvan trailerësh që do të shoqërohen nga makinat e policisë në çdo vend.
Udhëtimi 2007-2008 për në Pekin nuk është sfida e parë olimpike e Stojkovskit. Në 2004, gjithashtu në karrige me rrota, ai udhëtoi nga Prilepi në Athinë për Lojrat Olimpike.
Pas Athinës, Stojkovski u takua me presidentin Branko Crvenkovski dhe njoftoi synimin e tij për të udhëtuar në Pekin.
Ekspedita e Stojkovskit po mbështetet nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë, Kryqi i Kuq i Maqedonisë, Dhoma e Juristëve Maqedonas dhe disa kompani.