02/11/2007
Në një përpjekje për të shkurtuar procedurat burokratike dhe për të eleminuar korrupsionin, Shqipëria themeloi kohët e fundit Qendrën e Regjistrimit Kombëtar që ofron regjistrim të rregulluar brenda ditës për bizneset e reja.
Nga Erlis Selimaj për Southeast European Times në Tiranë - 02/11/07
![]() Bizneset e reja mund të regjistrohen në 24 orë, nga 47 ditë ju duhej. [AFP] |
Bizneset e reja në Shqipëri mund të regjistrohen tani ligjërisht brenda 24 orëve, duke shmangur procedurat e gjata burokratike që merrnin 47 ditë dhe nxisnin rrushfetin e korrupsionin.
Sipas ministrisë së ekonomisë, e cila nisi reformën, procesi i ri kombinon disa hapa në një. Ndryshimet u zbatuan me ndihmën financiare të USAID, nën marrëveshjen e Pragut të Mijëvjeçarit të Sfidës së Shqipërisë. Marrëveshja e 2006 synon reduktimin e korrupsionit nëpërmjet reformave në administratën e taksave, prokurimin publik dhe regjistrimin e biznesit.
"Ne duam të ofrojmë një proces më të lehtë, më të shpejtë e më pak të kushtueshëm të regjistrimit të një biznesi të ri, regjistrim të njëkohshëm të taksave, sigurimit shoqëror, sigurimit shëndetësor dhe regjistrimin e drejtorisë së punës duke përdorur një procedurë të vetme aplikimi," tha kreu i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Tom Kola.
Ai thotë se reforma është një fazë e rëndësishme në përpjekjet qeveritare për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Ajo ofron disa përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare si dhe për investitorët e huaj.
QKR do të thjeshtojë dhe reduktojë mjaft koston e shërbimeve të regjistrimit të biznesit duke rregulluar kërkesat e informacionit. Licensat e nevojshme për veprimtari të veçanta do të jenë të përftueshme pas regjistrimit, jo si një parakusht për regjistrimin e biznesit dhe të taksës.
Kompanitë munden bile të regjistrohen online në të ardhmen e afërt. "Një aplikim në Windows do të jetë i disponueshëm anembanë Shqipërisë, duke bërë të mundur për një biznes të regjistrohet lokalisht. Nëpërmjet internetit do t'i jepet akses i lirë publikut në regjistrin e informacionit komercial," tha Kola.
Megjithatë, mund të ketë një pengesë ligjore. Shqipëria nuk ka një ligj që të lejojë regjistrimin elektronik. Kreu i Dhomës shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla e përshëndeti nismën e regjistrimit. Megjithatë, tha ai, "Ne duhet të shohim ende në qoftë se procesi i ri regjistrues do të punojë brenda vitit të ardhshëm."
Në krye të shtatorit QKR nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me departamentin e doganave për aksesin ndaj biznesit dhe të dhënave fiskale të regjistrimit.
"Memorandumi është një hap i rëndësishëm në minimizimin e korrupsionit, me të cilin Shqipëria po ndeshet në disa vitet e fundit dhe që e ka bërë të pamundur për bizneset të funksionojnë normalisht. Në partneritet me QKR, ne do të ofrojmë të dhënat e përvojën tonë," tha Gerta Picari, drejtoreshë e përgjithshme e departamentit të doganave.