Bordi i PIC mbështet masat e propozuara nga Lajçak për forcimin e institucioneve të BiH

01/11/2007

Duke u kërkuar politikanëve në Bosnjë e Herzegovinë t'u përmbahen detyrimeve të tyre, një organizëm kyç zyrtarësh ndërkombëtarë paralajmëroi të mërkurën se orvatjet për të penguar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit nuk do të tolerohen.

(Office of the High Representative, Reuters, AP, DPA, Fena - 31/10/07)

photo

Bordi drejtues i PIC njoftoi se "mbështet vendimet dhe veprimet e propozuara nga Përfaqësuesi i Lartë, të cilat janë plotësisht në përputhje me mandatin e tij dhe kushtetutën e BiH". [OHR]

Duke shprehur mbështetjen e plotë për Përfaqësuesin e Lartë Miroslav Lajçak, një organizëm kyç zyrtarësh ndërkombëtarë u kërkoi politikanëve në Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH) të mërkurën (31 tetor) të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e fundit të Lajçak mbi reformën institucionale.

Seria e veprimeve që ai propozoi në 19 tetor "është plotësiosht në përputhje me mandatin e tij dhe kushtetutën e BiH", tha në një deklaratë bordi drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) në fund të takimit të vet dy-ditor në Sarajevë. "I vetmi objektiv i këtyre masave është të rregullojnë procesin vendim-marrës në këshillin e ministrave dhe në parlament dhe ato janë të domosdoshme për përshpejtimin e procesit të reformës."

Veprimet që Lajçak do që të zbatohen deri në 1 dhjetor përfshijnë ndryshime në rregullat e kuorumit që do ta bënte më të vështirë për anëtarët e qeverisë dhe parlamentit nga secili komunitet etnik për të bllokuar miratimin e vendimeve apo ligjeve duke mos marrë pjesë.

Masa e Përfaqësuesit të Lartë tërboi politikanët serbë boshnjakë. Ligjebërësit në parlamentin e Republika Srpska (RS) miratuan një deklaratë të enjten duke kundërshtuar masat e propozuara si anti-kushtetuese dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Duke kritikuar politikanët për përpjekjen për të nxitur një krizë politike për të sfiduar autoritetin dhe legjitimitetin si të Lajçak dhe të PIC, bordi drejtues u kërkoi "krerëve të RS t'u përmbahen detyrimeve të tyre" në vend të kësaj.

Duke vënë në dukje se situata në BiH kishte përkeqësim të mëtejshëm që nga takimi i mëparshëm në qershor, zyrtarët ndërkombëtarë paralajmëruan gjithashtu krerët politikë nga të dy njësitë se përdorimi i retorikës agresive dhe përpjekjet për të penguar përparimin nuk do të toleroheshin.

"Bordi drejtues i PIC përsërit se nuk do të qëndrojë pasiv përballë deklarimeve apo veprimeve provokative," thanë drejtorët politikë nga vendet dhe organizatat anëtare të bordit, në deklaratën e tyre.

Anëtarë të bordit drejtues janë Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, presidenca e BE, Komisioni Evropian dhe Organizata e Konferencës Islamike.

"Çdo udhëheqës politik apo institucion i BiH që do të kundërshtojë Përfaqësuesin e Lartë dhe bordin drejtues të PIC do të jetë subjekt i masave të duhura," thoshte deklarata.

Ajo gjithashtu paralajmëronte se "komuniteti ndërkombëtar ka instrumentet e duhura për t'u bërë ballë prirjeve shkatëruese dhe se nuk do të lejojë orvatje për të penguar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda vendit."

Javën e shkuar, kryeministri serb Vojislav Koshtunica i përshkroi masat e propozuara nga Lajçak si një "kërcënim të hapur ndaj interesave thelbësore të popullit serb" dhe që synonin shfuqizimin e Republika Srpska. Në deklarimin e tij në 25 tetor, Koshtunica la gjithashtu të kuptohej se politikat e Lajçak qenë pjesë e një plani anti-serb për t'i dhënë pavarësinë Kosovës.

Ndërsa i bashkohej anëtarëve të tjerë të bordit drejtues në mbështetjen e tyre për Lajçak, Rusia kritikoi kohën e masës së tij për të ndryshuar procedurat e votimit për miratimin e vendimeve dhe legjislacionit.

"Duke marrë parasysh mungesën e marrëveshjes mbi këto masa ndërmjet krerëve të BiH, Federata Ruse konsideron se përpunimi i masave në një mjedis më të qëndrueshëm do të kishte qenë më produktiv," tha Rusia në një shënim të veçantë në fund të deklaratës.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading