15/10/2007
Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan tha në fundjavë se një inkursion ndër-kufitar mund të niste "në çdo kohë të parë të nevojshme". Shumica e diplomatëve presin negociata të intensifikuara gjatë tre javëve të ardhëshme, se sa veprim të menjëhershëm ushtarak.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 15/10/07
![]() Kamionët ushtarakë turq mbajnë tanket në një rrugë që lidh qytetin juglindor të Turqisë, Cizre me Sirnakun, javën e shkuar. [Getty Images] |
Qeveria turke duhej të hartonte deri të hënën (15 tetor) një mocion për të kërkuar miratimin parlamentar për një operacion ushtarak me qëllim shrrënjosjen e bazave të Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Irakun e veriut. Autoritetet thonë se kanë udhëzuar ushtrinë të bëjë përgatitjet.
Në komentet e fundjavës, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan u duk i vendosur të ndërmarrë veprim "në çdo kohë që dukej e nevojshme", pavarësisht nga thirrjet ndërkombëtare për përmbajtje.
"Ne jemi të përgatitur të paguajmë të gjitha kostot," tha Erdogan. Megjithatë, burimet diplomatike thonë se një inkursion i menjëhershëm nuk ka gjasa. Më tepër, thonë ata, javët që vijnë do të shohin përpjekje të intensifikuara për t''ju drejtuar problemeve nëpërmjet mjeteve diplomatike.
Ndërsa ushtria turke po shtyn për një inkursion, administrata e Erdogan ka qenë skeptike. Me dhunën e PKK në vazhdim, megjithatë qeveria po vjen nën presionin publik për të vepruar.
Në atë që shumë analistë të sigurimit thonë se është përpjekje e përbashkët për të tërhequr Turqinë në konflikt, PKK ka rritur fushatën e vet të terrorit. Në 7 tetor, militantët e PKK me armë e eksplozivë vranë 13 ushtarë në krahinën juglindore të Sirnak. Sulmi ishte një nga më shkatërruesit në vitet e fundit.
Javën e shkuar, Erdogan kryesi një takim të niveli të lartë të sigurimit thirrur për të diskutuar kërcënimin e PKK. "Të gjitha institucioneve të duhura u janë dhënë urdhprat dhe udhëzimet e nevojshmepër të bërë të gjitha llojet e përgatitjeve ligjore, ekonomike e politike për t'i dhënë fund pranisë së organizatës të terrorit në një vend fqinjë duke përfshirë një operacion të mundshëm ndër-kufitar," tha një deklaratë e lëshuar pas takimit.
Rreth 3,000 militantë të PKK mendohet se fshihen në male në Irakun e veriut duke e përdorur zonën si tramplinë për sulmet brenda Turqisë. Rreth 150 ushtarë turq janë vrarë që nga janari.
Shtetet e Bashkuara ka këshilluar Turqinë se një veprim ndër-kufitar mund të rrezikonte stabilitetin rajonal. Por lidhjet midis Ankarasë dhe Uashingtonit janë tani të ndera për shkak të një vendimi të nj komiteti kongresional të SHBA për të miratuar një rezolutë që i përshkruan masakrat e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore si një genocid.
Të shtunën, ndihmës sekretari i departamentit të shtetit Daniel Fraid dhe nënsekretari i SHBA i mbrojtjes për politikën, Erik Edelman fluturuan në Ankara duke përcjellë përpjekjet në vazhdim nga administrata e Bush për të bllokuar rezolutën e Armenisë. Ata i kërkuan gjithashtu Turqisë të mos nisë një inkursion në Irak duke thënë se kjo do të zgjeronte paqëndrueshmërinë atje.
Erdogan, megjithatë, u duk se i prapsi këto rekomandime. "Ne nuk duam këshillat e ndokujt mbi Irakun e veriut dhe operacionet që do të kryhen atje," i tha ai një tubimi të partisë në Stamboll në fundjavë.
Ministri i jashtëm turk Ali Babaçan pritet të vizitojë Bagdadin në ditët që vijnë si për përgatitjen e një takimi rajonal mbi Irakun dhe për të shprehur vendosmërinë e Turqisë për të eleminuar kërcënimin e PKK.
Ministrat e brendshëm të Turqisë dhe Irakut pritet gjithashtu të takohen më pas këtë muaj në Kuvait, mënjanë një takimi të sigurisë rajonale mbi Irakun.
Ambasadori i Irakut në Turqi Sabah Umran tha se të dy takimet janë të rëndësishme për të kapërcyer dallimet dhe për të shmangur një krizë në rajon.
Umran paralajmëroi gjithashtu kundër një operacioni ndër-kufitar duke thënë se kjo do të shkelte të drejtat e sovranitetit të Irakut. Ai shprehu dëshirën e Irakut për të thelluar dialogun me Turqinë për të eleminuar kërcënimin e PKK.
Një marrëveshje kundër-terroriste e nënshkruar nga ministrat e brendshëm të Turqisë dhe Irakut pret ende ratifikimin nga ligjebërësit irakenë. Deputetët kurdë, megjithatë, kanë shprehur ndërkohë rezerva të ndryshme rreth marrëveshjes. Përpara nënshkrimit të saj, një paragraf kyç që i lejonte Turqisë operacione të nxehta të kufizuara në zonën kufitare, u hoq nga teksti, për shkak të opozitës nga politikanët kurdë të Irakut.
Një nga betejat kyçe diplomatike pritet të bëhet në Stamboll në krye të muajit tjetër. Turqia do të presë vendet fqinjë të Irakut në një forum rajonal ku pritet të marrë pjesë gjithashtu sekretarja e shtetit e SHBA Kondoliza Rajs.
Erdogan ka në plan të vizitojë Uashingtonin në krye të muajit të ardhshëm, ku pritet të takohet me presidentin Xhorxh W. Bush rreth PKK.
Ndihmës shefi i shtabi të përgjthshëm të Turqisë, gjenerali Ergin Sajgun, u tha gazetarëve të hënën se është tepër herët për të diskutuar kohën apo shkallën e një operacioni të mundshëm ushtarak. Detajet e autorizimit parlamentar janë vendimtare, tha ai.
"Në qoftë se kjo detyrë na caktohet ne, do të shohim shkallën në të cilën do të kryhet. Nuk është e mundur ta thuash këtë tamam tani," tha ai.