Intriga e mosmarrëveshje rrethojnë privatizimin e JAT

04/10/2007

Ministritë qeveritare janë të ndara rreth fatit të fluturuesit kombëtar serb, bërë gati për të dalë në treg vitin tjetër.

Nga Georgi Mitev-Shantek për Southeast European Times në Beograd -- 04/10/07

photo

Privatizimi i linjës ajrore JAT pritet vitin e ardhëshëm. [Getty Images]

Privatizimi i linjës ajrore JAT të Serbisë ka qenë subjekt i kureshtjes vendase dhe ndërkombëtare për muaj të tërë. Linja ajrore, fluturuesi kombëtar i Serbisë, është 100% në pronësi të shtetit. Një tender privatizimi pritet të thirret nga fundi i vitit.

Qeveria, megjithatë është e ndarë rreth shitjes. Nënkryeministri Bozhidar Djeliç ka dalë e ka thënë se pjesë të linjës ajrore duhet të mbeten në duart e shtetit. Por ministrat e tjerë duan që qeveria të mos ketë të bëjë me kompaninë fare dhe sa më parë aq më mirë.

Një konsorcium, kryesuar nga banka e SHBA Rothschild, u ngarkua muajin e shkuar si këshilltare privatizimi. Grupi është nën një kontratë 1 milion euro për të këshilluar qeverinë për mënyrën më të mirë për të kryer shitjen.

Interes zyrtar në linjën ajrore është shprehur deri tani nga Aeroflot e Rusisë, ndërsa Air India është e interesuar në ngritjen e një kompanie ndërmmarrje të përbashkët me selinë e Beogradit. Megjithatë, mundësia e rusëve për të hyrë në tregun e Ballkanit ka bërë të ngrihen vetullat në Komisionin Evropian i cili merakoset rreth dhënies së një kompanie nga jashtë BE një pikë hyrjeje në bllok.

Sipas Marrëveshjes së Qiejve të Hapur, të gjitha linjat evropiane do të marrin trajtim të barabartë në vendet nënshkruese, duke nisur nga viti tjetër. Serbia e ka nënshkruar marrëveshjen, por ajo duhet ende të ratifikohet. Në qoftë se Aeroflot do të blinte JAT dhe Serbia do të ratifikonte akordin, kompania ruse mund të fluturonte lirisht nëpër Evropë dhe të ishte e mbrojtur në territorin e saj.

Disa komentatorë kanë sugjeruar bile se Serbia po përpiqet të bëjë shitjen e JAT rusëve si shpërblim për mbështetjen e Moskës në çështjen e statusit të Kosovës. Djeliç, megjithatë i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Ajo çka është e sigurtë për tani është se JAT do të jetë e para dhe ndoshta e vetmja kompani shtetërore që do të pësojë privatizim vitin e ardhshëm. Çdo shtyrje vetëm do t'i bëjë gjërat më keq për firmën sepse nën Marrëveshjen e Qiejve të Hapur tregu do të mbytet së shpejti me konkurentë të tillë me kosto të ulët si Ryanair dhe Vizz Air.

Linja ajrore serbe nuk do të jetë e lehtë të shitet. Pasuritë e saj janë vlerësuar në 150 milion euro, ndonse shifra kërcen në 400 milion euro në qoftë se përfshihen vendet e rezervuara të zbritjeve në aeroporteve ndërkombëtare. Borxhi i JAT me Klubin e Kreditorëve të Londrës është marrë nga shteti. Megjithatë, ajo është ende e ngarkuar nga një flotë e vjetëruar, 16 avionë me një mesatare moshe 20 vjeç dhe një kontratë të parealizuar me Airbus. Në 1998 JAT porositi tetë aeroplanë A320 dhe bëri një pagesë paraprake prej 24.5 milion $. Këto aeroplanë janë thjeshtë tepër të mëdhej për nevojat e linjës ajrore sot.

Kompania është gati për privatizim. Ristrukturimi është kompletuar dhe të gjitha veprimtaritë jashtë veprimtarisë bazë, të tilla si shërbimi i ushqimit, hotelet, mirëmbajtja e avionëve dhe operacionet në tokë, janë ndarë në kompani të ndryshme që janë marrë përsipër nga shteti. Por shitja vjen në një kohë të vështirë për industrinë ajrore, me shumë kompani në treg dhe jo aq sa duhet klientë të interesuar.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading