Trojka e Kosovës takohet me përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës

20/09/2007

Trojka e ngarkuar me ndërmjetësimin e bisedimeve të reja të statusit të Kosovës u takua me përfaqësuesit nga Beogradi e Prishtina këtë javë. Fokusi i takimeve ishte të ndërtohej një axhendë për bisedimet kokë më kokë midis të dy grupeve më pas këtë muaj.

Nga Blerta Foniqi-Kabashi dhe Igor Jovanoviç për Southeast European Times - 20/09/07

photo

I dërguari i BE për trojkën e Kosovës, Volfgang Ischinger (në mes), diplomati i SHBA Frank Visner (djathtas) dhe i dërguari rus Aleksander Botsan-Harçenko u takuan me të dy delegacionet në Londër. [Getty Images]

Ekipi negociues i Kosovës ishte në Londër të mërkurën (19 shtator) për t'u takuar me trojkën SHBA-BE-Rusi që po ndërmjetëson çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Sesioni u përqëndrua në organizimin e negociatave kokë më kokë midis Beogradit e Prishtinës që do të bëhen në Nju Jork në 28 shtator.

Delegacioni nga Prishtina paraqiti një dokument që përshkruante vizionin e tij për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë pas përcaktimit të statusit të krahinës.

Dokumenti, i paraqitur nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pohon se Prishtina do që t'i bazojë këto lidhje të ardhshme në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë midis dy shteteve.

"Pavarësia është pika e nisjes dhe e përfundimit e shqiptarëve të Kosovës në negociatat e drejtpërdrejta të ardhshme me Beogradin...ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë si dy vende të ndryshme," tha Sejdiu duke shtuar se marrëdhëniet duhej gjithashtu të bazoheshin mbi bashkëpunimin mbi çështjet me interes të përbashkët, mbrojtjen e plotë të pakicave në Kosovë, përparimin në përcaktimin e fatit të personave të humbur dhe kthimin e refugjatëve.

Dokumenti pohon gjithashtu se Prishtina do që të bashkëpunojë me Beogradin për realizimin e vizionit të përbashkët për integrimin në Evropë. "Ne jemi të vendosur për përparimin bazuar në marrëdhëniet e përmirësuara midis të dy vendeve," tha Sejdiu.

Takimi me zyrtarët e Prishtinës erdhi një ditë pas takimit të trojkës me përfaqësuesit nga Beogradi. Gjatë tij, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç njoftoi se ekipi i Beogradit për takimin në Nju Jork do të kryesohet nga presidenti serb Boris Tadiç dhe kryeministri Vojislav Koshtunica.

"Ne besojmë se vetëm nëpërmjet negociatave të ndershme, të durueshme dhe të pakufizuara mund të arrihet një status i Kosovës që do të jetë baza dhe parakushti për të ardhmen e Ballkanit në BE, që është objektivi i të gjitha qeverive në rajon," tha Jeremiç.

Pasi aleati i Beogradit, Rusia, bllokoi një rezolutë mbi pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë verë, Grupi i Kontaktit caktoi tre negociatorë për të ndërmjetësuar bisedimet e reja të statusit. Treshja është e përbërë nga i dërguari i SHBA Frank Visner, përfaqësuesi rus Aleksandër Botsan-Harçenko dhe i dërguari i BE Volfgang Ischinger.

Ministri serb për Kosovën dhe Metohinë Slobodan Samarxhiç, i cili gjithashtu ndoqi takimin e Londrës, tha se Beogradi propozoi pesë çështje për t'u diskutuar në Nju Jork. E para është krijimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare për statusin e ardhshëm të Kosovës i cili do të mbështeste autonominë thelbësore për krahinën brenda Serbisë.

E dyta është një ndarje konkrete e autoritetit midis Serbisë dhe Kosovës.Çështjet e tjera përfshijnë çështje ekonomike, marëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare financiare dhe praninë e UNMIK në krahinë.

"Misioni i trojkës mbaron në 10 dhjetor. Misioni ynë është një shans që i jepet Beogradit e Prishtinës dhe druaj se nuk do të ketë tjetër të tillë," tha Ischinger.

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska është kundër afatave përfundimtare artificiale për kompletimin e bisedimeve të Kosovës. "Unë nuk shoh se si njohja e njëanshme e pavarësisë për Kosovën mund të stabilizojë situatën në Evropë. Kjo do të shënonte fillimin e një reaksioni zinxhir në pjesë të ndryshme të kontinentit," tha ai. "Rusia do që të shmangë një skenar të tillë."

Në një deklaratë lëshuar pas takimit, trojka i kërkori Prishtinës dhe Beogradit të paraqisnin "ide të reja e origjinale dhe të bënin propozime realiste" për bisedimet e drejtpërdrejta. Të dy palëve ju kërkua të "angazhohen seriozisht dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklarim i cili mund të konsiderohet një provokacion".

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading