04/09/2007
Fëmijët maqedonas po hyjnë tani në shkollë në moshën 6 vjeçare në vend të 7 dhe anglishtja do të jetë pjesë e programit kryesor që nga klasa e parë.
Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup - 04/09/07
![]() Sipas planit të ri, fëmijët do të hyjnë në shkollë në një moshë më të vogël. [Getty Images] |
Më shumë se 300,000 fëmijë ngritën çantat e tyre të librave dhe u drejtuan të hënën (3 shtator) për në klasë kur filloi viti shkollor i arsimit të detyruar fillor dhe sekondar në Maqedoni. Rreth 23,000 aspirantë të vegjël janë të parët që po fillojnë me një sistem të ri arsimi fillor.
Sipas sistemit të ri, fëmijët do të fillojnë klasën e parë një vit më herët, në moshën gjashtë vjeçare në vend të shtatë vjeçare dhe do të ndjekin nëntë në vend të tetë viteve të arsimit të detyrueshëm. Këto ndryshime kanë për qëllim ta sjellin Maqedoninë në linjë me shumë vende evropiane perëndimore, ku nxënësit fillojnë shkollën në moshën gjashtë vjeçare dhe, në disa vende, madje në moshën pesë vjeçare. Sidoqoftë, reforma ka shkaktuar disa vështirësi.
Shumica e shkollave në vend janë ndërtuar të pranojnë një numër të vogël nxënësish dhe deri tani autoritetet shkollore duhet të përballen me hapësirat e kufizuara. Pavarësisht nga kjo, ministria e arsimit u shpreh se mësimi do të vazhdojë siç është planifikuar.
Kushtet do të përmirësohen me kalimin e kohës, i tha gazetarëve ministri i arsimit Sulejman Rusiti. Shumë probleme me ndërtesat e shkollave janë zgjidhur gjatë dhjetë muajve të fundit dhe procesi do të vazhdojë, shtoi ai.
Autoritetet e arsimit në vend kanë hartuar një kurrikulum të ri dhe janë botuar tekste të reja librash. Kurrikulumi i klasës së parë është përgatitor. Në semestrin e parë, nxënësit e vegjël do të njihen dhe do të mësojnë të përshtaten me ambientin e ri. Në semestrin e dytë do të njohin bazat e shkrimit dhe përdorimit të librave shkollorë, gradualisht duke u përshtatur me materialin e ri mësimdhënës.
Një risi e rëndësishme në sistemin mësimor është futja e anglishtes si një lëndë e detyruar në klasën e parë. Në bashkëpunim me British Council, një ekip prej 18 trajnuesish kanë përfituar vetë kualifikime. Ata do të përgatisin pastaj 190 mësues anglishtjeje që do të punojnë në shkolla.
Maqedonia vuan nga numri i ulët i mësuesve të anglishtes në shkollat fillore. Megjithëse vendi ka një numër të nevojshëm instruktorësh të kualifikuar, është vështirë t'i tërheqë ata në sistemin shkollor, ku pagat janë të ulta. Është rritur kërkesa e tregut për aftësi me anglishten në fushat e paguara më mirë.
Në klasën e parë, plani është që anglishtja të mësohet pa libra shkollorë nëpërmjet lojrave dhe vizatimeve dhe me vegla të thjeshta si vizatime dhe numëratorë. Lënda e hartimit në anglisht do të fillojë në klasën e dytë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes