03/09/2007
Në se nuk arrihet shpejt një marrëveshje mbi reformën në polici, shanset e Bosnje-Hercegovinës për të firmosur një marrëveshje të rëndësishme para-aderimi me Bashkimin janë të rrezikuara, paralajmëroi Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn.
(AP, Reuters, AFP, DPA, RFE/RL - 31/08/07; Zyra e Përfaqësuesit të Lartë - 30/08/07)
![]() "Pa një marrëveshje mbi reformën në polici në përputhje me parimet e BE-së, BE nuk është në gjendje të konkludojë një Marrëveshje Stabilizim Shoqërizimi me Bosnje-Hercegovinën," u shpreh Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn. [Getty Images] |
Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn shprehu të premten (31 gusht) keqardhjen se një projekt-propozim i ri mbi reformën në polici në Bosnje-Hercegovinë (BiH), një kusht thelbësor për progresin e aderimit të vendit në BE, është kundërshtuar.
"Kjo ka ulur shanset e Bosnje-Hercegovinës për të konkluduar një Marrëveshje Stabilizim Shoqërizimi (SAA)," u shpreh komisioneri në një deklaratë. "Bosnje-Hercegovina tani rrezikon të ngelet mbrapa fqinjëve të saj për sa i përket ecurisë në rrugën drejt Evropës."
Deklarata e tij erdhi një ditë mbasi drejtuesit e dy partive boshnjake më me ndikim -- Haris Silajxhiç i Partisë për Bosnje-Hercegovinës (SBiH) dhe Sulejman Tihiç i Partisë për Veprim Demokratik (SDA) -- kundërshtuan një propozim të ri mbi reformën në polici.
Ata u shprehën se plani, i paraqitur nga Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajcak, nuk është në përputhje me parimet e vendosura nga BE dhe se favorizon strukturat e policisë të Republikës Srpska (RS).
"Kjo nuk është një reformë në polici, ky është një ligj i ndarjes etnike të forcave policore," u shpreh Tihiç. "Ne nuk mund ta pranojmë atë."
Sidoqoftë kryeministri i RS-së Miroslav Dodik e kundërshtoi gjithashtu propozimin si "totalisht të papranueshëm" dhe "jokushtetues".
"Kjo iniciativë nuk ndihmon pozitën tonë në reformën në polici dhe nuk përfaqëson një zgjidhje kompromisi," e citoi atë Rojters duke thënë në një konferencë për shtyp.
Në vitin 2005, BE e bëri të qartë se do të ndërtojë marrëdhënie më të ngushta me BiH-në vetëm mbasi vendi të ketë restrukturuar forcat e tij policore në përputhje me standartet evropiane. Komisioni Evropian (KE) ka formuluar tre principe me qëllim arritjen e efikasitetit të policisë në vend ku dy entitetet -- RS dhe Federata e BiH-së -- kanë forcat e veta policore.
BE dëshiron që të gjitha kompetenca legjislative dhe buxhetore për të gjitha çështjet policore të jenë në nivel shteti, në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje politike në punën operacionale të policisë dhe rajonet policore të krijohen në bazë të kriterit profesional, në vend të atij etnik.
Përpjekje për të arritur një marrëveshje në të kaluarën janë bllokuar kryesisht nga partitë boshnjake serbe. Duke e parë reformën në polici si një hap drejt zhdukjes së RS, ata kanë bllokuar çdo propozim për bashkimin dhe riorganizimin e dy forcave të vendit. Duke kundërshtuar pretendimet se plani i tij nuk respekton parimet e vendosura nga BE, Lajcak shprehu të enjten zhgënjimin lidhur me reagimin e Silajdziç dhe Tihiç për propozimin e tij "të drejtë dhe të balancuar".
"Nuk ka asnjë humbës në këtë propozim," u shpreh në një deklaratë përfaqësuesi i lartë. "Të vetmit fitues do të jenë qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, të cilët do të përfitojnë nga fillimi i Marrëveshjes së Stabilizim Shoqërizimit të BiH-së me Bashkimin Evropian."
Lajcak, i cili është përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në BiH, morri postin e tij në korrik, duke premtuar se do të ndihmonte vendin të ecte përpra në rrugën drejt integrimit në BE. Muajin e kaluar, ai paralajmëroi se megjithëse bisedimet e MSA-së u mbyllën në dhjetor, marrëveshja nuk do të firmoset këtë vit në se nuk ka asnjë marrëveshje mbi reformën në polici deri në fund të shtatorit.
Duke shprehur mbështetjen mbi propozimin e paraqitur nga Lajcak në një përpjekje për të lehtësuar marrëveshjen, Rehn insistoi gjithashtu se ishte në linjë me parimet e BE-së.
"Unë inkurajoj fuqimisht të gjitha partitë politike për të vazhduar të punojnë konstruktivisht me Z.Lajcak në bazën e propozimit të tij dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa vonesa," u shpreh ai në një deklaratë të premten.