28/08/2007
Ekipi i ri negociator i Serbisë për bisedimet e statusit të Kosovës do të kryesohet përsëri nga kryeministri i vendit dhe presidenti, u shpreh Beogradi të hënën.
(The New York Times - 28/08/07; Reuters, Beta, B92, Balkan Investigative Reporting Network, Qeveria serbe - 27/08/07)
![]() Ministri i Serbisë për Kosovën Sllobodan Samarxhiç (në të djathtë) do të marri pjesë në negociatat e të enjtes (30 gusht). [Getty Images] |
Serbia ka formuar një ekip negociator për raundin e fundit të bisedimeve të statusit të Kosovës. Si në raundet e mëparshme, ai do të kryhesohet nga kryeministri Vojisllav Koshtunica dhe presidenti Boris Tadiç.
E gjithë qeveria do të jetë pjesë e atij ekipi, u shpreh të hënën (27 gusht) ministri për Kosovën Sllobodan Samarxhiç. Bisedimet e fundit po zhvillohen nën mbështetjen e Grupit të Kontaktit të gjashtë-kombeve, duke përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Muajin e kaluar, grupi caktoi një treshe diplomatësh -- Frank Uisner i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Botsan-Karçenko i Rusisë dhe Volfgang Isshinger i Gjermanisë, që përfaqëson BE-në -- për të drejtuar këto përpjekje të fundit për të gjetur një zgjidhje për çështjen e statusit të Kosovës.
Zyrtarët nga Beogradi dhe Prishtina do të zhvillojnë të enjten takime të ndara me të ashtuquajturën "troika" në Vjenë. Megjithatë, Koshtunica dhe Tadiç nuk do të marrin pjesë. Në vend të tyre Serbia do të përfaqësohet nga një "delegacion politik", i drejtuar nga Samarxhiç dhe duke përfshirë ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremiç.
Planet e Beogradit për bisedime janë që në to të marrin pjesë personalisht anëtarët e qeverisë në çdo takim konkret, po ashtu të pyesin ekspertët nga fushat e ndryshme që do të ndihmojnë ekipin negociator, sipas nevojës.
Duke cituar burimet jozyrtare, B92 me qendër në Beograd njoftoi të hënën se do të jenë dy përfaqësues të serbëve të Kosovës në ekipin negociator serb. Partia ultranacionaliste Radikale Serbe njoftohet se ka refuzuar një ftesë të bërë nga Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës Veriore zëvendës-kryetarit të saj, Tomislav Nikoliç, për t'ju bashkuar ekipit.
Po ashtu si Beogradi, Kosova pritet të përfaqësohet nga zyrtarët e saj më të lartë në bisedimet e së enjtes në Vjenë. Sipas agjencisë së lajmeve serbe Beta, delegacioni i saj do të përfshijë presidentin Fatmir Sejdiu, kryetarin e parlamentit Kole Berisha dhe kryeministrin Agim Çeku.
Ata do të shoqërohen nga Hashim Thaçi dhe Veton Surroi, drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe partisë ORA, po ashtu dhe anëtarë të tjerë të ekipit negociues të Kosovës.
Zëdhënësi i ekipit Skënder Hyseni u shpreh se drejtuesit shqiptar të Kosovës do të japin një mesazh të fortë -- domethënë, që integriteti i territorit të Kosovës duhet të rruhet dhe që pavarësia është një subjekt i panegociueshëm në negociata, të cilat do të përfundojnë më 10 dhjetor.
Grupi i Kontaktit do të raportojë më pas në OKB mbi rezultatet e bisedimeve.
Mbas 13 muajsh negociatash të gjata të pafrytshme midis Beogradit dhe Prishtinës, ish-dërguari i posaçëm i OKB-së për bisedimet e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari, dorëzoi propozimet e tij për një marrëveshje, duke parashikuar që provinca të fitoj pavarësinë e mbikqyrur nga ndërkombëtarët.
Shqiptarët e Kosovës, të cilët përfaqësojnë 90% të popullsisë së provincës prej 2 milion njerëz, kanë përkrahur planin. Beogradi e ka refuzuar kategorisht atë, duke thënë se mund të ofrojë autonomi të zgjeruar por jo pavarësinë e plotë.
Duke bërë thirrje për dhënien fund të harresës aktuale politike, Ahtisari i kujtoi të dielën BE-së të fillojë zbatimin e planit të tij menjëherë pasi troika të raportoj tek OKB.
"Tani është koha të ecim nga faza e manaxhimit të konfliktit në përfundimin e saj," i tha ai pjesmarrësve në një forum në Bled, Slloveni. "Përndryshe do të vazhdojmë në rrugë qorre, por BE nuk mund të lejojë që Kosova të bëhet një konflikt tjetër i ngrirë. Mos bërja e diçkaje për ta zgjidhur nuk është një opsion."