24/08/2007
Një monument për nder të Roki Balboas, boksieri legjendar i luajtur në film nga aktori hollivudian Silvester Stalone, u përurua në qytetin e vogël të Zitiste, në provincën veriore serbe të Vojvodinës.
Nga Igor Jovanovic për Southeast European Times në Beograd – 24/08/07
![]() Monumenti i boksierit hollivudian Roki Balboa u përurua javën e kaluar. [Photo courtesy of Igor Jovanovic] |
Një monument për nder të boksierit imagjinar Roki Balboas u zbulua më 18 gusht në Zitiste, një qytet i vogël prej 2,000 njerëz në veriun e Serbisë. I gjithë monumenti, i modeluar sipas një monumenti të ndërtuari në Filadelfia në vitin 1993, është rreth 5m i gjatë. Statuja që shfaq Balboan, e luajtur nga aktori Silvester Stalone, është 2.60m e lartë.
Njerëzit e Zitiste e shikojnë projektin si një mënyrë për të ndryshuar imazhin e qytetit të tyre dhe për të tërhequr turistët. "Ne dëshironim të krijonim një lloj historie për turistët. Qëllimi është që ti krijojmë këtij qyteti një markë. Zitiste është njohur deri tani vetëm për gjëra të këqija -- përmbytje, sëmundjen epidemike të derrit. Ka shumë tifoza të klubeve të futbollit italian dhe Roki i përshtatet," tha kryetari i bashkisë të Zitiste Zoran Babic.
Para ndërtimit të monumentit, Shoqata e Qytetarëve Roki Balboa, që përbëhet nga të rinj nga qyteti, u formua në Zitiste. E frymëzuar nga ndërtimi i një monumenti i legjendës kung-fu Brus Li në Mostar, Bosnje-Hercegovinë, atyre i lindi ideja të një monumenti për Rokin.
Përfaqësuesi i shoqatës Bojan Marceta deklaroi se gjithçka ishin thashetheme mbi monumentin për të tërhequr sponsor dhe sa më shumë gazetarë në Zitiste. Skulptori kroat Boris Staparac dëgjoi për planin dhe kreu vullnetarisht shërbimet e tij. "Idea për të ndërtuar një monument dhe tja dedikosh atë një heroi filmash është një ide më se e çuditshme dhe unë jam shumë i interesuar dhe i tërhequr ndaj të gjitha çudive dhe gjërave të çuditshme," tha Staparac.
Banorët duhet të merrnin dritën jeshile nga skulptori amerikan Thomas Schomberg, i cili krijoi statujën origjinale në Filadelfia. Marceta tha se Schomberg miratoi monumentin dhe ul gjysmën e tarifës së tij për ta bërë punën më të lehtë për popullin e Zitiste.
Balboa ishte një zgjidhje logjike për monumentin, thonë anëtarët e shoqatës. Heroi i filmit që u shndërrua nga një boksier i dështuar në luftëtar i suksesshëm dhe që u bë së fundmi kampion i botës -- duke mundur të gjithë kundërshtarët e tij dhe gjithë demonët. Ky, thonë banorët e Zitistes, është plani që ata kishin për të zhvilluar qytetin e tyre.