24/08/2007
Ankaraja shpreson që Izraeli do të bindë një grup ebre me qendër në SHBA të ndryshojë vendimin e tij mbi masakrat e armenëve gjatë viteve të Perandorisë Osmane.
(Zaman, Haaretz - 24/08/07; AFP, DPA, UPI, The Jerusalem Post, Los Angeles Times, Anti-Defamation League - 23/08/07; AP, Anti-Defamation League - 21/08/07)
![]() "Sipas gjykimit, pasojat e atyre veprimeve ishin në të vërtetë të barazvlefshme me genocidin," deklaroi drejtori i ADF Abraham Foksman. [AFP] |
Zyrtarët turq shprehën të enjten (23 gusht) zhgënjimin mbi një vendim të rëndësishëm të organizatës ebre të kësaj jave për të cilësuar si genocid vrasjet masive të armenëve në vitet e fundit të Perandorisë Osmane.
Liga Anti-Shpifje (ADL) theksoi të martën se me parë "i kishte cilësuar aktet e viteve 1915-1918 të kryera nga Perandoria Osmane kundër armenëve si masakra dhe krime kundër njerëzimit".
Megjithatë, grupi tani ndan këndvështrimin "se pasojat e këtyre veprimeve ishin me të vërtetë të barazvlershme me genocidin", u shpreh në një deklaratë drejtori kombëtar i ADL-së Abraham Foksman. "Nëse fjala genocid do të ekzistonte atëhere, ata duhet ta quanin atë genocid," shtoi ai.
Sidoqoftë Foksman shprehu kundërshtimin ndaj një rezolute të kongresit amerikan që deklaron vrasjen e armenëve si një genocid. Një veprim i tillë, tha ai, mund të jetë "antiproduktiv" dhe "nuk do të ndihmojë në pajtimin midis turqve dhe armenëve".
Po ashtu, tha ai, mund "të rrezikojë komunitetin ebre turk dhe marrëdhëniet shumëpalëshe midis Turqisë, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara".
Armenët pohojnë se 1.5 milion armenë u vranë nga tuqit otomanë në një fushatë genocidi kohën e Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë që pranon se mijëra armenë vdiqën me të vërtetë gjatë trazirave të përgjithshme të asaj periudhe, Turqia insiston se numri i viktimave është i ekzagjeruar, se vdiqën po ashtu një numër i madh turqish dhe nuk u zhvillua asnjë fushatë e qëllimshme genocidi.
Duke kërkuar të shmang një frenim të mundshëm të lidhjeve të tij me Turqinë, një aleat ushtarak, presidenti i Izraelit Shimon Peres i bëri thirrje kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan ta sigurojë atë se vendi i tij dëshiron të mbajë lidhje të mira me Turqinë.
Sipas të përditshmes turke Zaman, Peres premtoi gjithashtu për të "përkrahur pozitën e Turqisë në këtë çështje në Shtetet e Bashkuara".
"Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe ne i kemi njoftuar ata se nuk ka asnjë ndryshim në pozitën tonë dhe nuk dëshirojmë të dëmtojmë lidhjet miqësore midis dy vendeve," një zyrtar i ministrisë së jashtme i tha të enjten të përditshmes Haaretz. "Ne besojmë se ata e kanë kuptuar mesazhin tonë."
Komuniteti ebre i Turqisë kritikoi veprimin e ADL-së. "Ne kemi vështirësi ta kuptojmë se pse ADL, një nga organizatat më të rëndësishme ebre në Shtetet e Bashkuara, ka ndryshuar vendimin [e saj]," deklaruan drejtuesit e komunitetit në një deklaratë. "Ne e kemi të vështirë t'i kuptojmë zhvillimet e fundit në publikun e SHBA-së dhe ndryshimin e papritur të këndvështrimeve që shkaktuan ndryshime të opinionit midis disa organizatave ebre."
Të mërkurën, ministria e jashtme turke mohoi sugjerimin e ADL që një "konsensus" midis historianëve ekziston mbi çështjen e genocidit armen. "Përpjekja e ADL për të rishkruar historinë nëpërmjet një vendimi mund të përbëjë një kundërshtim dhe justifikimi i tij nuk mund të kuptohet," u shpreh zëdhënësi i ministrisë së jashtme Levent Bilman.
Në vitin 2005, Erdogan i dërgoi një letër presidentit armen Robert Kocharian duke i bërë thirrje për krijimin e një komisioni të përbashkët ekspertësh për të hetuar ngjarjet lidhur me vrasjet. Por nuk ka pasur akoma asnjë përgjigje pozitive nga Armenai, tha Bilman.
Në një deklaratë të re të enjten, Foksman i bëri thirrje ADL të "inkurajojë hapat për krijimin e një atmosfere në të cilën Armenia do të përgjigjet favorshëm" ndaj propozimit turk, në mënyrë që të ndihmojë palët "në arritjen e një zgjidhje të dallimeve të tyre të thella".
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes