21/08/2007
Vendimi i të hënës nga parlamenti i hap rrugën arrestimit të mundshëm të Vlado Buçkovskit në lidhje me një skandal blerje armësh.
(Utrinski vesnik - 21/08/07; MIA, Makfax, AP, Xinhua - 20/08/07; Makfax, Balkan Investigative Reporting Network - 17/08/07; Balkan Investigative Reporting Network - 03/08/07)
![]() Akuzat kundër ish-kryeministrit maqedonas Vlado Buçkovski kanë prejardhjen nga posti i tij i mëparshëm si ministër i mbrojtjes. [Getty Images] |
Ligjvënësit nga partitë qeverisëse të Maqedonisë votuan të hënën (20 gusht) për ti hequr ish-kryeministrit Vlado Buçkovski imunitetin e tij për tu hetuar. Ai ka mundësi të arrestohet me akuzat e përfshirjes në një marrëveshje blerje armësh që i kushtoi vendit 3 milion euro.
Nga 120 anëtarë të parlamentit, 59 votuan për ti hequr imunitetin Buçkovskit. Nuk kishte asnjë abstenim zyrtar. Partitë e opozitës bojkotuan votimin.
Një komision parlamentar i hoqi në fillim imunitetin Buçkovskit më 2 gusht, por partia kryesore opozitare Bashkimi Social Demokratik për Maqedoninë (SDSM) e akuzoi vendimin se kishte shkelur rregullat e procedurës. SDSM kërkoi një seancë të plotë parlamentare për të trajtuar çështjen.
Debati filloi të enjten dhe u karakterizua nga shkëmbime akuzash dhe ofendimesh të vashdueshme midis deputetëve të SDSM dhe atyre të partisë qeverisëse VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikola Gruevski.
Buçkovski, tani një deputet i SDSM, deklaroi se është viktima e një persekutimi dhe ka mohuar akuzat kundër tij.
"Unë nuk kërkoj falje, sepse ju nuk jeni juria," tha ai, duke folur para ligjvënësve para votimit të së hënës. "Unë jam i pafajshëm."
Çështja e blerjes së armëve e ka zanafillën në vitin 2001, kur Buçkovski shërbente si ministër i mbrojtjes. Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë maqedonase, gjenerali në pension Metodi Stamboliski, pretendohet se urdhëroi katër herë më shumë pjesë rezervë për tanket e ushtrisë T-55 se nevojiteshin në të vërtetë. Ai u arrestua në gusht dhe u lirua në bazë të një garancie disa ditë më parë.
Një tjetër i dyshuar i rëndësishëm në çështje është Mitre Petkovski, manaxheri i kompanisë maqedonase të metaleve MZT FOP, të cilit ju kërkua të furnizojë pjesët e rezervës.
Buçkovski, Stamboliski dhe Petkovski janë akuzuar se "kanë përfituar dukshëm materialisht për veten e tyre duke dëmtuar buxhetin e shtetit".
Dy zyrtarë të tjerë të ministrisë së mbrojtjes janë akuzuar gjithashtu. Buçkovski deklaroi se roli i tij në çështjen e diskutuar të armëve është hetuar tashmë në vitin 2002, kur të gjitha akuzat kundër tij u hodhën poshtë.
Duke e përshkruar çështjen si një "montim politik", Buçkovski i tha ligjvënësve të hënën se qeveria aktuale po kryen "një luftë selektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit".
SDSM ka kërkuar që çështja të vendoset nën monitorimin e organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë OSBE-në.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes