19/07/2007
Dy vjet pas ofertës fillestare, kompania shtetërore e telefonisë fikse të Shqipërisë u ble nga një konsortium turk.
Nga Jonilda Koçi për Southeast European Times në Tiranë – 19/07/07
![]() Ministri shqiptar i ekonomisë, tregtisë dhe energjisë Genc Ruli (djathtas) dhe kryetari i Calik Enerji, Ahmet Calik nënshkruajnë marrëveshjen mbi shitjen e Albtelekomit muajin e shkuar në Tiranë. [Getty Images] |
Qeveria shqiptare i ka shitur 76% të kompanisë shtetërore të telefonisë fikse Albtelekom, Calik Enerji Telekommunications, një konsorcium turk që përbëhej nga Calik Enerji dhe Turk Telekom. Çmimi ishte 120 milion euro.
"Ne shpresojmë të kompletojmë transferimin e aksioneve për Telekomin shqiptar në të ardhmen e afërt," thoshte një deklaratë e lëshuar nga kryetari i Calik Group. Autoritetet e qeverisë shqiptare thonë se afati i fundit për transferimin do të jetë në shtator.
Shitja, që u kompletua në fund të muajit të shkuar, përfshin gjithashtu një licensë për të ofruar rrjetin e tretë të telefonisë së lëvizëshme të Shqipërisë. Qeveria e përfshiu licensën në paketën e privatizimit si një stimul. Megjithatë, varet nga investitori që në fakt të ngrejë rrjetin që do të quhet Eagle Mobile.
"Shqipëria do të ketë së shpejti investime serioze në telefoninë fikse dhe një kompani të re të telefonisë së lëvizëshme e cila do të garantojë konkurrencën, cilësinë dhe çmimet e ulta," tha ministri i ekonomisë, tregtisë dhe energjisë Genc Ruli pas nënshkrimit të kontratës në 19 qershor.
"Krijimi i një mjedisi të duhur për konkurrencën e drejtë e të ndershme është premtimi që ne japim sot... dhe ky është gjithashtu një detyrim ndaj konsumatorëve dhe investitorëve," shtoi ai.
Procesi i privatizimit të Albtelekomit ka qenë i gjatë. Oferta fillestare për telekomin u lëshua në maj 2005. Calik Group ishte ofruesi i vetëm atë kohë, por kontrata e miratuar nga ish qeveria socialiste nuk u ratifikua në parlament. Qeveria e re e djathtë që erdhi në pushtet në korrik 2005 e ndaloi shitjen duke pretenduar parregullsi.
Sipas kërkesave të qeverisë, Calik u desh të mbante një partneritet me një operator strategjik telekomi. Për të përmbushur kërkesën, kompania formoi konsorcium me Turk Telekom që ka 20% të aksioneve.
Qeveria shqiptare do të përfaqësohet në bordet mbikqyrëse të Albtelekom dhe Eagle Mobile për pesë vjetët e ardhëshme apo deri sa pjesa e aksioneve të qeverisë të bjerë në 10%.
Albtelekom mban një monopol të shërbimit të telefonisë fikse, duke kapur 33% të 800,000 familjeve shqiptare dhe 7% të 3.6 milion banorëve të vendit. Kompania aktualisht sjell 120 milion euro të ardhura vjetore.