17/07/2007
Nivelet e papunësisë aktuale në Evropën Juglindore mund të bëhen një çështje sociale për rajonin, ku shumë të rinj janë jashtë shkollës e jashtë punës.
Nga Georgi Mitev-Shantek për Southeast European Times në Beograd -- 17/07/07
![]() Shumë të rinj në rajon nuk mund të gjejnë punë. [Laura Hasani] |
Në një mjedis me ndryshim të shpejtë ekonomik në Evropën Juglindore, shumë të diplomuar universitarë janë të papunë. Në një konferencë të Bankës Botërore: "Të rinjtë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore: nga politika në veprim" mbajtur në maj në Romë, shumë thanë se prirja e papunësisë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike dhe të shpjerë në rritjen e varfërisë dhe krimit në rajon.
Deri më 2005, vendet e reja anëtare të BE kishin mëkëmbur të gjitha nivelet e tyre të PKB-së pas viteve 1990. Vendet e Evropës Juglindore megjithatë qenë më të ngadalshme për t'u mëkëmbur. Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Herzegovina (BiH) dhe Maqedonia, qenë rrënuar nga trazirat e brendshme të konfliktit ballkanik.
Sot, norma e punësimit e Sllovenisë është rreth mesatares së BE-15 prej 65.2%, por ajo e Maqedonisë është vetëm pak mbi 30%. Kroacia është ende 10% nën mesateren e BE-15. Problemi i papunësisë në rajon është konsideruar serioz pasi shumica e të papunëve janë nën moshën 30 vjeç.
Në shumë vende në rajon ka një shkak për shqetësim. Në Shqipëri dhe Turqi, shumë 18-24 vjeçarë nuk kanë përfunduar një arsim të shkallës së dytë.
Sistemet arsimore në Evropën Juglindore janë nën presion si të brendshëm ashtu dhe ndërkombëtar, për të dhënë aftësi të kërkuara nga tregjet e punës por aktualisht nuk janë në gjendje të trajtojnë nevojat e rinisë në rajon.
"Është e turpshme ajo që na ofron ne qeveria pas gjashtë vjet studimesh, pune të vështirë e durimi. Unë u diplomova në inxhinieri elektrike me një mesatare të lartë dhe në një kohë rekord dhe cila është perspektiva ime sot në Serbi?" thotë Milosh Pavloviç, 24 vjeç, nga Beogradi. "Ne të gjithë shpresuam se me kohë gjërat do të bëheshin më mirë në Serbi, por me sa duket asgjë nuk ka ndryshuar."
Arsimi profesional e teknik në rajon nuk ja del të arrijë tranzicionin shkollë - punë për të rinjtë. Rreth 90% e të diplomuarve të shkollave profesionale në 2003 qenë të papunë nga një në pesë vjet pas diplomimit, sipas Bankës Botërore dhe UNICEF. Në BiH, të diplomuarit kanë shumë më pak shanse të gjejnë punë krahasuar me ata me një arsim të përgjithshëm sekondar.
Pa perspektivë pune, të rinjtë janë të detyruar të kërkojnë mënyra të tjera për krijimin e të ardhurave. Shpesh ata kthehen nga tregu i zi apo veprimtaria kriminale. Në Serbi, brezat e rinj kanë shanse dy herë më shumë të jenë të përfshirë në veprime në tregun e zi krahasuar me të rriturit e tjerë.
Shumë të rinj po lënë gjithashtu vendet e tyre për të gjetur arsim të mirë, punë të paguar mjaftueshëm e për të t'i hyrë një kariere. Kjo "ikje truri" në rajon po bëhet një problem pothuajse aq serioz sa vetë faktori i papunësisë. Në Kosovë, më tepër se gjysma e popullsisë së re po kërkon të emigrojë në Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara apo Kanada me shpresën e gjetjes së një kariere.
Studimet e Bankës Botërore gjetën se problemi i papunësisë së të rinjve mund të zgjidhet duke krijuar më shumë vende pune, të cilat kërkojnë një klimë më të mirë investimi. Pengesat kryesore ndaj investimit dhe rrjedhimisht krijimit të punës, janë rregullat e tepërta të tregut, pengesat administrative dhe taksat e larta, thotë Banka.
Në qoftë se vazhdojnë këto norma të larta papunësie, ato do të prekin dinamikën sociale e ekonomike në mënyra të mbrapshta, që mund të pengojë kërkimin e rajonit për t'i hyrë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.