10/07/2007
Një bashkëpunim i agjensive policore është përgjegjës për masat e sigurisë për 12 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Më tepër se 1,000 vetë nisën të marshojnë drejt qytetit të masakrës më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nga Vlatko Vukotiç për Southeast European Times në Banja Luka -- 10/07/07
![]() Policia e SIPA do të bashkohet me një kontigjent të policëve të Republika Srpska dhe policinë e EUPM për të garantuar sigurinë për përkujtimin e memorialit. [Dosje] |
Një grup prej 1,000 policësh nga Republika Srpska (RS), misioni poilicor i BE (EUPM) dhe Agjensia Shtetërore e Hetimit dhe Sigurimit (SIPA) do të merret me sigurinë në përkujtimin e 12 vjetorit të Srebrenicës në Bosnje dhe Herzegovinë të mërkurën (11 korrik).
Masakra e Srebrenicës, të cilën Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e quajti si genocid, do të përkujtohet nga dhjetra mijra pjesëmarrës duke përfshirë kryeprokuroren e OKB për krimet e luftës Karla del Ponte dhe ish Përfaqësuesin e Lartë në BiH Kristian Shvarc-Shiling. Do të zhvillohet një varrim i mbetjeve të 446 viktimave të masakrës të identifikuar vitin e shkuar.
Siguria për përkujtimin u bë një pikë grindjeje muajin e shkuar kur Shvarc-Shilling njoftoi se çështja do të trajtohet nga shteti në vend të RS që ka qenë e ngarkuar në vitet e mëparshme. Serbët thanë do të refuzonin të zbatonin mandatin.
Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak i cili mori detyrën javën e shkuar, u kërkoi krerëve lokalë të ulin tensionet mbi çështjen. "Do të jetë e dëmshme për shteteasit e BiH në qoftë se dikush nis të ndërtojë një axhendë politike mbi këtë tragjedi," tha diplomati sllovak.
Plani i sigurisë u aktivizua javën e shkuar, ndërsa më tepër se 1,000 vetë duke përfshirë të mbijetuarit e masakrës së 1995, filluan një marshim tre-ditor nga Sapna, pranë Tuzlës, në Srebrenicë. Pjesëmarrësit në marshim do të ndalen pranë secilit nga 39 varret masive të zbuluara pas luftës. Së bashku me shtetasit e BiH, në fushatë janë bashkuar francezë, gjermanë, hollandezë dhe hungarezë.
"Policia Evropiane do të caktojë dhjetë ekipe të lëvizëshme në zonën e Srebrenicës. Këto ekipe do të bashkëpunojnë ngushtë me kolegët e tyre nga policia e RS dhe agjensitë e tjera për zbatimin e ligjit me qëllim që të sigurojnë që të gjitha veprimtaritë do të shkojnë me rregull," tha këshilltari operativ i EUPM për Srebrenicën, Joerge Silkenath.
Pas takimit javën e shkuar me përfaqësuesit e shoqatave të viktimave dhe të mbijeturave, Lajçak tha se kriminelët e Srebrenicës duhet të sillen plotësisht në drejtësi dhe se duhen krijuar kushtet për të gjithë shtetasit që duan të kthehen në një jetë normale.
Përpara përkujtimit të këtij viti, UNDP mbajti një konferencë mbi zhvillimin e Srebrenicës. Federata e BiH, Serbia, Kanadaja, Greqia, Hollanda, këshilli i ministrave i BiH dhe distrikti i Brcko u zotuan në takimin e 3 korrikut për 36.5 milion euro ndihmë për Srebrenicën gjatë tre vjetëve të ardhëshme.
Përveç kësaj, Turqia, Japonia, Pakistani, SHBA dhe Norvegjia njoftuan investime për zhvillimin e Srebrenicës, çështjeve sociale dhe heqjen së minave tokësore.