Vendet e detit të Zi zotohen për bashkëpunim më të thellë

26/06/2007

Zgjerimi i tregtisë dhe bashkëpuninimit për energjinë dhe përtëritja e lidhjeve të transportit qenë midis çështjeve përparësore që krerët e e12 vendeve në organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, diskutuan në një samit në Stamboll.

(Zaman, Nine o'Clock, FT, Deutsche Welle, Itar-Tass, RIA Novosti - 26/06/07; AFP, AP, Reuters, DPA, RFE/RL, VOA, RIA Novosti, Sofia News Agency, Beta - 25/06/07)

photo

Krerët e 12 vendeve në rajonin e detit të Zi u mblodhën në Stamboll të hënën (25 qershor). [Getty Images]

Krerët nga 12 vende në organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) u mblodhën të hënën (25 qershor) në Stamboll për të shënuar 15 vjetorin e grupit në një samit një-ditor pritur nga presidenti turk Ahmet Nexhdet Sezer.

Zgjerimi i tregtisë dhe bashkëpunimit energjitik në rajonin e BSEC kryesoi axhendën e takimit mbajtur midis sigurisë së lartë në pallatin e epokës otomane Ciragan Palace, në qytetin më të madh të Turqisë.

Në fund të bisedimeve, krerët lëshuan një deklaratë që shpreh vendosmërinë e tyre për të konsoliduar rolin e organizatës "si një partner aktiv dhe i besueshëm në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare" dhe për të t'u dalë mbanë sfidave përpara.

Ata u zotuan gjithashtu "të thellojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë...dhe të bashkëpunojnë me BE dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të siguruar akses të ndershëm në burimet e tregjet energjitike në një bazë të ndërsjelltë për të gjitha vendet e interesuara". Ata ranë dakord të rritin bashkëpunimin mbi një projekt për të ndërtuar një unazë 7,500 km që lidh 12 vendet anëtare.

Përveç kësaj, krerët përmendën heqjen e barrierave ligjore të tregtisë si një çështje përparësie. Një takim i posaçëm mbi këtë çështje do të mbahet në shtator.

Ngritur në 1992 pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, BSEC përbëhet nga vendet e detit të Zi Bullgaria, Gjeorgjia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina si dhe vendet fqinjë Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Greqia. Moldavia dhe Serbia.

Duke mbuluar një territor të përgjithshëm prej rreth 20 milion km katrore dhe me një popullsi prej rreth 350 milion banorë, rajoni i BSEC është burimi i dytë më i madh i naftës e gazit natyror pas Gjirit Persik. Ai është gjithashtu një korridor i madh tranziti për furnizimet me naftë e gaz nga Azia qendrore dhe rajoni i detit Kaspik në Evropë.

Përveç Armenisë që dërgoi në samit ministrin e jashtëm, të gjitha vendet e tjera anëtare përfaqësoheshin nga presidentët apo kryeministrat e tyre.

Duke folur në takim, presidenti rus Vladimir Putin theksoi potencialin e madh të rajonit si një rrugë për transportin e naftës dhe gazit në tregjet evropiane.

"Furnizimet me energji janë bërë një faktor gjithnjë e më në rritje në përparim," tha ai. "Ne jemi gati të zgjidhim me partnerët tanë rajonalë detyrat e mëdha që prekin jo vetëm klimën ekonomike në rajon por gjithashtu ekonominë evropiane e botërore."

Ballkani dhe deti i Zi "kanë qenë kurdoherë një sferë e interesave tona të posaçme", u tha më pas Putin gazetarëve . "Dhe është veçse e natyrshme që një Rusi e rilindur të kthehet atje."

Ndërsa kreu rus shprehu kundërshtim ndaj "shtimit të strukturave të reja" ndaj BSEC, presidenti rumun Traian Bashesku kërkoi për bashkëpunim më të madh me BE dhe nismat e tjera rajonale.

Homologu bullgar Georgi Parvanov sugjeroi se blloku 27-vendesh duhet të investojë në zhvillimin e transportit modern, energjisë dhe infrastrukturës së komunikacioneve në rajonin e detit të Zi duke përcaktuar fonde në kuadrin e programeve të tij të zhvillimit rajonal.

Në deklaratën përfundimtare të samitit, Komisionit Evropian ju dha statusi i vëzhguesit.

Duke pranuar se problemet politike midis vendeve anëtare individuale po pengojnë bashkëpunimin ekonomik, dokumenti bëri thirrje për zgjidhjen e tyre paqësore.

Armenia dhe Azerbaixhani nuk kanë zgjidhur ende grindjen e tyre të gjatë rreth territorit të Nagorno-Karabakut, ndërsa Rusia dhe Gjeorgjia janë në mosmarrëveshje rreth rajoneve të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Pikpamjet e kundërta të Serbisë e Shqipërisë lidhur me të ardhmen e Kosovës u bënë gjithashtu të dukëshme në samitin e Strambollit.

"Konfliktet politike përbëjnë një pengesë të rëndësishme në rrugën e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit," tha kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan në një drekë që shtroi të hënën. "Ne duhet të bëjmë përpjekje për të gjetur vetë një zgjidhje ndaj problemeve politike brenda rajonit."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading