04/06/2007
Mbrojtësit e masës thonë se ajo do të tërheqë investitorët e huaj, do të reduktojë evazionin fiskal dhe do të inkurajojë legjislacionin e "ekonomisë gri".
Nga Jonilda Koçi për Southeast European Times në Tiranë – 04/06/07
![]() Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka qenë një mbështetës i patundur i zbatimit të taksës së sheshtë. [Getty Images] |
Në një masë që ka për qëllim krijimin e një klime miqësore për investimin dhe bërjen e ekonomisë më konkurruese, qeveria shqiptare miratoi javën e kaluar një paketë fiskale që përmban zbatimin e taksës së sheshtë prej 10%, niveli më i ulët në Evropën Juglindore. Taksat e korporatave do të jenë gjithashtu në 10%.
"Revolucioni fiskal, duke përfshirë reformën rregullatore, do të jetë më i shpejtë se i parashikuari, duke rritur GDP dhe eksportet," tha kryeministri Sali Berisha pasi ligjet u miratuan në qeveri të mërkurën (30 maj).
Mbrojtësit e masës thonë se ai do të sjellë shumë përfitime. Përveç tërheqjes së Investimit të Huaj të Drejtpërdrejtë, thonë ata, ajo do të inkurajojë legjislacionin e ekonomisë në hije dhe do të thjeshtojë mbledhjen e taksave. Veprimtaria ekonomike rritet dhe bën kështu raportim të ndershëm të të ardhurave, ndërsa evazioni fiskal bie.
Në vendet që kanë zbatuar një taksë të sheshtë, rezultatet tregojnë të ardhura të qëndrueshme apo në rritje të taksave brenda vitit të parë, sipas presidentes së Institutit Adriatik për Politikën Publike Natasha Srdoc-Samy.
Kritikët, megjithatë, thonë se ndryshimet do t'i vlejnë kryesisht biznesit dhe të kamurve, kanë pakë efekt ndaj shumicës së shqiptarëve dhe ndëshkojnë të varfërit. Me shfuqizimin e një sistemi taksimi progresiv, thonë ata, fituesit e të ardhurave të ulta do t'i shohin taksat e tyre të rriten ndërsa një numër i vogël fituesish të të ardhurave të mëdha do të gëzojnë dhuratën nga qielli.
Ndërkohë, shkurtimi më dysh i taksës së korporatës do të thajë buxhetin e shtetit pasi të ardhurat nga kjo taksë aktualisht përbëjnë rreth 8% të të ardhurave të përgjithëshme, argumentojnë kritikët.
Si pjesë e paketës fiskale, qeveria miratoi gjithashtu një ligj që ndalon transaksionet me para në dorë për më shumë se 2,228 euro për bizneset. Transaksionet në kesh do të kufizohen në 10% të çdo transaksioni.
Ligjet janë një "kusht bazë në luftën kundër informalitetit dhe për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar", tha Berisha duke shtuar se nisma "do të kontribuojë në luftën kundër spastrimit të parave".
Qeveria shpreson të zbatojë legjislacionin deri në janar 2008. Megjithatë, atë duhet së pari ta miratojë parlamenti.
Qeveria e kryesuar nga Partia Demokratike ka futur ndërkaq reduktime të ndryshme taksash gjatë dy viteve të fundit. Më e rëndësishme nga to ishte reduktimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore nga bizneset, nga 29% në 20% dhe një ulje e taksave për bizneset e vogla.