Serbia kremton fitoren në Eurovizion

14/05/2007

Beogradi do të presë Eurovizion 2008 pasi këngëtarja serbe Marija Serifoviç fitoi konkurimin e këngës së këtij viti të shtunën mbrëma duke krijuar entuziazëm në vendin e saj.

(Independent, The Guardian, Radio Netherlands - 14/05/07; AP, Reuters, AFP, Bloomberg, B92 - 13/05/07; BBC, Ireland Online, Official Eurovision website - 12/05/07)

photo

Marija Serifoviç (në mes) e Serbisë kremton me grupin e saj pas fitores në finalet e Festivalit të Këngës në Eurovizion të shtunën (12 maja) në Helsinki, Finlandë. [Getty Images]

Rreth 30,000 serbë u mblodhën në qendër të Beogradit të dielën mbrëma (13 maj) për të përshëndetur ardhjen në atdhe të Marija Serifoviç, fituese e Festivalit të Këngës në Eurovizion 2007. Finalja u mbajt në Helsinki Arena të Finlandës një natë më parë.

"Unë fitova për Serbinë, fitova për të gjithë ju!" tha këngëtarja 22-vjeçare në kthimin e saj.

Serifoviç siguroi vendin e parë të vendit të saj në konkurim, me balladën emocionale "Molitva" (Lutje) duke marrë 268 pikë në një votim telefonik të 42 vendeve. Fitorja e saj shënoi debutin e Serbisë në Eurovizion si vend më vete dhe i dha të drejtën asaj të presë konkurimin tjetër në Eurovizion në maj 2008.

"Jam shumë i gëzuar që nuk ishte ndonjë këngë lufte," tha të dielën Aleksandër Tijaniç, kreu i televizionit shtetëror RTS të Serbisë. "Pritja e kësaj veprimtarie në Beograd vitin e ardhshëm do të thotë se ne më në fund kemi kaluar në normalitet."

Serifoviç fitoi çmimin pasi tetë vende, duke përfshirë të gjithë ish republikat jugosllave, i dhanë asaj pikët më të larta të mundshme, 12. Sipas rregullave të garës, shikuesit mund të votojnë për këngët e vendeve të tjera por jo për të tyren.

Fitorja e këngëtares serbe ndaj konkurentëve prej 23 vendeve të tjera, mblodhi turmat në Beograd të shtunën mbrëma. Ligjbërësit që po debatonin ende formimin e një qeverie pro-reformave, ndërprenë sesionin për të duartrokitur fituesen.

"Bravo Marija! E gjithë Serbia është krenare sonte dhe feston falë teje," tha kryeministri Vojislav Koshtunica në një letër këngëtares.

Presidenti Boris Tadiç dhe trashëgimtari i fronit serb, princi Aleksandër e përshëndetën gjithashtu fituesen.

"Kjo ka qenë një votë evropiane për Serbinë evropiane," tha komisioneri i zgjerimit Olli Rehn duke uruar vendin për fitoren e tij.

Serifoviç e përshkroi gjithashtu fitoren e saj si shënimin e një fillimi të ri për vendin e vet.

Unë ndershmërisht mendoj se një kapitull i ri është hapur në Serbi dhe jo vetëm në muzikë," tha ajo. "Kjo fitore është për Serbinë e re."

Festivali i Eurovizionit i cili është mbajtur për vit që nga viti 1956, është mbizotëruar në të shkuarën nga këngëtarët perëndimorë. Këtë vit, megjithatë, interpretuesit evropianë lindorë morën 14 nga 16 vendet e para në finalen e parë nga mbi 100 milion shikues.

Ukrainasja Verka Serduçka, vendi i së cilës fitoi garën e Eurivizionit në 2004, përfundoi e dyta të shtunën. Ajo mori 235 pikë për këngën e saj "Duke kërcyer Lasha Tumbain". Trioja ruse Serebro doli në vendin e tretë me 207 pikë për këngën "Kënga numër 1".

Kenan Dugulu i Turqisë, ishte i katërti me 163 pikë me këngën "Tundu Shekerim". Dyshja bullgare me daulle, Elitsa Todorova dhe Stojan Jankulov dolën të pestët me 157 pikë për pjesën e tyre bazuar në folklor, "Uji".

Nga vendet e tjera të Evropës Juglindore që dolën në finale, Greqia përfundoi e shtata, me 139 pikë, katër vende më lart se Bosnje dhe Herzegovina me 106 pikë. Rumania dhe Maqedonia morën vendet e 13 dhe 14 me respektivisht 84 dhe 73 pikë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading