26/04/2007
Parlamenti Evropian vuri në dukje të mërkurën se mund të jepte miratimin për hyrjen e Kroacisë në BE përpara zgjedhjeve parlamentare të BE të 2009, në qoftë se vendi ka kompletuar bisedimet e tij të pranimit deri atë kohë.
(EurActiv - 26/04/07; AP, HINA, European Parliament - 25/04/07)
![]() Parlamenti Evropian vlerësoi përparimin e Kroacisë dhe i kërkoi asaj të shkojë përpara me ndryshimet e nevojshme. [Dosje] |
Duke vlerësuar Kroacinë për përparimin që ka bërë deri tani në bisedimet e pranimit në BE, Parlamenti Evropian (PE) i kërkoi vendit të mërkurën (25 prill) të rritë përpjekjet drejt kompletimit të suksesshëm të procesit.
Kroacia filloi negociatat e saj të anëtarësimit me Bashkimin në tetor 2005 dhe shpreson se do të jetë në gjendje të bashkohet me bllokun 27-vendesh në 2009. Ajo ka hapur deri tani gjashtë nga 35 kapitujt negociues dhe ka gjasa të shohë të tjera të hapura përpara se Portugalia të marrë presidencën e rradhës nga Gjermania në 1 korrik.
"Kroacia duhet të bëjë çmos të kryejë reformat e domosdoshme në mënyrë që negociatat të përfundojnë në kohë që Parlamenti Evropian të japë pëlqimin e vet përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të BE në qershor 2009," tha PE të mërkurën, në një rezolutë lidhur me një raport mbi përparimin e pranimit të vendit ballkanik në 2006.
Raporti, hartuar nga raportuesi i PE për Kroacinë, Hannes Svoboda vinte në dukje se ndërsa pjesët kryesore të legjislacionit në fusha vendimtare të tilla si administrata publike, administrimi i gjykatave dhe politika anti-korrupsion, qenë miratuar, duheshin më tepër përpjekje në këto fusha apo të tjera.
"Më shumë duhet bërë," citonte AP zëvendësministrin e jashtëm gjerman Gunter Gloser t'i thoshte ligjbërësve të BE. "Korrupsioni është ende një problem serioz. Përpjekjet e reformës duhen përshpejtuar. Ka mjaft punë për Kroacinë."
Duke theksuar se "një ekonomi e hapur e konkurrente tregu është një kërkesë bazë për anëtarësimin në BE," PE i kërkoi Kroacisë të përmbushë objektivat e rëna dakord lidhur me shitjen e ndërmarrjeve me pronësi shtetërore dhe reduktimin e financimeve shtetërore veçanërisht në ndërtimin e anijeve dhe kompanitë e çelikut. Ligjbërësit i kërkuan gjithashtu Zagrebit të fuste masat që do të lejonin shtetasit e BE të blinin pasuri të patundshme. Kroacia duhet të marrë masa për t'i sjellë politikat e saj mjedisore në përputhje me standardet e BE.
Duke theksuar nevojën për bashkëpunimin e plotë të Kroacisë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, ligjbërësit e PE kritikuan Zagrebin që qe ofruar të ndihmonte për pagesën e avokatëve që përfaqësonin gjeneralët e ushtrisë kroate të paditur për krime lufte.
Duke nënvizuar nevojën për një reformë tërësore të sistemit gjyqësor, PE shprehu kritika rreth "prirjes së vazhdueshme midis disa nga personeli gjyqësor kundër shtetasve jo-kroatë," të meta në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe emërimin e stafit gjyqësor.
Ligjbërësit e BE i kërkuan gjithashtu Kroacisë dhe Sllovenisë të bëjnë çdo përpjekje për të zgjidhur ndërsjelltazi mosmarrëveshjet e mbetura të kufirit, duke propozuar se ato do të mbështeten në "mirëbesimin e një pale të tretë" vetëm në qoftë se nuk do të gjendet zgjidhje.
Duke komentuar mbi rezolutën e së mërkurës, kryeministri kroat Ivo Sanader tha se çështja kyçe për Kroacinë ishte të merrte konfirmimin e traktatit të saj të pranimit përpara se të skadonte mandati i PE në qershor 2009.
"Në qoftë se ndodh kjo, do të ishte një sukses i madh për Kroacinë," tha ai.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes