13/03/2007
Tre muaj pas pranimit në BE, koalicioni qeverisës politik është në zgrip të shkatërrimit.
Nga Gelu Trandafir për Southeast European Times në Bukuresht – 13/07/03
![]() Kryeministri Kalin Popesku Tarikeanu (majtas) është grindur shpesh me presidentin Traian Bashesku. [Getty Images] |
Megjithë kundërshtimin e fortë të presidentit Traian Bashesku, kryeministri i Liberalëve Kalin Popesku Tarikeanu ka shtyrë zgjedhjet për Parlamentin Evropian deri në gjysmën e dytë të këtij viti. Një "klimë e papërshtatshme politike e brendshme" do të pengonte debatin serioz mbi çështjet evropiane në fushatën për të zgjedhur 35 parlamentarë rumunë të PE, tha Tarikeanu, duke cituar orvatjet e opozitës për të fajësuar presidentin si edhe kërkesën e Basheskut për ndryshime në sistemin aktual të votimit.
Shumica e analistëve politikë thonë se arsyeja reale është rënia e mbështetjes në publik për Liberalët dhe partitë e opozitës, siç kanë treguar sondazhet e fundit. Të ngatërruara në një luftë politike me presidentin, këto parti nuk kanë qenë në gjendje të përgatitin veten për datën fillestare të zgjedhjeve të PE në 13 maj. Një humbje e mundshme mund të kishte pasoja serioze politike si për Tarikeanun dhe për kreun e opozitës, Partisë Social Demokratike (PSD), Mirçea Geoana.
PSD e përshëndeti shtyrjen si "një vendim racional" ndërsa Partia ultranacionaliste e Rumanisë së Madhe e përkufizoi atë si një "gjest të përgjegjshëm". Por Demokratët, partnerët e koalicionit të Tarikeanut, e kundërshtuan masën . Ata e akuzuan Tarikeanun për marrjen e një "vendimi të njëanshëm në përfitim të PSD".
Ministrat e Partisë Demokratike, Vasile Blaga (i brendshëm) dhe Monika Makovei (e drejtësisë) refuzuan të miratojnë masën e emergjencës së Tarikeanut. Atyre u është kërkuar ose të ndryshojnë mendje ose të lënë kabinetin.
"Një shumicë e re po merr formë prapa skenave," tha Bashesku duke akuzuar Liberalët për "shkelje të parimit kryesor demokratik të dorëzimit të mandatit kur nuk ke më shumicën".
Kabineti i Tarikeanut humbi shumicën e vet të brishtë në parlament dhjetorin e shkuar, por partitë qeverisëse nuk kërkuan zgjedhje të parakohshme. Në vend të kësaj, doli një koalicion i ri i përshkruar nga disa gazetarë si "katrori i zi". Partia e Rumanisë së Madhe, Social Demokratët dhe Konservatorët të gjithë thonë se janë gati të mbështesin kabinetin e Tarikeanut në qoftë se ai përzë ministrat e Basheskut.
Që nga mesi i janarit, ky koalicion heterogjen është përpjekur të fajësojë presidentin Bashesku dhe të sigurojë dorëheqjen e Makoveit. Por ajo ka mbështetjen e komisionerit të drejtësisë të BE Franko Fratini dhe të publikut. Në fund të shkurtit, deri në 1,000 rumunë i bënë ballë shiut e të ftohtit në një tubim anti-korrupsion në Bukuresht duke treguar solidaritet me ministren e sulmuar.
Makovei është parë gjerësisht si arkitektja kryesore e shtysës antikorrupsion që bëri të mundur pranimin e Rumanisë në BE.
Me aleatët e mëparshëm politikë që luftojnë njeri tjetrin dhe kundërshtarët e mëparshëm që flenë bashkë, skena politike e Rumanisë është në një zallahi. Vetëm javë pas hyrjes në BE, e çara në qeveri po e bën të pamundur vazhdimin e reformave dhe luftën kundër korruspionit.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes