09/01/2007
Qarku Brashov i Rumanisë është gati të paguajë ish familjen mbretërore me 60 milion euro për një fortesë të shekullit të 14-të të quajtur "kështjella e Drakulës", me shpresë të rritjes së të ardhurave të turizmit.
(Telegraph, The Scotsman, The New York Times, Nine o'Clock - 09/01/07; Reuters, Bloomberg, HotNews.ro - 08/01/07; The Scotsman - 07/01/07; The Journal News - 28/12/06)
![]() Familja Habsburg do 60 milion euro për kështjellën Bran. [Getty Images] |
Këshilli i qarkut Brashov të Rumanisë po kërkon një kredi dhjetë-vjeçare nga një bankë austriake për të blerë një kështjellë mesjetare transilvane njohur si "kështjella e Drakulës", nga trashëgimtarët e ish familjes mbretërore Hapsburge të vendit.
Pronarët e tanishëm, Dominik von Habsburg, një projektues industrial që jeton në Nju Jork dhe motrat e tij Elisabeth Sandhofer dhe Maria-Magdalena Holzhausen të cilat rrojnë të dyja në Austri, kanë kërkuar 60 milion euro për pronën që zyrtarisht quhet kështjella Bran.
"Ne duam të përfshihemi në kthimin e kështjellës dhe mbajtjen e saj sepse do të ishte një mundësi e mirë për të zhvilluar më tej turizmin," tha të hënën (8 janar) të hënën presidenti i këshillit të qarkut të Brashovit, Aristotel Kankesku. "Kostot janë më të vogla krahasuar me atë ç'mund të përfitojmë. Me qëllim që të blejmë kështjellën, këshilli i qarkut do të paguajë në dy vitet e para 2.7 milion euro dhe pjesa tjetër deri në 60 milion euro do të paguhet nëpërmjet një kredie."
Çdo blerje do të kërkonte miratimin nga të gjithë anëtarët e këshillit. Kankesku tha se shpresonte që kjo të ndodhte në takimin e ardhshëm.
Varur në këmbë të kodrave të maleve Karpate, kështjella i përkiste mbretëreshës Maria të Rumanisë, një mbesë e mbretëreshës britanike Viktoria, deri në 1948, kur u muar nga regjimi komunist i Rumanisë dhe u kthye në muze. Ajo ju kthye stërnipërve të mbretëreshës pranverën e shkuar në bazë të ligjit të kthimit të pronave të vendit. Në dhjetor, von Habsburg vendosi ta ofrojë atë për shitje dhe i propozoi këshillit të Brashov.
Sipas Ministrit rumun të Kulturës dhe Çështjeve Fetare, Adrian Iorgulesku, kjo nuk ishte në përputhje me procedurat e parapara ligjërisht, pasi qeveria ka të drejtën e parë për të blerë kështjellën.
"Oferta e blerjes është e paligjshme pasi ne kemi refuzimin e parë," citonte ministrin të thoshte një raport i së përditëshmes britanike Telegraph të martën. "Këshilli i qarkut të Brashovit mund të mendojë për të blerë kështjellën vetëm pasi ministria e kulturës të thotë se nuk është e interesuar dhe ne nuk e kemi bërë ende ofertën tonë."
E përditshmja rumune në gjuhën angleze Nine o'Clock gjithashtu citoi Jorguleskun të thoshte se nuk mund të kishte diskutime zyrtare mbi shitjen e kështjellës deri sa ministria të merrte një kërkesë me shkrim nga pronarët e saj të tanishëm. "Unë nuk jam kundër mundësisë që kështjella mund të blihet nga këshilli i qarkut të Brashovit në një fazë të mëvonshme, por procedurat ligjore nuk janë respektuar deri tani," shtoi ministri.
Sipas tij, çmimi i kërkuar nga von Habsburg ishte "pandershmërisht i lartë" dhe e tejkalon shumë vlerën reale të kështjellës.
Vendosur rreth 200 km në veri të Bukureshtit dhe e dokumentuar së pari në nëntor 1377, kështjella e Drakulës është një nga tërheqjet më të mëdha turistike të Rumanisë.
Vlad Tepesh, ose Vladi, ngulësi në hu, i cili lindi në 1431 dhe sundoi Vllahinë tre herë midis 1448 dhe 1476, besohet të ketë banuar atje. Konti, i cili fitoi famë të përbotshme nëpërmjet romanit të Bram Stoker në 1897 "Drakula" e mori nofkën e vet për shkak të zakonit të ekzekutimit të turqve të kapur dhe kundërshtarëve të tjerë duke i ngulur në maja hunjsh.
Lia Trandafir, një partnere në firmën ligjore me bazë në Bukuresht, Rubin, Meyer, Doru & Trandafir, e cila përfaqëson pronarët, i tha agjensisë së lajmeve Bloomberg të hënën, se pavarësisht se kush do ta blejë kështjellën, ajo do të mbetet një muze për tre vjet pas blerjes.
"Kjo kështjellë nuk mund të jetë biznes i keq, pavarësisht se kush e ble atë, për shkak të simboleve të lidhura me të," tha Trandafir. "Tani ajo është i vetmi muze në Rumani që financon veten krejtësisht dhe gjithashtu jep një fitim."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes