Greqia, i vetmi vend i SEE renditur si "demokraci e plotë" në indeksin e Ekonomist

24/11/2006

Një sondazh i ri i Njësisë së Inteligjencës së Ekonimist për 167 vende e vë Greqinë midis 28 "demokracive të plota" dhe shtatë vende të tjera të Evropës Juglindore në grupin e "demokracive me të meta". Tre vende të tjera në rajon shihen si "regjime hibride".

(EUobserver, Sofia News Agency, HINA, Makfax - 23/11/06; Bloomberg - 21/11/06; Economist Intelligence Unit)

photo

Nota më të mira për Greqinë janë procesi zgjedhor dhe pluralizmi dhe liritë qytetare ndërsa më e ulta është për pjesëmarrjen politike. [SE Times]

Greqia është i vetmi vend i Evropës Juglindore (SEE) përfshirë në grupin e vendeve më demokratike në botë, sipas një sondazhi të ri lëshuar nga Njësia e Inteligjencës e Ekonomist (EIU) këtë javë.

E renditur e 22-ta midis 165 vendeve dhe dy territoreve të mbikqyrura, Greqia klasifikohet si një "demokraci e plotë" së bashku me 27 vende të tjera. Pjesa tjetër e vendeve futen në tre grupet e tjera të indeksit të demokracisë të EIU, "demokraci me të meta", "regjime hibride" dhe "regjime autoritare".

Indeksi bazohet në rezultatet që u janë dhënë vendeve për 60 tregues në pesë kategori të gjera: procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile.

Për secilën nga këto kategori, vendeve të shqyrtuara u janë dhënë 0 deri në 10 pikë. Indeksi tërësor i demokracisë është mesatarja e thjeshtë e indekseve për të pesë kategoritë. Pothuajse pa përjashtim, rezultatet më të mira të vendeve të SEE janë për kategoritë e procesit zgjedhor dhe pluralizmit dhe për liritë civile.

Me rezultat të përgjithshëm 9.88 dhe notën 10 në katër nga pesë kategoritë, Suedia është vendi i renditur më lart në tabelë.

Klasifikimi i përgjithshëm i Greqisë me 8.13 pikë është pas Belgjikës dhe Japonisë që ndajnë vendin e 20-të dhe përpara Britanisë dhe Francës të renditura respektivisht e 23-a dhe e 24-a. Notat e saj më të mira janë për procesin zgjedhor e pluralizmin (9.58) dhe liritë civile (9.41) ndërsa më e ulta (6.67) është për pjesëmarrjen politike.

Shumica e vendeve të tjera në rajon janë kategorizuar në grupimin e dytë, "demokraci me të meta". Ato kryesohen nga Qipro, e cila u bashkua me BE në maj 2004, së bashku me Poloninë dhe tetë vende të tjera të Evropës Qendrore e Lindore. Ajo ndan vendin e 36-të me Botsvanën në bazë të rezultatit të përgjithshëm prej 7.60.

Si Greqisë ashtu dhe shumicës së vendeve të SEE, Qipros i është dhënë nota më e lartë për procesin zgjedhor dhe pluralizmin dhe liritë civile, 9.17 dhe 9.12 respektivisht. Nota më e ulët, 6.25 është për kulturën politike.

Gjashtë vende të tjera të SEE, Bullgaria (e 49-a), Rumania (e 50-a), Kroacia (e 51-a), Serbia (e 55-a), Mali i Zi (i 58-i) dhe Maqedonia (e 68-a), bien gjithashtu në grupin e "demokracive me të meta".

Rezultati i përgjithshëm i Bullgarisë 7.60 është vetëm 0,04 pikë më i mirë se i fqinjës së saj veriore, Rumanisë. Të dy vendet që do të bashkohen me BE në 1 janar kanë të njëjtat nota , 8.58 dhe 8.53 për procesin zgjedhor dhe për pluralizmin dhe për liritë civile. Të dyja ato kanë notën më të ulët, 5.00 për kulturën politike.

Ndonëse klasifikohet pakëz më mirë se Bullgaria e Rumania në këtë kategori specifike, Kroacia me rezultat të përgjithshëm 7.04, ka gjithashtu notën më të keqe (5.63) për kulturën politike.

Serbisë dhe Malit të Zi u janë dhënë rezultate tërësore respektivisht 6.62 dhe 6.57. Ato kanë të njëjtën notë më të mirë, 9.17 për procesin zgjedhor dhe pluralizmin dhe të njëjtën notë më të keqe, 5.00 për pjesëmarrjen politike.

Maqedonia ka një rezultat të përgjithshëm 6.33. Nota më e ulët e saj, 3.75 është për kulturën politike.

Të renditura në vendin e 83-të, 87-të dhe 88-të respektivisht Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina dhe Turqia janë në 30 vendet e grupit "regjime hibride". Rezultatet e tyre të përgjithshme janë 5.91 për Shqipërinë, 5.78 për Bosnje dhe Herzegovinën dhe 5.70 për Turqinë. Notat e tyre më të larta janë për procesin zgjedhor e pluralizmin. Nota më e keqe për Shqipërinë, 4.44 është për pjesëmarrjen politike, ndërsa më e ulta për BiH është 3.29 për funksionimin e qeverisë. Nota më e ulët 3.75 për Turqinë është për kulturën politike.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading