Bashesku përforcon kontrollin civil të ushtrisë

24/10/2006

Me grindjet në krye që rezultuan në pezullimin e ministrit rumun të mbrojtjes dhe pensionimin e detyruar të shefit të ushtrisë, disa paralajmërojnë se puna e ushtrisë mund të cënohet në qoftë se nuk rivendoset udhëheqja e saj.

Nga Gelu Trandafir për Southeast European Times në Bukuresht – 24/10/06

photo

Presidenti rumunTraian Bashesku thotë se nuk do të tolerojë përzjerjen politike të ushtrisë. [Getty Images]

Duke emëruar një shef të ri shtabi muajin e kaluar, presidenti rumun Traian Bashesku u zotua të mbajë ushtrinë larg politikës. "As për një çast nuk do të toleroj çfardo përfshirje politike nga ushtria," tha ai gjatë një ceremonie për të emëruar nënadmiralin Xhorxhe Marin si shef të ri të shtabit.

Me mosmarrëveshjet midis anëtarëve të koalicionit qeverisës përhapur në institucionet e mbrojtjes, udhëheqja e ushtrisë rumune është bërë tepër e përçarë.

Paraardhësi i Marin, gjenerali Eugen Badalan, qe futur në një grindje të ashpër politike me ministrin e mbrojtjes Teodor Atanasiu të Partisë Liberale, duke e bërë presidentin të paralajmëronte për "një të çarë midis ministrisë dhe ushtrisë".

Badalan i rezistoi kërkesave të Atanasiut për një tërheqje nga Iraku, ndërsa Atanasiu kërkoi shkarkimin e shefit të ushtrisë sepse ai ishte nën hetim në lidhje me një kontratë furnizimi me armë të ushtrisë. Vetë ministri i mbrojtjes ndërkohë, po hetohej për përzjerje të dyshuar në politikë nga inteligjenca e ushtrisë.

Në shtator, presidenti pezulloi Atanasiun dhe detyroi dorëheqjen e Badalan. Megjithatë ai e vlerësoi Badalan për qëndrimin e tij kundërshtues ndaj kërkesës së papritur të Partisë Liberale për tërheqjen nga Iraku. Disa politikanë kishin idenë se "vendimet e partisë mund të transferohen për ekzekutim në ushtri," tha Bashesku.

Ndonse prokurorët përfundimisht vendosën të mos ngrenë akuza ndaj Atanasiut, Bashesku refuzon të heqë urdhërin e pezullimit. Ministri tani po kërkon drejtësi në gjykata duke thënë se ai është ndëshkuar për shkak të pikpamjeve të tij mbi Irakun dhe për shkak se ka shqetësuar "rrjetin e interesave që rrethojnë ministrinë e mbrojtjes".

Opozita Social Demokratike ndërkohë ka kërkuar emërimin e një ministri të ri mbrojtjeje "të aftë për të restauruar urat midis ushtrisë dhe udhëheqjes civile", siç thotë ish kryetari i Komitetit të Mbrojtjes, George Maior.

"Pas vendimit fatkeq për tërheqjen e trupave marrë në selinë e një partie politike, ministri i ri duhet të jetë i aftë të integrojë veten në një proces normal vendim-marrjeje lidhur me politikën e sigurimit kombëtar," i tha Maior SETimes pak përpara se Bashesku ta propozonte atë në krye të Shërbimit të Inteligjencës Rumune.

Iulian Fota, drejtori i Kolegjit të Mbrojtjes Kombëtare thotë se nuk ka krizë brenda ushtrisë. "Planet e modernizimit të ushtrisë janë pjesë afat-gjata, të shtrënguara të angazhimeve tona ndaj NATO. Ato nuk janë vulnerabile ndaj ndryshimeve politike apo të komandës së ushtrisë. Natyrisht, ushtria rumune do të donte që politikanët të njihnin kontributin e saj të madh në pranimin në NATO."

Me mbi 1,000 trupa në Afganistan, Irak e Kosovë, "është vendimtare të kemi një ekip të harmonizuar civil-ushtarak që të drejtojë ministrinë e mbrojtjes", tha Fota. "Një udhëheqje e lëkundur, e cekët politike mund të cënonte punën e ushtrisë."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading