23/10/2006
Legjislacioni mund të ekzistojë, por pa të dhëna të besueshme e të vazhdueshme, lufta kundër krimeve ekonomike në Serbi është dëmtuar ashpër thotë një raport i OSBE.
Nga Georgi Mitev-Santek për Southeast European Times në Beograd -- 23/10/06
![]() Ministria e brendshme serbe është një nga disa institucionet e përfshira në përpjekjet për të luftuar krimin ekonomik. [Getty Images] |
Ndonëse Serbia ka rritur përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet lidhur me të, këto përpjekje janë penguar nga menazhimi i informacionit të pamjaftueshëm dhe problemet në mbledhjen e të dhënave, tha në një raport paraqitur këtë muaj, misioni i OSBE në vend.
Çdo shërbim qeveritar që duhej të ishte një hallkë në luftën kundër të tilla krimeve, nga agjensia e doganave te zyrat e prokurorisë, ka një metodë më vete të regjistrimit të të dhënave. Këto baza të dhënash nuk shkojnë me njera tjetrën, duke e bërë të pamundur ndjekjen e rrugëve të parave, thoshte raporti i titulluar "Pastrimi i parave dhe krimi lidhur me të në Serbi, 2000-2005".
Studimi u përgatit së bashku me Institutin Kërkimor Ndër-rajonal të Krimit dhe Drejtësisë të OKB-së dhe u sponsorizua nga departamentet e shtetit dhe të drejtësisë të SHBA. Autorët qenë Petrus van Duyne, profesor i ligjit penal në Universitetin Tilburg dhe Stefano Donati, këshilltar për krimin industrial me misionin e OSBE në Beograd.
"Mospërputhjet në llogaritë ndërthuren me gjurmimin e keqbërjes ekonomike e financiare," thoshte raporti. Kështu, është e vështirë të vlerësosh volumin dhe ndikimin e krimit ekonomik ose të përcaktrosh me saktësi ato fusha ku të tilla krime janë përqëndruar.
Problemet me të dhënat janë përzjerë me një mungesë ekspertize, thotë ai. Zyrtarët janë të paktë në numër, teknologjikisht të nënpajisur dhe pa nivelin e duhur të dijenive për t'u marrë me kriminelë të aftë dhe skema shumë të sofistikuara mashtruese.
Sipas van Duyne dhe Donati, një hipotezë e besueshme është që ekonomia e jashtëligjshme është e madhe dhe kryesisht e bazuar në paranë e huaj. Sipas statistikave zyrtare, familjet serbe harxhojnë rreth 600 milion euro në vit më tepër se të ardhurat e tyre totale të familjes dhe autoritetet nuk mund të gjykojnë për mospërputhje.
Lojtarët kryesorë në krimin ekonomik mund të gjejnë tregjet e tyre financiare në parajsa të tilla taksash si Qiproja, thonë ata, duke theksuar megjithatë se mungesa e të dhënave e bën të pamundur verifikimin e kësaj.
Qiproja ishte destinacioni i favorizuar për nxjerrjen e parave nga Serbia gjatë kohës së Millosheviçit. Ndonëse ekonomi e bazuar në shërbime të vogla, regjistrimet e transaksioneve tregojnë se ky është një eksportues i madh i mallrave në Serbi, më i madh se Rusia , një vend nga i cili Serbia importon naftën e papërpunuar dhe gazin natyror. Vetëm në 2004, sipas informacionit nga Banka Kombëtare e Serbisë, Qiproja eksportoi 585 milion euro vlerë mallrash në Serbi. Sipas Byrosë Statistikore, kjo shifër është 33 milion euro, ndërsa statsistikat qipriote tregojnë vetëm 1.4 milion euro.
Edhe po të merren parasysh metodat e ndryshme të klasifikimit, studjuesit tregojnë se mospërputhjet janë prapë tepër të mëdha. Qiproja ishte gjithashtu investitori më i madh duke futur 66 milion euro gjatë vitit 2005. Ndonëse nuk mund ta provojnë këtë, kërkuesit e OSBE dyshojnë se pastrimi i parave mund të ishte një forcë shtytëse.
Përmirësimi i ekspertizës dhe bazës së të dhënave kryesonte listën e rekomandimeve të bëra në raport. Të tjera përfshijnë përdorimin e metodave më të mira të analizës dhe sigurimin se personeli është ai që duhet për të mbuluar ngarkesën e punës.
Qeveria ka dërguar sinjale të përzjera rreth angazhimit për t'u marrë me të tilla çështje. Përfaqësues të ministrisë së brendshme refuzuan të dërgonin përfaqësues në një grup ekspertësh për çështjen dhe po kështu nuk u duk as zyra e prokurorit. Përfaqësuesit e Agjensisë së Privatizimit anulluan pjesëmarrjen e tyre në ditën e sesioneve në tryezë të rrumbullakët.