Krerët e vendeve të SEE theksojnë nevojën për unitet në luftën kundër terrorit

12/09/2006

Ndërsa njerëzit anembanë globit u bënë nderime viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara pesë vjet më parë, krerët e Ballkanit u bënë thirrje vendeve anembanë botës të mbeten të bashkuara kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

(Burime të ndryshme -- 11/09/06 - 12/09/06)

photo

Nxënësit shqiptarë të Kosovës përkujtojnë sulmet terroriste të 11 shtatorit në të cilat vdiqën rreth 3,000 vetë. [Laura Hasani]

Ceremonitë përkujtuese në shumë pjesë të botës, duke përfshirë vendet e Evropës Juglindore (SEE) shënuan përvjetorin e pestë të sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington që lanë rreth 3,000 të vdekur.

Krerët e lartë të Rumanisë u bashkuan me disa qindra vetë duke përfshirë diplomatë të lartë të SHBA dhe vendeve të tjera në Bukuresht, në një tubim të hënën përpara Teatrit Kombëtar të kryeqytetit për t'u bërë homazhe viktimave të 11 shtatorit.

Presidenti Traian Bashesku dhe kryeministri Kalin Popesku Tarikeanu dënuan ngjarjet e pesë vjetëve më parë kur rrëmbyesit goditën avionët e linjave ajrore në kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork dhe në Pentagon, pranë Uashingtonit.

"Terrorizmi do që të na kthejë ne të gjithë në viktima të gjalla, të shkatërrojë qytetërimin dhe vlerat në të cilat ne besojmë," tha Tarikeanu. "Ne kemi një përgjegjësi të madhe, përgjegjësinë e lirisë."

Sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, të cilat Tarikeanu i përshkroi si "një piketë tragjike" në historinë botërore, u pasuan nga bomba në shumë vende anembanë globit, duke përfshirë Madridin, Stambollin e Londrën.

Duke u bashkuar me luftën globale kundër terrorizmit, Rumania dhe vendet e tjera të SEE, duke përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë dhe Turqinë, kanë kontribuar me trupa në operacionin e udhëhequr nga NATO në Afganistan, vendi të cilin sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Shefer e përshkroi të hënën si "djepi i 11 shtatorit".

Shërbime e ceremoni përkujtimore që shënonin pesë vjetorin, u mbajtën gjithashtu në Prishtinë, Sarajevë dhe Sofje. Një oficer i pensionuar i inteligjencës ushtarake bullgare, nusja e djalit të të cilit u vra në sulmin ndaj Qendrës Tregtare Botërore, theksoi nevojën për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar në luftën globale kundër terrorizmit.

Duke ju drejtuar një takimi të krerëve aziatikë dhe evropianë në Helsinki, të hënën, kryeministri grek Kostas Karamanlis bëri thirrje për mbështetjen e dialogut ndërfetar si një mjet për t'i bërë ballë kërcënimeve që dalin nga përplasja e kulturave.

"Në këtë rrugë ne mund të forcojmë zërin e të moderuarës dhe të ndihmojmë komunitetin ndërkombëtar për të luftuar injorancën, fanatizmin dhe urrejtjen dhe t'i bëjmë ballë kërcënimeve të tilla si terrorizmi dhe fanatizmi fetar," e citon agjensia greke e lajmeve ANA-MPA të thoshte ai.

Duke folur në një ceremoni në ambasadën e SHBA në Sarajevë, Bosnje dhe Herzegovinë (BiH), kryetari i presidencës Sulejman Tihiç tha se vendi i tij është i vendosur për të dhënë kontributin e tij të plotë brenda koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Bashkëpunimi në rritje në luftën kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit ka shpënë në ngrirjen e pasurive dhe llogarive bankare në BiH dhe Shqipëri të njerëzve që besohet se kanë lidhje me al-Kaedën apo grupe të tjera terroriste dhe ka ndihmuar të dështojnë sulme të reja të mundëshme që do të kishin marrë mijra jetë.

Ndërkohë, një sondazh i German Marshall Fund mbi prirjet transatllantike tregoi se një numër në rritje njerëzish në Shtetet e Bashkuara dhe në 12 vende everopiane, duke përfshirë Bullgarinë, Rumaninë dhe Turqinë, e shohin terrorizmin ndërkombëtar dhe fondamentalizmin islamik si një kërcënim "tejet të rëndësishëm".

Ndërsa kjo pikpamje ndahej nga 58 përqind e evropianëve vitin e kaluar, numri i tyre është rritur në 66 përqind sipas sondazhit të këtij viti. Tabloja ishte e ngjashme në Shtetet e Bashkuara, me 79 përqind të të përgjigjurve që ndajnë këtë pikpamje, nga 72 përqind që ishte vitin e kaluar.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading