17/08/2006
Komisioni evropian tha të mërkurën se do të propozonte futjen e masave të reja të anti-korrupsionit, duke përfshirë kontrollin paraprak të udhëtarëve ajrorë, kufizime të tjera të bagazhit të dorës dhe bllokimin e uebsajteve që nxisin terrorizmin.
(EUobserver, The New York Times, The Times, The Scotsman - 17/08/06; AP, Reuters, AFP, FT, BBC, CNN, VOA, DPA, AKI, International Herald Tribune - 16/08/06)
![]() (Nga e majta): Ministri i Brendshëm i Finlandës, Kari Rajamaki, sekretari për punët e brendshme i Britanisë Xhon Rid dhe nënpresidenti i Komisionit të BE, Franko Fratini mbajtën një konferencë shtypi në zyrën e punëve të brendshme të Britanisë, të mërkurën (16 gusht) në Londër. [Getty Images] |
Më pak se një javë pasi autoritetet britanike thanë se kishin bërë të dështonte një komplot për të hedhur në erë deri në 10 avionë të nisur për në SHBA, BE premtoi të mërkurën (16 gusht) një sërë masash të reja në luftën kundër terrorizmit anembanë bllokut 25-vendesh.
"Ne hasim një kërcënim të vazhdueshëm dhe shumë real anembanë Evropës," tha në një konferencë shtypi sekretari për punët e brendshme i Britanisë, Xhon Rid, pas një takimi urgjent në Londër me disa ministra të brendshëm dhe zyrtarë të BE. "Ky është një kërcënim i vazhdueshëm i cili do të kërkojë...një reagim të vazhdueshëm."
Rid dhe homologët e tij nga Finlanda, Gjermania, Portugalia, Franca dhe Sllovenia, vendet e të cilave do të mbajnë presidencën e rradhës së BE gjatë 30 muajve të ardhshëm, u takuan në Londër për të përcaktuar masat e reja të anti-terrorizmit.
Nënpresidenti i Komisionit Evropian (KE) dhe komisioneri i drejtësisë i BE, Franko Fratini, i cili kërkoi përpjekje "të përbashkëta" në luftën ndaj terrorizmit javën e kaluar dhe koordinatori i anti-terrorit të Bashkimit Gijs de Vries, morën gjithashtu pjesë në diskutimet.
Qeveritë evropiane duhet të bashkërendojnë reagimin e tyre për të siguruar "se nuk është më e lehtë të depërtohet nëpër sigurinë në Paris apo Frankfurt se sa është në Londër," u citua Rid të thoshte.
Zyrtarët e BE ranë dakord se Evropa duhet të forcojë mbrojtjen e vet kundër sulmeve terroriste, duke premtuar të shpejtojnë planet për forcimin e bashkëpunimit midis forcave të inteligjencës së bllokut.
"Ne duhet të përmirësojmë shkëmbimin e të dhënave për pasagjerët që udhëtojnë në aeroplan, të dhënat e emrave të pasagjerëve, si sistemi që përdorim për Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Australinë," tha Fratini, duke premtuar të paraqiste një sërë masash konkrete në një takim jozyrtar të të gjithë ministrave të brendshëm të BE në Finlandë muajin e ardhshëm.
Përveç kufizimeve të reja të bagazhit të dorës dhe futjes së gjurmëve të gishtave apo skanimit të irisit të pasagjerëve të linjave ajrore, komisioneri i drejtësisë pritet të propozojë gjithashtu një shkëmbim të rritur të informacionit të pasagjerëve.
Propozimi i tij do të përqëndrohet gjithashtu në "zbulimin e eksplozivëve, gjurmimin e shpërthyesve komercialë dhe veçanërisht të eksplozivëve të lëngshëm," tha Fratini duke premtuar 350,000 euro për të mbështetur kërkimin për ekspolozivët e lëngshëm.
Gjatë takimit të tyre të mërkurën, zyrtarët e BE ranë dakord se duhen gjetur mjete për bllokimin e uebsajteve që nxisin terrorizmin apo që përmbajnë udhëzime për bërjen e bombave.
Përveç kësaj, Fratini pritet gjithashtu të propozojë që qeveritë evropiane të vendosin bashkëpunim më të afërt me komunitetin musliman në kontinent, për të parandaluar radikalizimin e tij.
"Ne duam një Islam evropian," tha Fratini. "Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për t'u treguar komuniteteve muslimane se ne respektojmë plotësisht fetë e tjera, besimet e tjera, por që gjithashtu ne duam që ata të respektojnë ligjet kombëtare, ligjet evropiane dhe të drejtat bazë, më parë nga të gjitha, të drejtën për jetë."