Turqia mendon rreth kontributit në forcën paqeruajtëse të OKB-së në Liban

15/08/2006

Duke sinjalizuar përsëri gadishmërinë e saj për t'u bashkuar me një forcë paqeruajtëse të udhëhequr nga OKB në Liban, Turqia vendosi të hënën të presë për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që do të hedhë më tepër dritë mbi mandatin e misionit, përpara se të dërgojë trupa.

(The New York Times, The Guardian - 15/08/06; AFP, AP, FT, AKI, EUobserver, NTV MSNBC, Turkish Press, Turkish Daily News, Zama, Hurriyet, Journal of Turkish Weekly - 14/08/06)

photo

Sipas zyrtarëve, Turqia do të dërgojë trupa në Liban pas daljes së një vendimi të ri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. [Getty Images]

Orë pasi hyri në fuqi një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollah, Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan dhe zyrtarët e lartë qeveritarë e ushtarakë u takuan të hënën (14 gusht) për të diskutuar kontributin e mundshëm të vendit ndaj një force paqeruajtëse të propozuar nga OKB në Liban.

Në javët e fundit, Turqia ka shprehur në mënyrë të përsëritur gadishmërinë e vet për t'u bashkuar me misionin ndërkombëtar për të stabilizuar Libanin. Pas gati dy orë diskutimesh, të hënën, megjithatë, zyrtarët vendosën të presin deri sa të sqarohet mandati i forcës përpara se të dërgojnë trupat.

Një deklaratë e dalë pas takimit përshëndeste rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar njëzëri të premten. Turqia, shtonte ajo, po "vlerësonte rolin e vet" në Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) që ka qenë në vend që nga viti 1978 dhe aktualisht numëron 2,000 trupa, por, siç u propozua nga Këshilli, duhet të zgjerohet në 15,000 trupa.

Paqeruajtësit pritet të mbajnë luftëtarët Hezbollah jashtë zonës së gjerë 30 km midis Vijës Blu, kufirit të shënuar midis Izraelit dhe Libanit nga OKB në 1978 dhe lumit Litani në Liban.

Sipas rezolutës së të premtes, qeveria libaneze dhe UNIFIL pritet të nisin vendosjen e forcave të tyre së bashku, kudo në Libanin jugor, paralelisht me tërheqjen e forcave izraelite nga rajoni.

Përpjekje intensive ndërkombëtare janë në udhë për të siguruar angazhimin e trupave dhe vendosjen e mandatit të UNIFIL të zgjeruar.

"Një rezolutë e re që do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në ditët e ardhshme pritet të sjellë më tepër qartësi" lidhur me kushtet e vendosjes së planifikuar, citonte AFP zyrën e Erdogan të thoshte në një deklaratë të hënën. "Turqia do të konsiderojë kontributet e saj të mundshme për të gjetur një zgjidhje të përhershme ndaj problemit (në Liban) në dritën e zhvillimeve."

Takimi në zyrën e Erdogan u ndoq nga Ministri i Jashtëm Abdullah Gul, Ministri i Mbrojtjes Vexhdi Gonul, shefi i shtabit të përgjithshëm që po largphet, Hilmi Ozkok dhe pasuesi i tij, komandanti i forcave tokësore, Jashar Bujukanit, që merr detyrën së shpejti.

Një raport në të përditshmen turke Hurriyet të hënën bënte me dije se Turqia që kishte marrëdhënie miqësore si me Izraelin ashtu dhe me Libanin, po konsideronte kontributin me një forcë jo-luftuese nga 800 në 1,200 trupa me një rol strikt paqeruajtës.

Çdo vendim mbi një kontribut turk në UNIFIL do të kërkojë një dekret të kabinetit dhe miratimin e tij nga parlamenti.

Franca, gjenerali i së cilës, Alen Pelegrini është komandanti aktual i UNIFIL, pritet të marrë përgjegjësinë për forcën pas zgjerimit të saj. Franca thuhet se po planifikon të kontribuojë me kontigjentin më të madh prej rreth 5,000 trupash, ndërsa Italia pritet të dërgojë midis 2,000 e 3,000 trupa. Vende të tjera që po konsiderojnë gjasat e trupave kontribuese përfshijnë Australinë, Finlandën, Indonezinë, Malajzinë, Zelandën e Re, Portugalinë dhe Spanjën.

Britania ka përjashtuar çdo kontribut të rëndësishëm. Gjermania nuk ka vendosur ende por ka thënë se do të kontribuonte vetëm me trupa jo-luftuese.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading