09/08/2006
Një kamë e vjetër më shumë se 5,000 vjeçare dhe më shumë se 500 copëza të tjera ari u gjetën së fundmi nga arkeologët në Bullgarinë qendrore duke hedhur dritë mbi civilizimin e lashtë trak.
(The Independent, UPI - 08/08/06; AP, ABC, Sofia News Agency, Focus News Agency - 07/08/06; Reuters, DPA, BBC, VOA, The Scotsman, Sofia News Agency - 06/08/06)
![]() Një kamë trake prej ari dhe pjesë të një stolie që datojnë që nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit po ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar në Sofje. [Getty Images] |
Një thesar floriri i zbuluar së fundmi, duke përfshirë një kamë të rrallë 5,000 vjeçare, u dërgua të mërkurën (9 gusht) për t'u ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar (NMH) në Sofje.
Kama 16cm dhe 545 copa të një stolie ari trake, që datojnë që prej mijëvjeçarit të tretë para Krishtit, u zbuluan afër fshatit të Bullgarisë qendrore Dabene, rreth 120km në lindje të kryeqytetit, gjatë gërmimeve të drejtuara nga arkeologu Martin Hristov.
"Është me të vërtetë një zbulim sensacional," deklaroi të djelën drejtori i NMH-së Bozhidar Dimitrov, kur u lajmërua gjetja e thesarit. "Kama, e cila besohet se është prej ari dhe platini, ka shumë mundësi ti përkasi një sundimtari trak ose një prifti. Asnjë gjë e ngjashme nuk është gjetur ndonjëherë as në qytetin legjendar të Trojës," shtoi ai.
Kama është e ruajtur mirë dhe është jashtëzakonisht e mprehtë, sa që edhe mund "të rruhesh me të", sipas Dimitrovit.
Gërmimet afër Dabene filluan gati dy vjet më parë mbasi dy arkeologë të NMH-së panë një grua të një fermeri duke mbajtur në qafë një gjerdan të hollë të punuar në flori. Femra i tha atyre se burri i saj e kishte gjetur kur po lëronte me traktorin e tij fushën.
Mbas dhjetë muaj gërmimesh në tre kodrina afër fshatit, arkeologët deklaruan se kishin zbuluar më shumë se 15,500 rruaza dhe unaza të vogla që ishin elementë të pjesëve të ndryshme stolish, të cilat thuhet se janë më shumë se 4,000 vjeçare. Copëzat mund të kenë qenë mbajtur si pjesë e një ceremonie varrimi mbretërore. Zejtari thuhet se ka qenë ekspert -- për shembull, pika ku ngjiten disa prej unazave është e padukshme me një mikroskop të thjeshtë.
Arkeologët supozuan në fillim se kanë gjetur mbetjet e një qendre të përpunimit të metalit. Duke mos gjetur asnjë gjurmë të ndonjë ndërtese ose tempulli në zonën e Dabene, ata tani besojnë se kjo zonë është përdorur për të nderuar perënditë, veçanërisht Gean, perëndeshën e tokës.
"Kodrinat duket se janë pjesë e një kompleksi," tha Hristov. "Disa prej tyre i ngjajnë varreve, ndërsa disa të tjera duken se janë vende rituale ku njerëzit e lashtë groposin dhurata për perënditë."
Sipas disa burimeve, trakët jetuan në Bullgarinë e sotme dhe në pjesë të Greqisë moderne, Rumanisë, Maqedonisë dhe Turqisë midis viteve 4,000 para Krishtit dhe deri në shekullin e tetë pas Krishtit, kur pushtuesit sllavë i asimiluan ata. Të tjerë thonë se ata u asimiluan shumë më shpejt -- rreth vitit 45 pas Krishtit. Megjithëse trakët jetuan në këto toka për të paktën 4,000 vjet, pak dihet mbi civilizimin e tyre misterioz, pasi ata nuk kishin gjuhë të shkruar dhe nuk lanë dëshmi të qëndrueshme.
Disa ekspertë sugjeruan se kama dhe stolitë e floririt të gjetura në Dabene ishin puna e njerëzve që kanë jetuar para trakëve.
Dy vitet e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të frytshme për arkeologët bullgarë. Në më pak se një muaj përpara se të lajmërohej në gusht 2005 thesari prej 15,000 pjesësh nga Dabene, arkeologët zbuluan një koleksion të një thesari unik trak 2,400 vjeçar prej 50 pjesësh, duke përfshirë një kurorë ari me një imazh të perëndeshës greke Nike.
Në 2004, një maskë floriri e plotë në masën e një pjate dreke, e ngjashme me "Maskën e Agamemnonit" të zbuluar nga Shlieman në Trojë, u zbulua në Bullgarinë qendrore.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes