Koshtunica deklaron se Kosova është më e rëndësishme se anëtarësimi në BE

01/08/2006

Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës edhe sikur të cënohet rezultati i ofertës së saj për në BE, i deklaroi një të përditshmeje të Beogradit kryeministri Vojisllav Koshtunica.

(EUobserver, Blic - 01/08/06; AP, Reuters, BBC, CNN, AKI, Radio B92, Beta - 31/07/06)

photo

Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica deklaron se Beogradi mund të bjerë dakort për një "autonomi të konsiderueshme" por jo për pavarësinë e Kosovës. [Getty Images]

Serbia nuk do të pranojë pavarsinë si një zgjidhje për çështjen e statusit të Kosovës, edhe sikur të cënohet rezultati i ofertës së saj të antarësimit, tha kryeministri Vojisllav Koshtunica në një intervistë të publikuar të hënën (31 korrik).

"Serbia do të refuzojë një zgjidhje që ja merr Kosovën Serbisë dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të vazhdojë ta konsiderojë Kosovën pjesë të territorit të saj," i tha ai të përditshmes së Beogradit Danas.

Sipas Koshtunicës, disa nga komuniteti ndërkombëtar kanë sugjeruar që Serbia të heqi dorë nga Kosova në interes të anëtarësimit në BE. Ndërkohë që hyrja në Bashkim kërkon përmbushjen e disa kushteve, ato nuk përfshijnë "konçesione të territorit," tha kryeministri.

Legalisht pjesë e Serbisë, Kosova ka qenë nën administrimin e OKB-së që nga qershori 1999, kur një ndërhyrje 78-ditore e NATO-s i dha fund dylyftimeve midis luftëtarëve kosovarë shqipëtarë dhe forcave serbe të akuzuara për spastrim etnik në provincë.

Konflikti i viteve 1998-1999 shkaktoi 10,000 kosovarë shqiptarë të vdekur dhe detyroi rreth 800,000 të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Sot, janë rreth 100,000 etnik serbë që jetojnë akoma në provincë, ku shumica etnike shqiptare numëron 90 për qind të popullsisë së saj prej 2 milion.

Bisedimet e drejtuara nga OKB-ja për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës -- duke përfshirë një takim të nivelit të lartë në 24 korrik -- nuk kanë arritur akoma ndonjë rezultat të rëndësishëm. Të dyja palët ndodhen larg, në pozicionet e tyre, me kosovarët shqiptarë që thonë se ata nuk do të pranojnë kufizim të pavarësisë dhe Serbia që insiston se do të bjerë dakort vetëm me "autonominë e zgjeruar".

Duke cituar diplomatët perëndimorë, Rojters raportoi se forcat kryesore të përfshira në procesin e statusit shohin alternativë të vogël ndaj pavarësisë me mbikqyrjen e BE-së dhe NATO-s në vitet që vijojnë.

I dërguari special i OKB-së Marti Ahtisari thuhet se parashikon të flasi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në shtator mbi negociatat e statusit. Në qoftë se një marrëveshje nuk arrihet, Këshilli i Sigurimit nuk mund të imponojë një zgjidhje.

"Pozicioni i Serbisë është duke përsëritur që Kosova është pjesë e Serbisë," tha Koshtunica. "Kjo nuk është një retorikë boshe, por një formulim ligjor dhe kushtetor."

Por ai e distancoi veten e tij nga një deklaratë e fundit e Tomisllav Nikoliç, zëvendës-kryetari i Partisë Serbe Radikale ultranacionaliste, i cili tha se Serbia duhet "të luftojë për Kosovën" në se provinca fiton pavarsinë.

"Kështu që Serbia bazohet vetëm mbi argumenta ligjore, jo në dhunë," tha Koshtunica. "Kjo është dhe mënyra si do të veprojë në të ardhmen."

Ministri i mbrojtjes serb Zoran Stankoviç deklaroi të hënën se ushtria nuk po përgatitet për luftë në përgjigje të ndarjes së mundshme të Kosovës. "Ne nuk po mendojmë as për konflikt të armatosur, as nuk kemi ndërmend të përgatisimi forcat e armatosura për pjesmarrje aktive në konflikte të armatosura," tha ministri gjatë një vizite në Novi Sad.

Ndërkohë, raundi i ardhshëm dy-ditor i bisedimeve mbi Kosovën është programuar të fillojë në 7 gusht dhe pritet të fokusohet mbi reformën lokale dhe të drejtat e minoriteteve.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading