19/07/2006
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku raportoi në parlament mbi 100 ditët e tij të para në detyrë, por politikanët e opozitës bojkotuan sesionin rreth një debati procedurial. Ndërkohë, qytetarët në Prishtinë peshojnë administratën e Çekut.
Nga Blerta Foniqi për Southeast European Times në Prishtinë – 19/07/06
![]() Kryeministri i Kosovës Agim Çeku. [Getty Images] |
Ligjbërësit e Kosovës dëgjuan javën e shkuar raportin e Kryeministrit Agim Çeku mbi 100 ditët e qeverisë së tij. Shumica e raportit të tij përqëndrohej në zbatimin e standardeve të vëna nga OKB.
Rezultate të rëndësishme janë arritur gjatë tre muajve të fundit, tha kryeministri duke shtuar se Kosova "është shumë e përgatitur të përballet me stadin e parë të periudhës së pas-statusit". Qeveria e tij po punon intensivisht për të përmbushur standardet, për të rritur sigurinë dhe për të finalizuar statusin e Kosovës, tha Çeku.
Partitë opozitare bojkotuan paraqitjen megjithatë, për shkak se propozimi i tyre për t'i dhënë çdo anëtari dhjetë minuta për diskutim, nuk u miratua.
"Çdo deputet duhet të ketë një mundësi për të folur apo për të bërë një koment mbi raportin e Çekut, të paktën dhjetë minuta. Për ne, dy orë për të gjithë diskutimin është shumë pak," tha Jakup Krasniqi, kreu i grupit parlamentar të PDK.
Sipas kryeministrit, bojkotimi do të thotë një mundësi e humbur për të ofruar koment të rëndësishëm.
"Ne nuk jemi të interesuar të dëgjojmë vetëm lavdërime," tha Çeku . "Është shumë e rëndësishme për ne të dëgjojmë kritikat e tyre, që të mund ta dimë se ku kemi dështuar e ku kemi patur sukses," tha ai pas sesionit të 13 korrikut.
Qytetarët në Prishtinë, ndërkohë kanë propozimet e tyre për administratën e Çekut. "Kryeministri duhet të raportojë çdo muaj në parlament mbi punën e qeverisë... Raporti i tij duhet të jetë më specifik," thotë mësuesi i shkollës fillore Ibush Jonuzi.
Flokëtarja Magbule Kamberi është dakord. "Kryeministri nuk duhet të tregojë vetëm sukseset por edhe dështimet ," thotë ajo. "Mendoj se çdo muaj jo vetëm kryeministri por i gjithë kabineti, duhet të na ofrojnë informacion të rëndësishëm, veçanërisht tani, pasi kjo është një kohë vendimtare për Kosovën."
Sipas Kamberit, kryeministri duhet të organizojë gjithashtu debate publike me shtetasit e Kosovës. "Në këto debate, unë mendoj se raporti mbi punën e qeverisë mund të diskutohej në mënyrë më të posaçme," shton ajo.
Të tjerë, megjithatë, thonë se Çeku dhe kabineti i tij po veprojnë kurdoherë në mënyrë shumë transparente. Një qeverie i nevojitet mëvetësia që të funksionojë efektivisht, thotë Jetullah Gashi, dhe nuk mund të pritet që ajo të nxjerrë në shesh gjithshka.
Disa qytetarë janë thjesht indiferentë kur vjen puna te çështjet politike. "Unë nuk jam i interesuar të di se çfarë ndodh në parlament," thotë Bejtush Xhemajli i cili punon në një dyqan të vogël pranë selisë së UNMIK-ut. "Unë jam fermer, dhe jam i interesuar vetëm në fushën time."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes