13/07/2006
Duke shënuar 150 vjetorin e lindjes së Nikola Teslës, Kroacia dhe Serbia organizuan një përkujtim të përbashkët të shkencëtarit të madh, një serb etnik që ka lindur në Kroaci.
Nga Kristina Çuk në Zagreb dhe Georgi Mitev-Shantek në Beograd për Southeast European Times -- 13/07/06
![]() Një monument i sapongritur i shkencëtarit Nikola Tesla qëndron në fshatin e tij të lindjes, në Smiljan, 200 km në jug të Zagrebit, ndërsa qindra vetë mblidhen për të parë qendrën e re përkujtimore. [Getty Images] |
UNESKO nuk mund të ishte më korrekte se sa kur shpalli 2006 si vitin e Nikola Teslës. Veprimtari anembanë botës kanë përkujtuar arritjet e tij.
Në prill, Universiteti i Kolumbias mbajti një simpozium. OKB sponsorizoi në qershor një ekspozitë në Grac, ku Tesla studjoi nga 1875 në 1878. Po atë muaj, çdo familje në Australinë perëndimore gjeti një letër mbi Nikola Teslën futur në faturat e tyre të elektricitetit. Më së fundmi, në 9 korrik, në Niagara Falls u zbulua memoriali i Nikola Teslës, ku shkencëtari ndërtoi hidrocentralin e tij të famshëm.
Për të mos mbetur pas, Kroacia dhe Serbia organizuan një kremtim të posaçëm në fshatin e lindjes së Teslës në Smiljan. Qindra serbë e kroatë lanë mënjanë historinë dhe u mblodhën të përkujtojnë njeriun e madh. Veprimtaritë festive përfshinin përurimin e një qendre të re multimedie, që i bëri miqtë të shihnin punimet shkencore dhe patentat e Teslës.
Presidenti kroat Stipe Mesiç, Kryeministri Ivo Sanader, Presidenti serb Boris Tadiç dhe ambasadori i SHBA në Kroaci, Robert Bradke qenë midis shumë zyrtarëve që ndoqën hapjen e qendrës.
"Ai është trashëgimia jonë e përbashkët, një serb i lindur në Kroaci, që nuk deshi konflikte etnike," tha Tadiç. "Por e kaluara jonë nuk ka qenë gjithmonë e lavdishme. Sot ne kemi një përgjegjësi të përbashkët t'u ofrojmë shtetasve tanë një vizion të ri."
"Tesla është një fanar drita e të cilit ka nisur të ndriçojë 150 vjet më parë në Smiljan dhe vazhdon të ndrisë sot anembanë botës, përtej kufijve dhe kohës," tha Mesiç.
Në këtë mënyrë, Kroacia dhe Serbia nderojnë një shpikës që ndriçoi shekullin e revolucionit industrial dhe tregoi se gjeniu shkon përtej fesë dhe kombësisë.
Gjithashtu si pjesë e kremtimeve, Banka Qendrore e Serbisë botoi monedha të posaçme dhe pulla poste për rastin dhe aeroportit të Beogradit ju vu emri në nderim të "njeriut që shpiku shekullin e 20-të," siç e kanë quajtur disa atë.
Teslës (1856-1943) i njihet merita për parimin e fushës magnetike rrotulluese, motorët me induksion, komunikimin pa tel, dritat fluoreshente dhe mbi 700 patenta të tjera. Ai u bë i vetmi shkencëtar nga Ballkani emri i të cilit është përdorur si një njësi në sistemin ndërkombëtar të matjeve.
Kur Tesla i foli një gazetari mbi njëqind vjet më parë dhe tha se në të ardhmen e afërt çdo person do të kishte një kuti të vogël e cila do ta lejonte të komunikonte me cilindo tjetër, atë e qeshën.
Sot, që nga biznesmenët tek nxënësit e shkollave të mesme që përdorin teknologjinë e sofistikuar të telefonisë celulare, parashikimi i tij u vërtetua.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes