UNICEF i kërkon Shqipërisë të bëjë më shumë për të drejtat e fëmijëve

29/06/2006

Shumë të rinj në Shqipëri ndeshen me varfërinë, diskriminimin dhe mungesën e mundësive, sipas një raporti të fundit. Problemi është veçanërisht i mprehtë në zonat rurale dhe midis romëve të vendit.

Nga Erlis Selimaj për Southeast European Times në Tiranë – 29/06/06

photo

Fëmijët pa shtëpi flenë në trotuar në Tiranë. Sipas UNICEF, më tepër se 290,000 fëmijë në Shqipëri janë prekur nga varfëria e diskriminimi. [Getty Images]

Në raport me popullsinë e saj, Shqipëria është konsideruar vendi më i ri në Evropë, me 34 përqind nën moshën 18 vjeç. Dhe sipas UNICEF, një numër alarmues të rinjsh shqiptarë po rrojnë në kushte nën standard.

Në një raport të fundit, agjensia e OKB-së gjeti se Shqipërisë i mungojnë politikat sociale për të mbrojtur fëmijët nga varfëria, diskriminimi dhe përjashtimi shoqëror. Shumë fëmijë duhet të punojnë me orë të zgjatura ose të lypin për të jetuar dhe disa trafikohen në Greqinë fqinjë për të punuar ilegalisht, thotë raporti.

Sipas UNICEF, më tepër se 290,000 fëmijë (rreth 33 përqind) janë prekur nga varfëria e diskriminimi. Fëmijët nga pakica rome e vendit janë më keq, po ashtu fëmijët që jetojnë në zonat rurale e malore. Dukuria e gjakmarrjes po kontribuon në këtë gjë, thoshte UNICEF i cili gjeti gjithashtu se akoma nuk ka politika efektive qeveritare dhe legjislacion për këtë.

"Përjashtimi i një farë kategorie fëmijësh në Shqipëri vjen si rezultat i varfërisë, lëvizjeve migratore, dobësisë së qeverisjes dhe mungesës së një ligji të duhur e të kompletuar. Nga këto arsye, fëmijët kanë pak mundësi për t'u arsimuar. Midis fëmijëve të varfër, vetëm dy në dhjetë regjistrohen për shkollën e mesme," thoshte në raport agjensia.

Mesatarisht, fëmijët romë marrin vetëm katër vite shkolle, gjente raporti.

Shumë fëmijë midis moshave 12 dhe 17 janë të detyruar të punojnë deri në shtatë orë në ditë, gjashtë ditë në javë, gjë që shpie në ndërprerjen apo braktisjen e arsimimit, sipas UNICEF.

Presidenti shqiptar Alfred Moisiu ka theksuar nevojën për t'i bërë të drejtat e fëmijëve një përparësi, duke bërë thirrje për një "sistem unik social e kombëtar" që do të garantonte menjëherë të drejtat ligjore të të rinjve ndërsa trajtonte shkaqet kryesore të pabarazisë: varfërinë e skajshme, papunësinë, qeverisjen e dobët, krimin e organizuar, punën e fëmijëve dhe braktisjen e shkollave, veçanërisht në zonat rurale.

Qeveria po rregulllon strategjinë kombëtare për fëmijët e vendit, hartuar fillimisht pesë vjet më parë. Një nga hapat më të rëndësishëm të përshkruar në strategji është ngritja e një strukture shtetërore të posaçme për të mbikqyrur të drejtat e fëmijëve.

Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë gjithashtu me vendet fqinje për të trajtuar problemin e trafikimit të fëmijëve. Në shkurt, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje dypalëshe të pritur gjatë, mbi çështjen.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading