31/03/2006
Referendumi i pavarësisë i Malit të Zi do të mbahet sipas kritereve të rrepta që duan të sigurojnë se rezultatet janë vendimtare dhe të parandalojnë çdo instabilitet të mundshëm.
Nga Antonela Arhin për Southeast European Times – 31/03/06
![]() Kryeministri malazes Milo Gjukanoviç i kundërshtoi propozimet e BE si "jodemokratike". [Getty Images] |
Ndërsa Mali i Zi përhet gati për një referendum që do të vendosë në se do të bëhet i pavarur apo do të mbetet pjesë e një bashkimi shtetëror me Serbinë, ankthe të konsiderueshme rrethojnë përfundimin. Ndonëse sondazhet tregojnë se përkrahësit e pavarësisë janë më të shumtë se kundërshtarët, mbetet për të parë në se vota "po" do të kalojë pragun e kërkuar.
Votimi, që do të mbahet në 21 maj, do të vërë përpara votuesve një pyetje të vetme" "Doni që Mali i Zi të jetë një vend i pavarur me njohje të plotë ndërkombëtare?" Që pavarësia të fitojë, numri i votave "po" duhet të kalojë 55 përqind dhe pjesëmarrja duhet të jetë mbi 50 përqind e votuesve të regjistruar të Malit të Zi.
Kushtet e referendumit, miratuar nga parlamenti në 1 mars, u përpunuan në negociatat me BE, e cila është e dëshëruar të sigurojë që rezultatet janë vendimtare dhe të parandalojë çdo instabilitet të mundshëm. Kushtet për pavarësinë janë tepër më të shtrënguara se sa ato të kërkuara fillimisht nga kryeministri pro-pavarësisë Milo Gjukanoviç.
Gjukanoviç kishte kritikuar ashpër formulën e BE si "jodemokratike" dhe kishte thënë se një votë "po" midis 25 dhe 40 përqind të pjesëmarrësve do të mjaftonte për të bërë përfundimin e referendumit të vlefshëm. Mali i Zi ka 466,079 votuews të mundshëm nga një popullsi totale prej 600,000.
Mospranimi i propozimit të BE, megjithatë do t'i hapte derën një kundërshtimi nga Brukseli të përfundimit dhe debatit mbi legjitimitetin e tij.
Një raport i fundit nga Transitions Online përfundonte se, ndërsa shumica e malazezëve favorizojnë ndarjen nga bashkimi shtetëror, qeveria ndeshet me një betejë të vështirë.
"Edhe pa formulën e BE, pavarësia do të kishte nevojë për më tepër vota se çështja, dhe partitë e angazhuara për të, nuk kanë fituar ndonjëherë (rreth 38,000 më shumë, për të qenë të saktë). Përveç sigurimit të një shumice të qartë në favor të pavarësisë, qeverisë i duhet gjithashtu të bindë shumë votues të marrin pjesë . Dhe BE e ka bërë të qartë se çdo votim i bojkotuar nga opozita nuk do të ishte i vlefshëm," thoshte raporti.
Një sondazh në janar gjeti se 41.4 përqind e malazezëve përkrahin pavarësinë ndërsa 32.3 përqind janë kundër saj kurse 25 përqind janë të pavendosur.
Vendet fqinjë kanë thënë se do të respektojnë çdo përfundim që është demokratik e i rregullt dhe disa kanë treguar se do të mbështesin një Mal të Zi të pavarur.
Duke ju drejtuar forumit të Krans Montanës në shkurt, Kryeministri boshnjak Adnan Terziç tha se ai do të mbështeste plotësisht shtetin malazes në se kjo do të thoshte një udhë më e shpejtë drejt stabilitetit rajonal.
Kryeministri maqedonas Vlado Buçkovski, ndërkohë, tha se Maqedonia do të mbështeste çfarëdo që të vendosnin shtetasit malazezë sa kohë që kjo arrihej në një mënyrë demokratike dhe të kishte një efekt stabilizues për rajonin si të tërë. I gjithë Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Malin e Zi, është në një pikë kthese historike lidhur me perspektivën e tij evropiane, shtoi ai.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes