Udhëtimi pa viza ende një ëndërr për shtetasit e Serbi-Malit të Zi

22/03/2006

Megjithë përparimin në rrugën për anëtarësimin në BE, mbetet e paqartë kur Serbi-Mali i Zi mund të përftojë një regjim të lehtësuar të vizave për të udhëtuar në vendet e Shengenit.

Nga Jelena Tusup për Southeast European Times në Beograd – 22/03/06

photo

Shtetasve të Serbi-Malit të Zi u nevojiten viza për të udhëtuar në shumicën e vendeve në botë. [AFP]

Ndonëse Serbia-Mali i Zi ka nisur bisedimet me BE mbi një marrëveshje stabilizimi dhe shoqërimi (SAA), mbetet e paqartë se kur shtetasit e vendit mund të fitojnë të drejtën të udhëtojnë pa vizë në vendet e Shengenit. Politikanët thonë se po bëjnë gjithshka munden, por disa janë të gatshëm të hamendësojnë rreth periudhës kohore.

Milan Parivodiç, Ministri serb i Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, shpreson se kjo do të ndodhë më 2007. Ish ministri i jashtëm Goran Sviljanoviç, megjithatë, është më pak optimist. "Unë besoja se Serbi-Malit të Zi do t'i hiqej regjimi i vizave nëpërmjet aktit të nënshkrimit të një SAA me BE. Kjo nuk do të ndodhë," thotë ai.

Janë pesë kategori kushtesh që Serbi-Mali i Zi duhet të përmbushë me qëllim që të aplikojë për t'u bashkuar me listën e "Shengenit të bardhë": kontrolli i efektshëm kufitar, një situatë e qëndrueshme politike e ekonomike, bashkëpunimi me BE, marrëdhënie të mira me vendet fqinje dhe eliminimi i regjimit të vizave për vendet e BE. Ky kusht i fundit është i vetmi që Serbi-Mali i Zi ka përmbushur plotësisht, duke hequr vizat për 40 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Në fusha të tjera, të dy republikat përbërëse kanë arritur nivele të ndryshme përparimi. Për shembull, policia në Malin e Zi ka marrë përsipër nga ushtria kontrollin kufitar, ndërsa në Serbi procesi mezi ka filluar.

Për shkak se përqasja e "rrugës së dyfishtë" të BE nuk aplikohet për çështjet e kufirit dhe të vizave, komunikimi dhe bashkëpunimi më i mirë midis republikave është vendimtar, thotë Vlada Ljubojeviç e ministrisë së jashtme. Por një bashkëpunim i tillë është provuar bishtnues. Duhet të hyjnë në veprim ligjet e duhura nga parlamenti federal por organizmi i mban shumë rrallë sesionet dhe kur e bën atë, punon shumë ngadalë dhe i ndikuar politikisht.

Për tani, shtetasit e Serbi-Malit të Zi janë në gjendje të hyjnë në Shqipëri, Bosnjë dhe Herzegovinë, Kroaci dhe Maqedoni pa viza. Jashtë rajonit, lista e vendeve ku ata nuk kanë nevojë për vizë është e shkurtër, Ajo përfshin Kubën, Rusinë, Tunizinë dhe pak të tjera.

Disa thonë se problemi më i madh, lidhur me vizat, është numri i madh i shtetasve të Serbi-Malit të Zi, duke përfshirë shumë nga Kosova, që janë në BE ilegalisht apo kërkojnë strehim politik. Sipas Bernhard Hauer i ambasadës gjermane në Beograd, në Gjermani vetëm janë 100,000 vetë nga Serbi-Mali i Zi që nuk kanë leje qëndrimi dhe secili nga ta i kushton Gjermanisë rreth 600 euro në muaj.

Ndërkaq, 68 përqind e studentëve serbë nuk kanë qenë kurrë jashtë Serbisë. Kjo mund të ndryshojë vitin e ardhshëm, nga që Komisioni për Ballkanin ka sugjeruar që Brukseli të aplikojë regjimin SMART të vizave, që do ta bënte më të lehtë për disa grupe shtetasish të udhëtonin. Studentët, artistët, atletët dhe anëtarët e komunitetit të biznesit nga Serbi-Mali i Zi do të merrnin më lehtë e më shpejt viza Shengen, në rast se aplikohej programi.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading