02/02/2006
Atomstroiexport e Rusisë dhe kompania çeke Skoda Alliance kanë dërguar ofertat e tyre për ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Bullgarisë në Belene. Ofruesi fitues për projektin 2 miliard euro pritet të shpallet për rreth gjashtë muaj.
(Standart, Novinar, Trud, Dnevnik, The Moscow Times - 02/02/06; Sofia News Agency, Interactive Investor, Dnevnik, Mediapool, Sofia Echo - 01/02/06)
![]() Pavarësisht se cila ofertë fiton tenderin për kompletimin e centralit bërthamor të Bullgarisë në Belene, ai do të kontrollohet nga Gazprom i Rusisë. [AFP] |
Dy kompani kanë dërguar ofertat për ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Bullgarisë (NPP) në qytetin Belene në Danub, rreth 250 km në verilindje të Sofjes. Fituesi i projektit që vlerësohet se kushton rreth 2 miliard euro, do të shpallet deri në 1 gusht.
Kompania çeke Skoda Alliance shkarkoi 29 konteinera metalikë me një gjysmë toni dokumentacion në Sofje të mërkurën (1 shkurt), ndërsa Atomstroiexport i Rusisë solli 177 kuti me tre ton dokumentacion pasditen e mëparshme. Secila nga kompanitë ka dërguar oferta të ndryshme për tre skenarë të ndryshëm projekti.
Ndërsa ofertat u hapën zyrtarisht të mërkurën, Julian Zheljazkov i Kompanisë Kombëtare Bullgare të Elektricitetit (NEK) i cili kryeson komisionin e tenderit të NPP Belene, tha se proceduart e vlerësimit kishin gjasa të kompletoheshin në më pak se gjashtë muaj kohë. Pas kësaj komisioni do të paraqesë vlerësimin e tij në bordin e drejtorëve të NEK i cili do të shpallë ofruesin fitues. Ndërkohë, secila nga kompanitë do të lejohet të ndryshojë parametrat e ofertave të veta.
Komisioni i tenderit do të ndihmohet nga këshilltarë prej Deloitte and Parsons.
Sipas raporteve të shtypit lokal, megjithatë, pavarësisht se cila kompani zgjidhet, ajo do të kontrollohet në të njëjtën shkallë nga gjigandi rus Gazprom. Banka e tij është thënë se ka blerë së fundmi Skoda JS e cila është pjesë e konsorciumit Skoda Alliance. Gazprom zotëron gjithashtu 51 përqind të Atomstroiexport, e cila do të përdorë kompaninë franceze Framatome si një subkontraktor.
Kushtet që ofruesit potencialë duhej të përmbushnin përfshinin një prodhim vjetor të paktën 5 miliard $ dhe përvojë të mëparshme në komisionimin e reaktorëve me ujë nën presion.
Projekti i ri NPP parashikon ndërtimin e dy reaktorëve WER, modele ruse, prej 1,000 megawat secili, njëlloj si njësitë 5 dhe 6 në NPP Kozlodui në Bullgari dhe NPP Temelin në Çeki.
Atomic Energy Canada Ltd e Kanadasë kishte propozuar të furnizonte dy reaktorë me ujë të rëndë 700 Megawat CANDU, por u tërhoq nga tenderi pasi Bullgaria vendosi kundër kësaj teknologjie.
Duke kërkuar të kompensojë një rënie të pritshme në prodhimin e elektricitetit në vend pas mbylljes së planifikuar të dy reaktorëve të epokës sovjetike 440 megawat në NPP të Kozloduit në dhjetor 2006 dhe për të ndihmuar mbajtjen e saj në pozicionin kryesues në tregun rajonal të energjisë, Bullgaria hapi dritën jeshile për centralin e Belenes në prillin e kaluar.
Aktualisht, Kozlodui llogaritet për rreth 40 përqind të prodhimit të përgjithshëm të elektricitetit të Bullgarisë.
Projekti i Belenes u nis së pari në 1986, por u pezullua në 1991, për shkak të problemeve financiare dhe presionit të grupeve ambientaliste. Deri atë kohë, Bullgaria kishte shpenzuar mbi 1 miliard euro në ndërtimin dhe blerjen e një reaktori Skoda 1,000 megawat.
I pari nga të dy reaktorët pritet të hyjë në veprim deri në vitin 2011 dhe i dyti në 2013. E përditshmja e Sofjes Trud citon përfaqësuesit e të dy kompanive që ngulmonin të mërkurën se, por të zgjidheshin ata, çmimi i elektricitetit do të ishte "mjaft i ulët".
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes