10/01/2006
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer i kërkoi Bosnjë dhe Herzegovinës dhe Serbi-Malit të Zi të hënën të arrestonin të fshehurit për krime lufte Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç deri në fund të vitit, në mënyrë që të mund të ndërtonin lidhje më të ngushta me Aleancën.
(Reuters, Beta - 09/01/06; Reuters - 03/01/06; AP, Washington File - 30/12/05)
![]() "Unë sinqerisht shpresoj se 2006 është viti që Serbi-Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Herzegovina përmbushin kriterin për Partneritetin për Paqe [të NATO]. Kjo duhej të ishte bërë prej kohësh," tha shefi i NATO-s Jap de Hop Shefer. [AFP] |
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer shprehu shpresën të hënën (9 janar) se Bosnjë dhe Herzegovina (BiH) dhe Serbi-Mali i Zi do të qenë në gjendje të nisnin ndërtimin e lidhjeve më të afërta me Aleancën këtë vit.
"Unë sinqerisht shpresoj se 2006 është viti që Serbi-Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Herzegovina përmbushin kriterin për bashkimin në Partneritetin për Paqe (PfP) të NATO-s," tha de Hop Shefer të hënën në një pritje tradicionale për shtypin për Vitin e Ri. Duke e përshkruar hyrjen e të dy vendeve në program si të dyja "vërtet shumë të rëndësishme" dhe "që duheshin bërë me kohë", ai theksoi se së pari ato duhet të përmbushin kushtet.
Krijuar më 1994, programi PfP lejon NATO-n të ndërtojë lidhje më të afërta politike e ushtarake me vendet jo-anëtare dhe është një hap i madh përpara drejt anëtarësimit përfundimtar në Aleancë. Dhjetë nga 30 vendet që kanë nëshkruar marrëveshje të PfP me Paktin që nga zanafilla e programit janë bërë anëtarë të NATO-s, vuri në dukje Reuters në një raport të hënën.
Kërkesa kryesore që Aleanca ka vënë për pranimin e BiH dhe Serbi-Malit të Zi në programin e PfP është bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) duke përfshirë arrestimin e të dyshuarve për krime lufte. Komuniteti ndërkombëtar po shtyn veçanërisht për kapjen dhe dorëzimin e dy të paditurve më të kërkuar të gjykatës, ish kreun serb boshnjak Radovan Karaxhiç dhe komandantin e tij ushtarak Ratko Mlladiç.
Karaxhiç dhe Mlladiç kanë dhjetë vjet që fshihen. Ata u paditën nga ICTY për përfshirjen e tyre të dyshuar në krimet e luftës të kryera gjatë konfliktit të 1992-1995 në BiH. Të dy ndeshen me akuzat e genocidit për rolet e tyre të dyshuara në rrethimin 43-muajsh të Sarajevës dhe masakrën e Srebrenicës të vitit 1995.
Karaxhiç besohet gjerësisht se fshihet në lindje, në pjesën e kontrolluar nga serbët të BiH, ndërsa Mlladiç thuhet se është në Serbi.
BE, me të cilën Serbi-Mali i Zi nisi bisedimet mbi një marrëveshje stabilizimi dhe shoqërimi në tetor, paralajmëroi Beogradin muajin e fundit se negociatat mund të pezullohen në çdo kohë në rastin e mungesës së bashkëpunimit me përpjekjet për të sjellë të fshehurit, veçanërisht Mlladiç, para drejtësisë.
Ministri i Mbrojtjes i Serbi-Malit të Zi, Zoran Stankoviç pranoi në fund të vitit të shkuar se ushtria e vendit nuk i ishte bindur urdhërave për të gjurmuar të fshehurin. Disa ditë më pas, ai zbuloi gjithashtu se Mlladiç vazhdonte të merrte pension deri në nëntor.
"Nuk ka vend në NATO apo BE që do të lejonte një kriminel të paditur lufte të bridhte i lirë në një territor të atij vendi," tha në nëntor nënsekretari i shtetit të SHBA për çështjet politike, Nikolas Bërns. "Mlladiç ka qenë i lirë për dhjetë vjet dhe për tetë vjet nga këto ishte mbrojtur plotësisht nga shteti serb, nga ushtria serbe, me lejën e tyre," shtoi ai.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes