08/12/2005
Pas më tepër se katër vjetëve i fshehur, një nga të paditurit më të kërkuar të gjykatës së OKB-së për krimet e luftës, Ante Gotovina nga Kroacia, u arrestua dhe është nisur për në Hagë të enjten.
(Burime të ndryshme - 08/12/05; 21/12/04)
![]() I kërkuari i fshehur, gjenerali Ante Gotovina u arrestua të mërkurën mbrëma në ishujt Kanarie. [Dosje] |
Gjenerali i pensionuar Ante Gotovina u arrestua në ishujt spanjollë Kanarie të mërkurën mbrëma (7 dhjetor), njoftoi në Beograd të enjten kryeprokurorja e OKB-së për krimet e luftës Karla del Ponte. Ai po transferohet në gjykatën e Hagës të enjten mbrëma, tha ajo.
Shefi i NATO-s Jap de Hop Shefer, duke folur në Bruksel çaste pas njoftimit, përshëndeti arrestimin. "Arrestimi i Gotovinës është lajm i mirë për botën. Është lajm i mirë për sjelljen para drejtësisë të atyre njerëzve që nuk janë dënuar ende por që janë akuzuar për krime shumë serioze, më seriozet e krimeve. Ky është lajm i mirë dhe unë mendoj se është gjithashtu lajm i mirë për Kroacinë."
Gotovina ishte një nga tre të fshehurit më të kërkuar nga konfliktet e Ballkanit në vitet 1990, së bashku me ish kreun serb boshnjak Radovan Karaxhiç dhe komandantin e tij ushtarak Ratko Mlladiç. Ai u fsheh në qershor 2001, shpejt pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) e paditi atë rreth përfshirjes së dyshuar në mizoritë e kryera kundër serbëve të Krajinës nga fundi i konfliktit 1991-1995 në Kroaci.
Kroacia nisi një mësymje ushtarake të koduar Operacioni Stuhia, në 4 gusht 1995 për të rimarrë kontrollin ndaj rajonit të Krajinës e cila u zu nga separatistët serbë më 1991. Gjatë operacionit disa-ditor dhe veprimeve që e pasuan deri në 15 nëntor 1995, Gotovina ishte komandant i zonës operative të Splitit të ushtrisë kroate. Si i tillë, ai ushtroi de jure dhe de facto komandën dhe kontrollin mbi forcat kroate të dislokuara si pjesë e Operacionit Stuhia në pjesën jugore të rajonit të Krajinës, akuzonin prokurorët e OKB-së në një padi të amenduar kundër Gotovinës bërë publike në mars 2004.
Padia e akuzon atë me katër akuza për krime kundër njerëzimit dhe tre akuza për shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës për persekutime, vrasje, rrëmbim të pasurisë, shkatërrim të paturpshëm të qyteteve e fshatrave, deportimin dhe veprime të tjera shnjerëzore që thuhet se janë kryer gjatë operacionit. ICTY e mban Gotovinën individualisht përgjegjës për këto krime, duke përfshirë vrasjen e paligjshme të së paku 150 serbëve të Krajinës. Deri në 200,000 serbë të Krajinës është thënë se u zhvendosën si rezultat i mësymjes së ushtrisë kroate dhe veprimeve pasuese.
Sipas prokurorëve të OKB-së, Gotovina, duke vepruar vetë apo në bashkëpunim me të tjerë, përfshirë Ivan Çermak, Mladen Markaç dhe ish presidentin kroat Franjo Tuxhman, mori pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale qëllimi i së cilës ishte largimi me forcë dhe i përhershëm i popullsisë serbe nga rajoni i Krajinës. Si pjesë e ndërmarrjes, ai "planifikoi, shtyu, urdhëroi, kreu apo përndryshe ndihmoi dhe u bë bashkëfajtor në planifikimin, përgatitjen dhe ekzekutimin" e krimeve të dyshuara. Prokurorët akuzojnë gjithashtu se ndërsa ai e dinte, ose kishte arsye ta dinte, që vartësit e tij qenë gati të kryenin mizoritë e rreshtuara në padi, apo i kishin bërë ato, Gotovina nuk mori masat e nevojshme për të ndaluar këto akte të ndodhnin apo për të ndëshkuar ata që i kryen. Më tej, ai nuk përmbushi detyrën e tij për të rivendosur dhe siguruar rendin publik dhe sigurinë në rajon, duke përfshirë kryeqyttein e tij Knin dhe komunat përreth.
Gotovina lindi në 12 tetor 1955 në ishullin kroat Pasman të komunës së Zadarit. Një ushtar profesionist dhe ish legjionar frëng me gradën e kapterit, ai u kthye në Kroaci në qershor 1991 për t'u bashkuar me korpusin e gardës kombëtare si shef i operacioneve dhe trainimit të brigadës së parë të tij. Nga shkurti në prill të vitit 1992, Gotovina ishte nënkomandant i njësisë speciale të shtabit kryesor të ushtrisë kroate, pastaj mori për gjashtë muaj një emërim në Këshillin Kroat të Mbrojtjes. Në tetor 1992, ai u caktua komandant i zonës operative të Splitit të ushtrisë kroate, e cila u emërua më pas Qarku Ushtarak i Splitit dhe e mbajti këtë funksion deri në mars 1996. Ndërkohë ai u ngrit nga gjeneral-brigade në gjeneral-major dhe pastaj gjeneral-kolonel.
Në mars 1996, Tuxhman, i cili ishte atë kohë president i Kroacisë, e emëroi Gotovinën shef të inspektoriatit të ushtrisë kroate. Stipe Mesiç, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale kroate në shkurt 2000, e liroi Gotovinën nga ushtria në 29 shtator të atij viti.
Në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së në 23 nëntor 2004, del Ponte thoshte se ish gjenerali ishte zhdukur në qershor 2001, pasi autoritetet kroate e informuan atë se ishte vulosur padia kundër tij.
Pas zhdukjes së tij, vendndodhja e Gotovovinës u bë objekt spekullimesh e kundërshtish. Duke e shtyrë Zagrebin ta arrestonte dhe dorëzonte të kërkuarin në ICTY, del Ponte ngulmonte se ai ishte parë në Kroaci në shumë raste. Ajo akuzoi gjithashtu se "një rrjet mbështetës i mirëorganizuar, duke përfshirë struktura brenda shtetit", e ndihmonte atë t'i shmangej drejtësisë.
Zyrtarët kroatë, të cilët në raste të ndryshme bënin publikisht thirrje për Gotovinën që të dorëzohej në gjykatë, i përmbaheshin asaj se ai kishte ikur nga vendi por zotoheshin se ai do të arrestohej po të gjendej.
Raportet e medias në shkurt 2004 sugjeruan se Gotovina rronte haptazi në Francën juglindore. Pas shërbimit të tij gjashtë-vjeçar me Legjionin e Huaj Francez, ai kishte marrë shtetësinë frënge në 1979. Pas kësaj, është thënë se ai kishte rrojtur për një kohë në Nisë dhe krahinën Aix-en-Provence të Francës jugore dhe kishte udhëtuar gjerësisht në vende të Amerikës jugore e gjetkë.
"Ai gëzon mbrojtjen e mafias, dhe e të njerëzve të fuqishëm lokalë. Ai mund të rrojë pa u fshehur; ai bile edhe mund të udhëtojë jashtë vendit pa ndonjë problem të madh," shkruante e përditshmja frënge Le Monde duke përmendur një raport të agjensisë frënge të inteligjencës DST. Megjithatë, e përditshmja shënonte gjithashtu se raporte të mëparshme që sugjeronin se i fshehuri ishte në Korsikë, Marsejë apo gjetkë në Francë, kishin dalë të pavlefshme.
Në 11 tetor 2004, BE miratoi një rregull të ngrirjes së "të gjithë fondeve dhe burimeve ekonomike që i përkisnin, zotëroheshin apo mbaheshin" nga tre të paditurit më të kërkuar të ICTY, Karaxhiç, Mlladiç dhe Gotovina.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes