28/11/2005
Kryeministri i Spanjës dhe ai i Turqisë nisën të dielën takimin përurues të nismës së Aleancës së Qytetërimeve, duke kërkuar të nxisin dialogun midis shoqërive islamike e perëndimore.
(BBC Monitoring - 28/11/05; AP, Reuters, AFP, Turkish Press - 27/11/05; UN News Centre - 14/11/05)
![]() Kryeministri spanjoll Hoze Luis Zapatero (djathtas) bisedon me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë takimit të OKB-së në Majorka të dielën (27 nëntor). [AFP] |
Kryeministrat e Spanjës dhe Turqisë, Hoze Luis Zapatero dhe Rexhep Tajip Erdogan nisën të dielën (27 nëntor) sesionin përurues të nismës së Aleancës së Qytetërimeve që do të thotë të nxitet respekti dhe dialogu midis shoqërive islamike e perëndimore.
Zapatero e sugjeroi së pari idenë për aleancën në një fjalim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2004, rreth gjashtë muaj pas sulmeve me bomba në Madrid që vranë më tepër se 190 vetë. Turqia, ku më tepër se 60 vetë u vranë në nëntor 2003 nga shpërthimet vetëvrasëse në Stamboll, u bë më pas bashkësponsore e projektit i cili më së fundi u mbështet nga OKB dhe nga mbi 20 vende.
"Aleanca e Qytetërimeve është një orvatje për të luftuar të gjithë ata që në çdo pjesë të botës përdorin gjithëfarëlloj argumentesh të shtrëmbëruara... nxisin urrejtjen dhe intolerancën," tha Zapatero të dielën në fillimin e takimit tre-ditor të nivelit të lartë të grupit të aleancës, që bëhej në vendpushimin ishullor mesdhetar të Palma de Majorka. "Ne duhet të shmangim thellimin e hendekut midis botëve lindore e perëndimore."
Grupi i nivelit të lartë bashkëkryesohet nga ish drejtori i përgjithshëm i UNESKO-s, Frederiko Major dhe Ministri turk i Shtetit Mehmed Ajdin, një profesor teologjie. Të tjerë anëtarë të grupit përfshijnë ish presidentin iranian Mohamad Khatami, arqipeshkopin e Afrikës së Jugut, laureatin e çmimit Nobel për paqen Desmond Tutu, Andre Azulai, një këshilltar i mbretit maroken Mohamad VI si edhe ish ministrin e jashtëm frëng Hubert Vedine dhe kreun që po largohet të Bankës Inter-Amerikane të Zhvillimit Enrike Iglesias.
Rivaliteti historik midis perandorive të krishtera e turke "është transformuar në një lidhje pozitive," tha Zapatero të dielën. "Ne duhet të ndalim burimet e ekstremizmit, të fitojmë luftën e ideve dhe parimeve, të ushqejmë mendjet paqekërkuese, të forcojmë instiktin e bashkëpunimit në zemrat tona."
Duke i bërë thirrje gjithë njerëzimit të ngrihej kundër një përleshjeje të qytetërimeve, Erdogan tha se ekstremizmi nuk i ka rrënjët në asnjë fe, gjuhë, vend, racë apo komb dhe godet objektiva në pjesë të ndryshme të botës.
"Mungesa e mirëkuptimit midis qytetërimeve është një handikap i madh dhe ai kthehet në ekstremizëm, intolerancë dhe terrorizëm, ndaj dhe është kaq e rëndësishme t'i jepet fund asaj," tha ai.
Grupi do të raportojë te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan në gjysmën e dytë të vitit 2006 mbi veprimet për të neutralizuar ekstremizmin dhe për të nxitur respektin e ndërsjelltë midis qytetërimeve dhe kulturave.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes