16/11/2005
Duke dështuar në gjetjen e një blerësi për Olympic Airlines, Greqia tha të martën se ka në plan të nisë një kompani të re në prill për të zëvendësuar transportuesin e vet kombëtar që është me humbje.
(AP, Reuters, Xinhua, Athens News Agency, The Hellenic Radio, Kathimerini – 15/11/05)
![]() Olympic Airlines do të ketë gjasa të rinisë prillin e ardhshëm, duke mbajtur të njëjtën logo dhe një emër të ngjashëm. [AFP] |
Greqia tha të martën (15 nëntor) se do të nisë një kompani të re vitin e ardhshëm për të zëvendësuar Olympic Airlines. Njoftimi pasoi orvatjen e fundit të dështuar të autoriteteve për të gjetur një blerës për transportuesen kombëtare që lëngon.
"Megjithë përpjekjet tona serioze nuk është më e mundshme të vazhdohet me këtë orvatje privatizimi... Ne po lëvizim menjëherë drejt një zgjidhjeje alternative," tha pas një takimi qeveritar Ministri i Transportit Mihalis Liapis. "Projekt-legjislacioni do të parqaitet në parlament në ditët e ardhshme, për të krijuar një linjë të re ajrore... Investitorët privatë do të kontrollojnë shumicën (e aksioneve) dhe do të jenë përgjegjës për drejtimin e saj."
Masa pason vendimin e Komisionit Evropian (KE) në 14 shtator që e detyron Olympic Airlines të ripaguajë deri në 540 milion euro ndihmë shtetërore të paligjshme. Mbështetja i dha kompanisë një epërsi të parregullt ndaj konkurrentëve, tha Komisioni, duke i lënë Greqisë dy muaj kohë për të vendosur se çfarë masash do të merrte për t'u përputhur me vendimin. Greqia përballet me gjoba ditore në se nuk merr vendim, paralajmëroi komisioneri i transportit evropian Zhak Barrot.
Olympic Airlines u themelua në fund të vitit 2003 si pasardhëse e Olympic Airways, e cila u krijua nga manjati i ndërtimit të anijeve Aristotel Onasis më 1957.
Si pjesë e orvatjes së saj të fundit për të privatizuar kompaninë me humbje, Greqia negocioi me një konsorcium përbërë nga kompania investuese greke Olympic dhe fondi i investimeve i SHBA, York Capital. Nuk ishte e qartë të martën në se konsorciumi do të përfshihej në kompaninë e re pas dështimit me sa duket, të tenderit.
Greqia, sipas Liapis do të mbajë bankën e investimeve Lazard si këshilltarin e saj në nisjen e pasuesit të Olympic, i cili do të ketë të njëjtën logo dhe një emër të ngjashëm kur të fillojë në prillin e ardhshëm. Olympic aktualisht fluturon në 75 destinacione vendase e ndërkombëtare dhe transportoi rreth 5 milion pasagjerë në 2004.
Raportet e medias lokale sugjerojnë se rreth gjysma e njerëzve që aktualisht punojnë në Olympic Airlines dhe kompanitë shtetërore të lidhura me të mund të humbasin punën dhe flota e transportuesit prej 40 avionësh mund të bjerë në 25 deri 30.
"Qeveria ka premtuar të garantojë punësimin e të gjithë punonjësve që nuk do të marrin pjesë në kompaninë e re," tha Liapis.
Më parë në shtator, vendimi i KE ngjalli frikë midis punonjësve të Olympic se qeveria do të vendoste ta mbyllte kompaninë. Sindikatat e punonjësve të kompanisë e përshëndetën kësisoj me maturi vendimin e së martës.
"Qeverisë i ka ardhur më së fundi mendja...por mbetet për të parë në se kjo zgjidhje do të jetë praktike," citoi AP të thoshte Janis Kallianos, kreu i sindikatës inxhinierike të Olympic.
Sipas disa raporteve, dy orvatje të mëparshme të dështuara për të privatizuar linjën ajrore kushtuan 2.5 milion euro, ndërsa humbjet e shkaktuara prej operacioneve gjatë disa viteve të fundit arrijnë në 1 miliard euro.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes