21/10/2005
Komisioni Evropian nisi të enjten shoshitjen e legjislacionit kroat dhe turk, stadi i parë në negociatat e pranimit me të dy vendet, gjë që pritet të dojë rreth 11 muaj për t'u kompletuar.
(EurActiv, Irish Times - 21/10/05; AFP, AP, Reuters, EUobserver, SEE Security Monitor, Turkish Press, Turkish Daily News - 20/10/05)
![]() "Përparësia jonë në negociatat do të jetë cilësia, jo afatet," ka thënë Kryeministri kroat Ivo Sanader. [Getty Images] |
Shtatëmbëshjetë ditë pasi vendet anëtare të BE vendosën të hapin negociatat me Kroacinë dhe Turqinë, Komisioni Evropian (KE) filloi të enjten (20 tetor) shoshitjen e legjislacioneve të të dy vendeve.
Ky stad i parë në procesin e bisedimeve ka gjasa të kompletohet në rreth 11 muaj. Pas kësaj, do të fillojnë negociatat aktuale mbi 35 kapituj, duke mbuluar fusha të ndryshme të politikave.
Gjatë një takimi të përbashkët të enjten, zyrtarët e KE spjeguan të ashtuquajturin acquis communautaire të Bashkimit, të përbërë nga 80,000 faqe ligje dhe informuan delegacionet e të dy vendeve mbi çështjet proceduriale. Pastaj filloi shoshitja në një nga kapitujt relativisht të lehtë, shkencën dhe kërkimin. Arsimi dhe kultura është zgjedhur si kapitulli i dytë, me shoshitjen që siç thuhet është planifikuar të nisë në 26 tetor.
Gjatë fazës së dytë, e cila pritet të nisë më pas këtë vit, ligjet kombëtare kroate e turke do të shoshiten në takime dypalëshe.
Gjatë procesit të shoshitjes, vendeve kandidate do t'u kërkohet të detajojnë planet e tyre për afrimin e legjislacionit kombëtar me ligjet e BE. Zbatimi praktik i këtyre planeve do të jetë subjekt i mbikqyrjes dhe vlerësimit nga BE.
Stadi tjetër në procesin e bisedimeve të anëtarësimit do të vijë kur BE të vendosë të hapë negociatat në të parin nga 35 kapitujt. Mbi bazën e shoshitjes, KE mund të rekomandonte bërjen e nisjes së bisedimeve në disa nga kapitujt, të kushtëzuar nga përmbushja e kërkesave të veçanta.
Një kapitull negociues mund vetëm të hapet e mbyllet me pëlqim të të gjithë 25 vendeve anëtare. Por nuk ka kërkesë që një kapitull negociues të mbyllet përpara se një tjetër të mund të hapet, kështu që negociatat mbi kapituj të ndryshëm mund të zhvillohen njëkohësisht. Sipas raporteve, kapitulli i parë negociues, më me gjasa, shkenca dhe kërkimi, mund të hapet më së shpejti në dhjetor.
Kroacia shpreson të jetë e aftë të hapë bisedimet mbi gjashtë kapituj të tjerë negociues këtë vit, dhe tamam në kulturën dhe arsimin, prokurimin publik, konkurrencën, lirinë për të ofruar shërbime, lëvizjen e lirë të kapitalit dhe bujqësinë.
Duke cituar zyrtarët e BE, AP raportoi se refuzimi nga Turqia për të përfshirë Qipron në rregullat që qeverisin lëvizjen e lirë të mallrave brenda bllokut, mund të shkaktojë vonesa në procesin e saj negociues. Turqia nuk e ka njohur administratën greke qipriote dhe nuk lejon anijet dhe aeroplanët qipriotë të hyjnë e dalin nga portet dhe aeroportet e veta megjithëse ka nënshkruar një protokoll që zgjeron marrëveshjen e saj doganore ndaj dhjetë anëtarëve të rinj të bashkimit, përfshirë Qipron.
Ministri i jashtëm turk Abdullah Gul bëri me dije të enjten se Ankaraja mund ta ndryshonte shpejt qëndrimin e saj.
"Ne po propozojmë t'i japim fund të gjitha kufizimeve ndaj ishullit të Qipros," tha Gul.
Kroacia ka shpresë të përfundojë bisedimet e saj të anëtarësimit deri më 2009, ndërsa negociatat e Turqisë priten të zgjasin së paku një dekadë. Si zyrtarët kroatë ashtu edhe ata turq kanë treguar se ata nuk duan të nxitojnë me qëllim që të kompletojnë negociatat e tyre sa më parë të jetë e mundur.
"Përparësia jonë në negociatat do të jetë cilësia, jo afatet," ka thënë Kryeministri kroat Ivo Sanader. "Të punosh shumë për negociatat është me të vërtetë e vlefshme, për të siguruar se ne kemi një të ardhme më të mirë."
Kryenegociatori i Turqisë me BE, Ministri i Ekonomisë Ali Babaçan, i përshkroi takimet e së enjtes në Bruksel si "hapin e parë në një udhë të gjatë" për vendin e tij.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes