Maqedonia lufton përhapjen e armëve të lehta

29/07/2005

Numri i armëve të lehta të paligjshme që qarkullojnë në Maqedoni është vlerësuar në ndërmjet 80,000 dhe 170,000 copë. Qeveria ka ndërmarrë një seri iniciativash që synojnë luftën ndaj përhapjes së armëve të tilla.

Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 29/07/05

photo

Vitin e kaluar, 1,314 armë te lehta u konfiskuan në Maqedoni. Sipas ministrisë së brendshme, numri i vdekjeve të shkaktuara nga tipe të tilla armësh është ulur me 25 përqind. [AFP]

Më parë gjatë këtij muaji, Maqedonia festoi ditën e Shkatërrimit të Armëve me një veprimtari të posaçme të organizuar nga ministria e brendshme dhe UNDP. Një numër i përgjithshëm prej 3,100 copësh armatime të lehta -- pushkë, armë, mortaja dhe edhe raketa-hedhës -- u shkatërruan në furrat e Makstil Steelworks në Shkup.

Armët ishin mes atyre që u konfiskuan në aksione të ndryshme të ministrisë së brendshme.

"Armët e vogla dhe të lehta destabilizojnë rajonet, inkurajojnë konfliktet dhe dëmtojnë iniciativat e paqes," Konsuelo Vidal, përfaqësuesi i përkohëshëm në vend i UNDP për Maqedoninë tha gjatë veprimtarisë më 9 korrik.

"Armët e paligjshme janë një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë," tha Cane Capragovski, drejtori për sigurinë publike të Maqedonisë i ngarkuar për shkatërrimin e armëve. "Sot, ne kemi shkatërruar 3,100 armë, të cilat nuk do të përdoren kurrë më dhe nuk do të dëmtojnë askënd."

Pas konfliktit ndër-etnik më 2001, ministria e brendshme filloi një seri aksionesh që synonin ndalimin e përhapjes së armëve të paligjshme. Një aksion çarmatimi u zhvillua më 2003. Në të njëjtën kohë, ligjet u ndryshuan dhe dënimet u forcuan. Sipas ligjit, kushdo që kapet me armë të paligjshme mund të dënohet me burgim nga një në dhjetë vjet.

Vitin e kaluar, 1,314 armë të tilla u konfiskuan në Maqedoni. Sipas ministrisë së brendshme, numri i vdekjeve të shkaktuara prej armëve të lehta që atëherë është ulur me 25 përqind.

Në një seminar të UNDP-së vitin e kaluar, administratori i projektit të Programit të Kontrollit të Armëve të Lehta Alan Lapon tha se në Maqedoni gjenden ndërmjet 110,000 dhe 170,000 copë armësh të paligjshme. Por ekspertët maqedonas japin një shifër më të ulët -- rreth 80,000. Përhapja e armëve të tilla kryesisht vjen prej konflikteve që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Sipas OKB-së, në të gjithë botën gjenden rreth 639 milionë copë armësh të lehta dhe një në çdo dhjetë persona zotëron më shumë se një armë të tillë. Armët e lehta vrasin rreth 500,000 njerëz -- një çdo minutë -- në vit ose një person vdes çdo minutë në botë. Rreth 300,000 prej këtyre vdekjeve vijnë prej konflikteve të armatosur, ndërsa 200,000 të tjera janë rezultat i vrasjeve ose vetëvrasjeve.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading