08/07/2005
Qeveria rumune ka njoftuar dorëheqjen e saj duke i hapur udhë ndryshimeve të mëtejshme në peisazhin politik të vendit.
Nga Razvan Amariei për Southeast European Times në Bukuresht – 08/07/05
![]() Kryeministri rumun Kalin Popesku Tarikeanu tha të enjten (7 korrik) se kabineti i tij do të japë dorëheqjen dhe do të thirren zgjedhje të parakohshme. [AFP] |
Gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, Kryeministri Kalin Popesku Tarikeanu ka njoftuar dorëheqjen e qeverisë së tij të koalicionit. Duke u folur gazetarëve të enjten (7 korrik) ai tha se kabineti do të tërhiqet pas takimit të tij të 14 korrikut duke hapur udhë për zgjedhje të parakohshme parlamentare me 2 tetorin si data më e përshtatshme për votimet.
Zyrtarisht, arsyeja ishte masa e kthimit nga Gjykata Kushtetuese e ligjeve të reformës gjyqësore që qeveria i sheh si vendimtare për hyrjen e Rumanisë në BE. "Reforma gjyqësore është bllokuar tashmë dhe zgjidhja është të kthehemi përsëri te zgjedhësit... dhe të presim verdiktin e tyre," tha Tarikeanu duke akuzuar se në gjykatë mbizotëron partia ish qeverisëse, Partia Social Demnokratike (PSD) që kërkon të mbrojë privilegjet e veta qoftë edhe në kurriz të së ardhmes së Rumanisë.
Kreu i Partisë Demokratike (PD) një nga dy partitë formuese të Aleancës qeverisëse për Drejtësi e të Vërtetë (DA) pati gjithashtu fjalë të ashpra për gjykatën. "Me këtë kundërshtim, është komprometuar pranimi si edhe reforma e sistemit gjyqësor. Ne u zgjodhëm për të kryer reformat dhe duam që të shohim në se populli do që kjo të ndodhë," tha Emil Bok.
Parlamenti mund të kthejë vendimet e gjykatës me shumicën e dy të tretave por koalicioni qeverisës nuk është në gjendje të mbledhë aq shumë vota. Shumë analistë politikë besojnë se faktori kryesor prapa vendimit për të thirrur një votim të parakohshëm është dëshira e PD dhe e Partisë Kombëtare Liberale (PNL), dy partitë që formojnë Aleancën DA, për të forcuar shumicën e tyre të brishtë duke rritur numrin e tyre të vendeve në parlamentin dy-dhomash.
Aleanca e DA mori rreth 30 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2004, ndërsa PSD fitoi 37 përqind. Por fitorja e kreut të atëhershëm të PD Traian Bashesku në votimin presidencial shpuri në krijimin e koalicioni të qendrës së djathtë të përbërë nga anëtarët e DA plus dy parti më të vogla, partinë etnike hungareze UDMR dhe Partinë Konservatore (PC) e njohur më parë si Partia Humaniste, e cila më parë kishte mbështetur PSD.
Vendimi nga dy partnerët kryesorë të koalicionit i ka vënë në hall partnerët e vegjël veçanërisht pasi anketat e fundit bëjnë me dije se ato mund të mos kalojnë pragun e 5 përqindshit zgjedhor. "Unë besoj se ky është një veprim budallenjsh," tha anëtari i lartë i UDMR Gyorgy Frunda në një deklaratë në radio pas njoftimit të Tarikeanut. Zëdhënësi i PC Bogdan Kiusa tha se partia e tij që ndryshoi emrin dhe orientimin ideologjik pasi hyri në koalicion, do ta "diskutonte situatën e re në ditët e ardhshme".
Burimet brenda PSD thonë se ajo do të ftojë të dy partitë e vogla të bashkohen me të në betejën e ardhshme politike.
Disa komentatorë besojnë se Bashesku është forca shtytëse prapa dorëheqjes së qeverisë. Ai ka nxitur për zgjedhje të parakohshme menjëherë sapo kabineti kishte marrë detyrën.
PSD po i përshkruan zgjedhjet e parakohshme si një dredhi të Basheskut për të "pushtuar të gjithë pushtetin shtetëror," siç tha shefi i partisë Mirçea Geoana. "Është ndërkohë e sigurtë që Rumania nuk do të hyjë në BE më 2007 për shkak të këtij vendimi," paralajmëroi ai.
Por Xhonathan Shile, shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Rumani ka thënë të kundërtën. "Dorëheqja e kabinetit të Tarikeanut nuk do të kishte ndonjë ndikim në procesin e pranimit në qoftë se qeveria e përkohshme do të jetë në gjendje të përmbushë agazhimet e marra," i tha ai Radio Mix FM.
Sipas kushtetutës, thirrja e zgjedhjeve të parakohshme nuk është një procedurë e thjeshtë. Presidenti duhet së pari të shpërndajë parlamentin dhe kjo mund të ndodhë vetëm në se të dy dhomat legjislative e prapsojnë kryeministrin dy herë me rradhë. Sipas disa vëzhguesve, nuk është jashtë diskutimit që deputetët e opozitës mundet aktualisht të votojnë në favor të kabinetit aktual për të shmangur zgjedhjet të cilat mund të rezultojnë në humbje të mëtejshme të PSD. Deputetët e partive më të vogla në koalicion mundet gjithashtu të mbështesin qeverinë për të mbajtur vendet e tyre.