23/06/2005
Arkeologët, ambjentalistët dhe OJQ-të ndërkombëtare po bashkohen për të gjetur një mënyrë që të shpëtojnë një vend arkeologjik 1,800 vjet të lashtë, që do të përmbytet në nëntor nga ujrat e një dige të re.
Nga Allan Kov për Southeast European Times – 23/06/05
![]() Qyteti 1,800 vjet i lashtë i Allianoit do të përmbytet në nëntor nga diga e Jortanli. [Dosje] |
Qyteti termal më i lashtë i njohur në botë, Allianoi do të përmbytet kur diga Jortanli të fillojë veprimet në nëntor. I ndodhur tamam në qendër të liqenit të planifikuar të digës, ai do të zhytet nën 17 metra ujë. Në qoftë se nuk gjendet ndonjë zgjidhje, Turqia mund të humbasë një vend të rëndësishëm historik.
Për të ndihmuar shpëtimin e qytetit të lashtë 1,800 vjeçar, ambjentalistët dhe vullnetarë të tjerë kanë krijuar grupin e nismës së Allianoit, me sloganin "Mos e lini Allianoin të mbytet".
"Një histori 2,000 vjeçare po sakrifikohet për një projekt 50-60 vjeçar. Ne nuk themi që diga të mos ndërtohet, por projekti mund të modifikohet në mënyrë që të ruajë Allanoin nga shkatërrimi," thotë zëdhënësi i grupit Arif Ali Çangi.
Grupi ka marrë mbështetje nga OKB që së fundmi vendosi të mbështesë financiarisht përpjekjet për të ruajtur Allianoin nën programin e vet "Kultura 2000". Federata pan-evropiane për trashëgiminë, një organizatë ombrellë, jo-fitimprurëse e cila përbëhet nga më shumë se 200 OJQ, u bashkua me Këshillin e Evropës dhe UNESKO në shkrimin e një letre ministrit të jashtëm turk Abdullah Gul, duke kërkuar ndihmë në shpëtimin e Allianoit dhe të banjave të tij romake.
Nga që qeveria turke megjithatë ka pohuar synimin e saj të fortë për ta hapur digën sipas planit, arkeologët kanë nisur një përpjekje masive për të shpëtuar objektet e zbuluara në vend para se ato të zhyten në ujë. Që nga viti 1994, pjesë të panumërta skulpturash, copash qeramike, gjetje metalike dhe objekte qelqi janë zbuluar duke ndarë periudhat romake e bizantine. Agjensia e Çështjeve Shtetërore Ujore (DSI) ka hedhur një plan për vendin, duke propozuar që godinat e vjetra të vishen me argjil që të mos dëmtohen nën ujë. Arkeologët thonë se kjo thjesht mund të sjellë dëmtime të mëtejshme. Një tjetër mënyrë që po konsiderohet është të lëvizen godinat e burimeve termale në një vend tjetër.
Fshatarët e zonës shumica e të cilëve jetojnë me bujqësi, kanë mendime të ndryshme. Diga do të japë ujë që nevoitet për vaditjen. Por përmbytja e Allianoit do të shkatërrojë një pjesë të trashëgimisë kulturore turke dhe potencialin për të tërhequr turistë.
Në histori Allianoi është njohur si "vendlindja e zotit të shëndetit Asklepionit". Ngritur në periudhën helene, ai arriti kulmin në shekullin e dytë nën sundimin romak të perandorit Adrian. Për 15 shekuj ai gëzoi emrin e një qendre të shkëlqyeshme kurimi, me ujra burimore në diapazonin terapetik 45 deri në 55 gradë Celcius.
Gërmimet e fundit kanë zbuluar dy dyer të gdhendura, rrugë me gurë të mermertë shumë të pastër, dyqane, shtëpi me mozaikë të ruajtur krejtësisht, sheshe të mëdha, shatërvane publikë dhe insula, vende për të pushuar pas banjës. Gjetjet e fundit qenë disa nga më të ruajturat të gjetura në vendet arkeologjike, sepse ato qenë mbuluar nga aluvione.