05/05/2005
Bullgaria dhe Serbi-Mali i Zi ranë dakord muajin e shkuar të thjeshtojnë procedurat e kontrollit kufitar për pasagjerët dhe mallrat që kalojnë nga njëri vend në tjetrin.
Nga Svetla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje -- 05/05/05
![]() Stacioni i trenit në qytetin serb të Dimitrovgradit do të veprojë si pikë kalimi kufitar në 1 janar 2006. [Dosje] |
Bullgaria dhe Serbi-Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje muajin e fundit që do të krijojë të parën pikë të përbashkët kontrolli kufitar dhe stacion hekurudhor në Ballkan. Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar në 15 prill, është të reduktojë ndjeshëm kohën që u duhet aktualisht trenave të pasagjerëve e mallrave për të kaluar nga njeri vend në tjetrin. Ajo pritet gjithashtu të rritë trafikun e kargove përgjatë rrugës Beograd-Sofje-Stamboll.
Marrëveshja mbi kontrollin kufitar dhe procedurat e trafikut hekurudhor u nënshkrua nga Nënkryeministri bullgar dhe Ministri i Transportit e komunikacioneve, Nikoali Vasilev dhe Ministri serb i Investimeve Kapitale Velimir Iliç. Kryeministrat bullgarë e serbë, respektivisht Simeon Sakse-Koburg dhe Vojislav Koshtunica ndoqën ceremoninë në qytetin kufitar serb të Dimitrovgradit.
Stacioni hekurudhor në Dimitrovgrad i cili do të pësojë rinovime e modernizime, do të nisë të operojë si një kalim i përbashkët kufitar bullgaro-serb në 1 janar 2006.
Aktualisht, një tren pasagjerësh mbulon distancën midis Beogradit dhe Sofjes në rreth 9.5 orë. Që nga viti i ardhshëm, pasagjerëve do t'u duhen 6 orë për të arritur destinacionin e tyre pasi nuk do të kalojnë më nëpër katër kontrolle të ndryshme që merrnin tre deri katër orë. Pasi organizmi i ri të hyjë në veprim, ekipe të përbashkëta të policëve dhe nëpunësve të doganave të të dy vendeve do ta përfundojnë kontrollin duke marrë jo më tepër se 30 minuta. Po kështu, qëndrimi i trenave të mallrave në kufi pritet të reduktohet nga 12 orë në 5 orë.
Ekspertët bullgarë e serbë parashikojnë një rritje të ndjeshme në trafikun e kargove përgjatë rrugës Beograd-Sofje-Stamboll e korridorit 10 panevropian, si rezultat i thjeshtimit të procedurave të kontrollit kufitar. Zyrtarët në Sofje besojnë se numri i turistëve të huaj që udhëtojnë me tren në vendpushimet bullgare të Detit të Zi, ka gjasa të rritet.
Serbi-Mali i Zi ishte kontributori i tretë më i madh në turistët e huaj në Bullgari në 2004, kur rreth 577,000 nga shtetatsit e këtj vendi zgjodhën të kalojnë pushimet atje.
Dy shinat hekurudhore, duke shkuar paralel me njera tjetrën simbolizojnë udhët e dy vendeve drejt përparimit, modernizimit dhe Evropës, tha Sakse-Koburg në ceremoninë e Dimitrovgradit, sipas agjensisë bullgare të lajmeve.. Koshtunica tha se nisma demonstroi se kufijtë mund të hapen në Evropën juglindore dhe se po ashtu këtu mund të krijohen edhe kufijtë evropianë.
Dy vitet e fundit kanë shënuar një përmirësim të konsiderueshëm në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik midis Bullgarisë dhe Serbi-Malit të Zi, tha qeveria bullgare në një deklaratë. Volumi i tregtisë dypalëshe u rrit me 50 përqind mesatarisht duke arritur pothuajse 309 milion euro në 2004.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes