Tragjedia e Luftës së Parë Botërore sjell miqësi në Galipoli

29/04/2005

Turqit, australianët dhe neozelandezët u mblodhën në gadishullin e Galipolit në 25 prill për të nderuar e përkujtuar qindra mijra ushtarë që vdiqën 90 vjet më parë në një nga betejat më të përgjakshme në histori.

Nga Allen Kov për Southeast European Times -- 29/04/05

photo

Detarët australianë ndjekin të hënën (25 prill) ceremoninë e agimit të Ditës së Anzaçit në gjirin Anzaç në gadishullin e Galipolit. [AFP]

Më parë kësaj jave, Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, Kryeministri australian Xhon Hauard, Kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Klark dhe Princi Çarls i Britanisë e zyrtarë të tjerë, u mblodhën për të përkujtuar 90 vjetorin e betejës së Galipolit me një minutë heshtjeje në hyrjen jugore të ngushticës strategjike të Dardaneleve.

Ngjarja shënon përvjetorin e zbarkimit të parë të forcave australiane e të Zelandësd së Re, të njohura së bashku si Anzaçë, në Gelibolu (Galipoli) gjatë Luftës së Parë Botërore. Australianët dhe neozelandezët e ndjekin shërbimin tradicional të agimit çdo vit, duke vizituar varret dhe duke kaluar orë të tëra pranë tyre.

Vullnetarët nga Australia dhe Zelanda e Re ofruan forcën kryesore të trupave të ushtrisë së kryesuar nga Britania që zbarkoi më 1915 në një orvatje për të kapur Stambollin, 300 km më tutje. Aleatët synonin të godisnin perandorinë otomane e cila ishte jashtë lufte por ishte aleate e Gjermanisë. dhe të hapnin ngushticat turke si një rrugë furnizimi për në Rusi. Misioni mendohej se të donte 11 ditë. Në fund, turqit rezistuan për mbi tetë muaj, duke i hedhur në det aleatët në një fushatë të përgjakshme. Luftimet e ashpra morrën jetët e 250,000 ushtarëve turq. Më tepër se 100,000 ushtarë aleatë, më së shumti australianë e neozelandezë, vdiqën gjithashtu. Forcat aleate u tërhoqën në 20 dhjetor 1915.

Erdogan tha se beteja e Galipolit ishte një mësim për pasardhësit që të punonin më tepër për të parandaluar luftën. "Fakti që ne mblidhemi së bashku për çdo vit këtu, tregon se kemi nxjerrë mësimet e domosdoshme nga kjo betejë e përgjakshme, e cila zbuloi anën e errët të luftës në mënyrën më të qartë që është e mundur, dhe se kemi vënë vlerat e larta të paqes në zemrat tona," tha ai. "Ne do të bëjmë më shumë përpjekje për të parandaluar luftrat dhe për të vepruar me bashkëpunim e vendosmëri kundër elementëve që kërcënojnë paqen në çdo vend të botës."

Gjatë ceremonisë, Klark tha se beteja e Galipolit mbetet thellë në kujtesën kolektive të kombeve që luftuan atje. "Çfarë ndodhi në Galipoli, megjithë kalimin e 90 vjetëve, ka ende forcë të trondisë," tha ajo duke shtuar se ngjarja "luajti një rol në formësimin tonë si popull dhe komb që jemi sot."

Ministrja australiane për çështjet e veteranëve, En Kelli e përshkroi zbarkimin e anzaçëve në Galipoli si një "moment përcaktues" në historinë e vendeve të përfshira në luftë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading