Greqia do të privatizojë organizatat publike

25/04/2005

Ndërsa kërkon të ngrejë të ardhurat, qeveria greke po planifikon të shesë aksionet e saj në shumë organizata, me një theks në transport dhe industrinë e kumarit.

Nga Vasilis Vasiliou për Southeast European Times në Athinë – 25/04/05

photo

Më tepër se pesë grupe kanë dërguar ofertat për të blerë Olympic Airlines, e cila ka vite që lufton financiarisht. [OA]

Duke hasur probleme serioze buxhetore, qeveria greke po sheh për rrugë për të rritur të ardhurat, duke përfshirë atë të privatizimit të koncerneve të zotëruara nga shteti. Më parë këtë muaj, komiteti ndërministror i privatizimit vendosi të shpejtojë procesin e dekombëtarizimit për gjashtë organizata publike.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Jorge Alogoskufis, Ministri i Zhvillimit, Dimitris Sioufas dhe Ministri i Punësimit dhe Shërbimit Social, Panos Panajotopulos, kanë përshkruar përparësitë e projektit i cili është planifikuar të kompletohet deri në fund të vitit 2005. E para në listë është Olympic Airlines që pritet të shitet muajin e ardhshëm. Fluturakja kombëtare ka qenë në vështirësi financiare për shumë vjet dhe orvatja e fundit për ta shitur ishte pasuksesshme. Megjithatë, më tepër se pesë grupe kanë paraqitur oferta dhe linja ajrore shpejt do të ndrrojë zot.

Banka e Kursimeve e Postave do të dalë për ofertë publike në bursën e Athinës deri në tetor. Qeveria po konsideron gjithashtu shitjen e 25 përqind të aeroportit ndërkombëtar të Athinës. Aeroporti u përzgjodh më i miri në Evropë dhe i dyti në botë në një anketë të kryer nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror më 2003. Blerësi më me gjasa është Hochtief, kompania gjermane që mori pjesë në konsorciumin që ndërtoi aeroportin. Negociatat janë planifikuar për në vjeshtë.

Përveç këtyre, komiteti po konsideron shitjen e një pjese aksionesh në organizatën e portit të Pireut. Pireu është porti më i ngarkuar në Evropë për anijet e udhëtimit, me 101 milion pasagjerë në vit dhe do të përmirësojë mekanizmat e veta ngarkuese për të rritur kapacitetin për anijet komerciale. Shumë kompani të transportit detar kanë shprehur interes në bashkëpronësinë dhe bashkëdrejtimin e portit.

Megjithatë, ndryshimi më dinamik ka gjasa të jetë në industrinë e kumarit, e cila është rregulluar shumë në Greqi. Autoritetet po propozojnë të shesin 15 përqind të aksioneve në kompaninë e lojrave OPAP. Kjo do ta linte shtetin me më pak se 50 përqind të aksioneve por pritet që ai të ruajë votën e shumicës në bordin drejtues të organizatës. Greqia aktualisht nuk lejon kompani private kumari, përveç kazinove të licensuara, por ligji i BE thotë se në vendet anëtare duhet hequr kontrolli i shtetit mbi industrinë.

Ndërkohë, qeveria ka gjasa të shkojë përpara me privatizimin e kazinosë më të madhe në vend, Mont Parnes, në veri të Athinës. Pritet gjithashtu legalizimi i makinave të lojës pas një ndalimi pesë-vjeçar që erdhi nga mungesa e mbikqyrjes prej autoriteteve. Më së fundi, qeveria ka vendosur të shesë të gjithë ODIE, organizatën e garave të kuajve.

Analistët thonë se privatizimi i këtyre organizatave me pronar shtetin, mund të ketë efekt pozitiv mbi ekonominë greke duke e çuar vendin më pranë standardeve të Evropës.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading