16/03/2005
Ministri i Jashtëm i Serbi-Malit të Zi Vuk Drashkoviç mbajti bisedime me komisionerin e zgjerimit të BE Oli Rehn të martën në Bruksel, duke shprehur besimin më pas se vendi i tij do të përmbushë shpejt kërkesat për përftimin e një studimi paraprak pozitiv për pranimin në BE.
(AP, AFP, BBC, Radio B92, Tanjug - 15/03/05)
![]() "Ne e kuptojmë tepër qartë mesazhin se Serbi-Mali i Zi as që mund ta mendojë ...afrimin me BE deri sa të transferojë në Hagë të gjithë të paditurit duke përfshirë gjeneralin Mlladiç," tha Ministri i Jashtëm Vuk Drashkoviç. [AFP] |
Ministri i Jashtëm i Serbi-Malit të Zi, Vuk Drashkoviç shprehu besimin të martën (15 mars) se vendi i tij do të përmbushë shpejt kërkesat për lidhje më të ngushta me BE.
Brenda disa javëve të ardhshme Bashkimi do të nxjerrë një studim paraprak mbi përgatitjet e Serbi-Malit të Zi për fillimin e bisedimeve të stabilizimit dhe asocimit. Brukseli e ka bërë të qartë megjithatë, se një vlerësim pozitiv varet nga bashkëpunimi i vendit me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY). Kjo është gjithashtu një kusht kyç për të gjithë vendet kandidate të mundshme që qenë përzjerë në konfliktet ballkanike në vitet 1990.
Ndonëse një sërë të dyshuarish për krime lufte janë dorëzuar në Hagë gjatë muajve të fundit, më tepër se një duzinë syresh mbeten në kërkim. Midis tyre janë tre të paditurit më të kërkuar të fshehur, krerët serbë boshnjakë të luftës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç dhe gjenerali i pensionuar kroat Ante Gotovina.
"Serbi-Mali i Zi nuk mund as të mendojë për Brukselin dhe afrimin në BE përpara se të sjellë në Hagë të gjithë të paditurit, duke përfshirë Mlladiç," u tha Drashkoviç gazetarëve pas bisedimeve me komisionerin e zgjerimit të BE, Oli Rehn, të martën në Bruksel.
Në qoftë se deri në fund të muajit, Serbi-Mali i Zi ka përmbushur të gjitha kërkesat duke përfshirë detyrimet e veta ndaj ICTY, një rekomandim do të bëhet në prill për hapjen e bisedimeve të stabilizimit dhe asocimit të vendit, tha komisioneri.
"Ne presim më tepër veprim konkret lidhur me transferimin e të paditurve në gjykatën e Hagës," tha Rehn në një konferencë shtypi me Drashkoviçin.
Deklarata e tij erdhi një ditë më parë se vendimi i pritur i BE për të shtyrë fillimin e bisedimeve të pranimit të Kroacisë me Bashkimin për shkak të dështimit të vendit për të dorëzuar në ICTY Gotovinën. Negociatat qenë planifikuar të fillonin të enjten.
"Ky mesazh që ne i dërgojmë rajonit është se ju keni një të ardhme reale e konkrete evropiane," tha Rehn. "Por kjo kërkon që çdo vend të përmbushë detyrimet e veta ndërkombëtare, veçanërisht ato lidhur me rendin e ligjit që është vlera më themelore evropiane."
Duke ju referuar shtyrjes së bisedimeve të Kroacisë, Drashkoviç tha se mesazhi i BE dërguar rajonit "ishte i qartë për të gjitha shtetet e Evropës juglindore". Muajin e kaluar, ai këshilloi se Serbi-Malit i Zi do t'i "hiqej komplet viza" po të mos përmbushte të gjitha detyrimet ndaj gjykatës së Hagës.
Duke shprehur optimizëm rreth studimit përgatitor, Drashkoviç tha të martën se hapat drejt arritjes së objektivit tjetër të lartë të politikës së jashtme të vendit, pranimit në programin e NATO-s, të Partneritetit për Paqe, do të ishin më pas në axhendë.
"Integrimi i BE dhe euro-atllantik është dëshira jonë, e vetmja udhë dhe e vetmja e ardhme," tha Drashkoviç duke vënë në dukje se pothuajse të gjitha vendet e tjera evropiane janë anëtare të këtij programi.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes